ÇFARË ËSHTË BESIMI?

Sipas Biblës, «besimi» përfshin një bindje të patundur që bazohet në prova të forta. Dikush që ka besim te Perëndia është i sigurt se Ai do t’i përmbushë të gjitha premtimet.

SI TREGOI BESIM MOISIU?

Moisiu e përqendroi jetën te premtimet e Perëndisë. (Zanafilla 22:15-18) Përpara tij shtrihej mundësia e një jete të rehatshme mes luksit të Egjiptit, por ai hoqi dorë dhe «zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësinë e përkohshme të mëkatit». (Hebrenjve 11:25) A ishte ky një vendim impulsiv, për të cilin do të pendohej më vonë? Jo, sepse Bibla thotë se Moisiu «qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm». (Hebrenjve 11:27) Ai nuk u pendua kurrë për vendimet që mori i shtyrë nga besimi.

Moisiu u përpoq t’ua forconte besimin të tjerëve. Për shembull, shqyrto çfarë ndodhi kur izraelitët dukeshin si të zënë në grackë mes ushtrisë së faraonit dhe Detit të Kuq. Të tmerruar ngaqë mendonin se po u afrohej gjëma, izraelitët i thirrën Jehovait dhe Moisiut. Si do të përgjigjej Moisiu?

Mbase Moisiu as e çonte ndër mend se Perëndia do ta ndante Detin e Kuq, duke krijuar kështu një rrugë shpëtimi për izraelitët. Sidoqoftë, ai ishte i sigurt se Perëndia do të bënte diçka për të mbrojtur popullin e Tij. Gjithashtu, donte që edhe izraelitët e tjerë të kishin të njëjtën bindje. Në Bibël lexojmë: «Moisiu i tha popullit: ‘Mos kini frikë! Qëndroni të patundur dhe shihni shpëtimin që do t’ju sjellë sot Jehovai.’» (Dalja 14:13) A ia doli t’ua forconte besimin izraelitëve të tjerë? Pa dyshim që po, sepse jo vetëm për Moisiun, por për gjithë izraelitët, Bibla thotë: «Me anë të besimit, ata kaluan përmes Detit të Kuq si në tokë të thatë.» (Hebrenjve 11:29) Besimi i Moisiut nuk i solli dobi vetëm atij, por tërë atyre që mësuan sa e mençur është të besojnë te Jehovai.

ÇFARË MËSOJMË?

Ne mund ta imitojmë Moisiun duke e përqendruar jetën te premtimet e Perëndisë. Për shembull, Perëndia premton se do të kujdeset për nevojat tona materiale, nëse e vëmë adhurimin e tij në vend të parë në jetë. (Mateu 6:33) Është e vërtetë se mund ta kemi të vështirë t’i rezistojmë prirjes kaq të përhapur sot për të vënë në radhë të parë gjërat materiale. Por të jemi të sigurt se, kur bëjmë çmos ta mbajmë jetën të thjeshtë dhe të përqendruar tek adhurimi ynë, Jehovai do të na i sigurojë të gjitha gjërat e nevojshme. Ai na garanton: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»—Hebrenjve 13:5.

Edhe ne përpiqemi fort t’i ndihmojmë të tjerët të rriten në besim. Për shembull, prindërit e mençur e kuptojnë ç’mundësi të jashtëzakonshme kanë për të ndërtuar besimin e fëmijëve të tyre. Ndërsa rriten, fëmijët kanë nevojë për njohurinë jetësore se Perëndia ekziston dhe se na ka dhënë norma për të drejtën e për të gabuarën. Përveç kësaj, kanë nevojë të binden se ndjekja e normave të tij është vërtet mënyra më e mirë e jetesës. (Isaia 48:17, 18) Prindërit u japin fëmijëve një dhuratë të çmuar kur i ndihmojnë të kenë besim se Perëndia «është real dhe i shpërblen ata që përpiqen sinqerisht ta gjejnë».—Hebrenjve 11:6, Holy Bible—Easy-to-Read Version.