A është vdekja më e fortë se Perëndia? Sigurisht që jo! E si mund të jetë vdekja ose cilido ‘armik’ tjetër më i fortë se ‘Perëndia i Plotfuqishëm’?! (1 Korintasve 15:26; Dalja 6:3) Perëndia ka fuqi ta zhdukë vdekjen me anë të ringjalljes dhe premton se do ta bëjë këtë në botën e re që do të sjellë. * Sa i sigurt është ky premtim? Biri i Perëndisë, Jezui, e tregon këtë me fjalë që na e mbushin zemrën me shpresë.—Lexo Mateun 22:31, 32.

Kur po fliste me saducenjtë që nuk besonin te ringjallja, Jezui tha: «Sa për ringjalljen e të vdekurve, a nuk keni lexuar çfarë ju kishte thënë Perëndia: ‘Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.’ Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.» Këtu Jezui iu referua bisedës që Perëndia bëri me Moisiun te kaçuba që digjej, rreth vitit 1514 p.e.s. (Dalja 3:1-6) Sipas tij, fjalët që Jehovai i tha Moisiut, «unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit», tregojnë se premtimi për ringjalljen do të përmbushet me siguri. Pse themi kështu?

Së pari, shqyrto kontekstin. Në kohën kur Jehovai foli me Moisiun, patriarkët Abraham, Isak dhe Jakob kishin vdekur prej kohësh. Abrahami kishte 329 vjet që kishte vdekur, Isaku 224 vjet dhe Jakobi 197 vjet. Prapëseprapë, Jehovai tha: «Unë jam», jo «unë isha» Perëndia i tyre. Jehovai foli për ata tre patriarkë si të ishin ende gjallë. Pse?

Jezui shpjegoi: «Ai [Jehovai] nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve.» Mendo pak se çfarë nënkuptojnë këto fjalë. Nëse nuk do të kishte ringjallje, atëherë Abrahami, Isaku dhe Jakobi do të mbeteshin përgjithmonë nën kthetrat e vdekjes. Po të ishte kështu, Jehovai do të ishte Perëndi i kufomave. Si rrjedhojë, kjo do të nënkuptonte se vdekja është më e fortë se Jehovai, sikur ai të ishte tepër i pafuqishëm për t’i çliruar shërbëtorët besnikë nga dara e vdekjes.

Atëherë, ç’mund të themi për Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe tërë shërbëtorët besnikë të Jehovait që kanë vdekur? Jezui bëri këtë pohim të fuqishëm: «Për të, të gjithë ata jetojnë.» (Luka 20:38) Vërtet, qëllimi i Jehovait për të ringjallur shërbëtorët e tij besnikë që kanë vdekur, do të përmbushet me kaq siguri, sa ai i konsideron si të ishin gjallë. (Romakëve 4:16, 17) Jehovai do t’i ruajë të gjithë këta në kujtesën e tij të pakufishme, derisa të vijë koha e duhur për t’i rikthyer në jetë.

Jehovai është ku e ku më i fortë se vdekja

A nuk të duket tërheqëse mundësia për të qenë sërish bashkë me ndonjë njeri të dashur që të ka vdekur? Nëse po, mos harro se Jehovai është ku e ku më i fortë se vdekja. S’ka asgjë që mund ta ndalojë të përmbushë premtimin për të ringjallur të vdekurit. Pse të mos mësosh më tepër për premtimin e ringjalljes dhe për Perëndinë që do ta plotësojë atë? Kështu do të afrohesh më shumë me Jehovain, që është «Perëndia . . . i të gjallëve».

Sugjerim për leximin e Biblës në shkurt

Mateu 22-28Marku 1-8

^ par. 1 Për të ditur më shumë rreth premtimit të Perëndisë për ringjalljen në një botë të re e të drejtë, shih kapitullin 7 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.