«Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.»—LUKA 22:19.

Një arsye pse disa i festojnë Krishtlindjet.

Disa thonë se Jezui është arsyeja e festimit të Krishtlindjeve. Ata i festojnë Krishtlindjet që të përkujtojnë ditën e lindjes së tij.

Pse është e vështirë të arrihet kjo?

Muzika tipike e Krishtlindjeve dhe shumë zakone të kësaj feste nuk lidhen fare me Jezu Krishtin. Miliona njerëz që i festojnë, nuk besojnë tek ai, madje disa as besojnë që ka ekzistuar. Në botën tregtare, Krishtlindjet janë bërë një festë për të reklamuar mallra, jo një rast për të kujtuar Jezuin.

Cilat parime biblike mund të na ndihmojnë?

«Biri i njeriut . . . erdhi . . . që të japë shpirtin e vet si shpërblesë për shumë njerëz.» (Marku 10:45) Sigurisht, Jezui s’i tha në ditëlindjen e tij fjalët e cituara në fillim të këtij artikulli, por natën para se të vdiste. Atë mbrëmje, ai themeloi një ceremoni të thjeshtë që të përkujtohej vdekja e tij. Gjithsesi, pse do të donte Jezui që dishepujt t’i kujtonin vdekjen dhe jo lindjen? Sepse flijimi shpërblyes i Jezuit u jep njerëzve të bindur mundësinë që të marrin jetën e përhershme. Bibla thotë: «Paga që paguan mëkati është vdekja, kurse dhurata që jep Perëndia, është jeta e përhershme me anë të Krishtit Jezu, Zotërisë tonë.» (Romakëve 6:23) Prandaj, çdo vit, në përvjetorin e vdekjes së tij, dishepujt e vet e kujtojnë Jezu Krishtin, jo si një foshnjë të brishtë, por si ‘shpëtimtarin e botës’.—Gjoni 4:42.

«Krishti vuajti për ju, duke ju lënë një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjetrit 2:21) Për të nderuar e për të kujtuar Jezuin, duhet të studiosh shembullin që la si njeri i përsosur e me aftësi për të arsyetuar. Gjithashtu, medito rreth mënyrës si shfaqi dhembshuri, durim dhe guxim për të bërë atë që është e drejtë dhe kërko mundësi që ta imitosh në jetën tënde.

«Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë tonë dhe e Krishtit të tij, dhe Ai do të mbretërojë në jetë të jetëve.» (Zbulesa 11:15) Kur kujton Jezu Krishtin, mendo për atë që po bën ai tani. Jezui po sundon si Mbret në qiell. Fjala e Perëndisë profetizoi për Jezuin: «Do t’i gjykojë të përvuajturit me drejtësi dhe do të qortojë me ndershmëri, në mënyrë që zemërbutët e tokës të nxjerrin dobi.» (Isaia 11:4) Këto cilësi tërheqëse nuk i ka një foshnjë e sapolindur, por një Sundimtar i fuqishëm.