Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Lexuesit pyesin . . .

Pse disa nuk i festojnë Krishtlindjet?

Pse disa nuk i festojnë Krishtlindjet?

Afro dy miliardë njerëz në mbarë botën i festojnë Krishtlindjet më 25 dhjetor, kurse të paktën 200 milionë të tjerë e festojnë më 7 janar ditën e lindjes së Jezu Krishtit. Gjithsesi, ka edhe miliona të tjerë që zgjedhin të mos i festojnë fare Krishtlindjet. Pse?

Pikë së pari, mbase ata i përkasin një feje që s’është pjesë e të ashtuquajturit krishterim. Mund të jenë të besimit judaik, hinduist ose shintoist, sa për të përmendur vetëm disa. Të tjerë e konsiderojnë historinë e Krishtlindjeve thjesht si mit.

Por është për t’u habitur se një numër tejet i madh njerëzish që besojnë te Jezui, i hedhin poshtë traditat e Krishtlindjeve. Pse? Ata renditin të paktën katër arsye.

Së pari, nuk besojnë që Jezui të ketë lindur në dhjetor, as në janar. Bibla nuk përmend një datë specifike. Ajo thjesht thotë: «Në të njëjtin vend ishin edhe disa barinj që jetonin jashtë dhe natën ruanin me radhë kopetë e tyre. Befas, engjëlli i Jehovait zuri vend pranë tyre dhe . . . engjëlli u tha: ‘. . . Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi një Shpëtimtar, që është Krisht, Zotëria.’»—Luka 2:8-11.

Faktet tregojnë se Jezui ka lindur diku nga fillimi i tetorit kur barinjtë me kopetë e tyre ende e kalonin natën nëpër fusha. Në muajt dhjetor e janar, moti i acartë arrin kulmin në fushat përreth Betlehemit. Prandaj, barinjtë i mbanin kopetë në disa strehë për t’i mbrojtur natën nga i ftohti.

Arsyeja e dytë është se Jezui i udhëzoi në mënyrë specifike dishepujt që të kremtonin vetëm vdekjen e tij, jo lindjen, dhe kjo duhej kremtuar tepër thjesht, duke përdorur simbolet e bukës e të verës. (Luka 22:19, 20) Gjithashtu, vër re se Ungjijtë e Markut e të Gjonit nuk thonë gjë për lindjen e Jezuit.

Jezui i udhëzoi në mënyrë specifike dishepujt që të kremtonin vetëm vdekjen e tij, jo lindjen

Arsyeja e tretë është se nuk ka asnjë dëshmi historike që të krishterët e hershëm të kenë festuar lindjen e Krishtit. Por vdekjen e tij e përkujtonin. (1 Korintasve 11:23-26) Vetëm pasi kishin kaluar më tepër se 300 vjet pas lindjes së Jezuit, i ashtuquajturi krishterim nisi t’i kremtonte zyrtarisht Krishtlindjet më 25 dhjetor. Është interesante se në mes të shekullit të 17-të, në Angli, parlamenti nxori një ligj që ndalonte festimin e Krishtlindjeve në atë vend. Në Shtetet e Bashkuara, Gjykata e Përgjithshme e Masaçusetsit bëri të njëjtën gjë. Pse? Libri Beteja për Krishtlindjet (anglisht) thotë: «Nuk ka asnjë arsye biblike ose historike për ta caktuar 25 dhjetorin si ditën e lindjes së Jezuit.» Ai thotë më tej se për puritanët «Krishtlindjet s’ishin gjë tjetër veçse festë pagane e fshehur pas një fasade të krishterë».

Kjo na çon te një arsye e katërt: origjina e pakëndshme e vetë festimit të saj. Krishtlindjet i kanë rrënjët te Roma pagane ku bëheshin festa të ndryshme për të nderuar perëndinë e bujqësisë, Saturnin, dhe perëndinë-diell, që quhej Dielli i pamposhtur ose ndryshe Mitra. Antropologët Kristian Ratshi dhe Klaudia Myler-Ebëlingu, bashkëautorë të librit Krishtlindjet pagane (anglisht), shkruajnë: «Ashtu si shumë zakone dhe bindje para krishterimit, festa e lashtë që kremtonte kthimin e përvitshëm të diellit, tani nisi të përdorej për të festuar lindjen e Krishtit.»

A nuk e tregojnë qartë arsyet e lartpërmendura pse të krishterët e vërtetë nuk i festojnë Krishtlindjet?