Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Afrojuni Perëndisë

A je në ‘librin e kujtimit’ të Perëndisë?

A je në ‘librin e kujtimit’ të Perëndisë?

A I VËREN Jehovai përpjekjet që bëjnë adhuruesit e tij për ta kënaqur? Pa dyshim që po! Por, ai vëren diçka më tepër se veprat e perëndishme dhe fjalët e lëvdimit. Ai vëren edhe mendimet tërë vlerësim që kanë për të. Për më tepër, Jehovai nuk do ta harrojë kurrë popullin e vet dhe veprat e tyre. Si mund të jemi të sigurt për këtë? Përgjigjja gjendet te fjalët që ka dokumentuar profeti Malakia.​—Lexo Malakinë 3:16.

Në shekullin e pestë p.e.s., në kohën kur profetizoi Malakia, gjendja morale dhe fetare në Izrael ishte tmerruese. Priftërinjtë i linin pas dore detyrat e tyre dhe populli në përgjithësi nisi të praktikonte shtrigërinë, kurorëshkeljen dhe mashtrimin, praktika që e çnderojnë Perëndinë. (Malakia 2:8; 3:5) Gjithsesi, një grup izraelitësh e ruajti besnikërinë mes gjithë këtij degjenerimi. Çfarë po bënin ata?

«Ata që kishin frikë nga Jehovai folën me njëri-tjetrin»,—shpjegon Malakia. Frika nga Jehovai është një cilësi pozitive. Këtu Malakia përshkruan izraelitët që kishin respekt të thellë për Perëndinë dhe frikë të shëndetshme se mos i shkaktonin pakënaqësi atij. Vër re se ata individë me frikë Perëndie «folën me njëri-tjetrin». Me sa duket, mblidheshin bashkë që të flitnin mirë për Jehovain dhe inkurajonin njëri-tjetrin që të mos i lëshonte zemra ose të mos infektoheshin nga prishja përreth tyre.

Izraelitët besnikë e tregonin nderimin e thellë për Jehovain edhe në një mënyrë tjetër domethënëse: ‘mendonin thellë për emrin e tij’. Një përkthim tjetër thotë ‘e nderonin emrin e tij’. Ata individë me frikë Perëndie e nderonin Perëndinë edhe në mendimet e tyre. Në zemër mendonin plot vlerësim ose meditonin për Jehovain dhe për emrin e tij madhështor. A ishte i vetëdijshëm Jehovai se ç’po bënin ata?

Malakia thotë: «Jehovai u kushtoi vëmendje dhe i dëgjoi.» Nga vendbanimi i tij madhështor në qiell, Jehovai e ktheu veshin dhe dëgjoi tërë fjalët që adhuruesit e tij i thoshin njëri-tjetrit. Gjithashtu, ai u kushtoi vëmendje të gjitha meditimeve që bënte secili. (Psalmi 94:11) Por Jehovai bëri më tepër se thjesht t’u kushtonte vëmendje fjalëve dhe mendimeve të tyre të mira.

«Një libër kujtimi nisi të shkruhej para tij»,—vë në dukje Malakia. Ky libër është një dokumentim i tërë atyre që i kanë shërbyer Jehovait me integritet. Vargu thotë se ai quhet «libër kujtimi». * Kjo na tregon se Jehovai nuk do t’i harrojë kurrë adhuruesit e tij besnikë dhe gjithçka kanë bërë për ta lëvduar​—çdo vepër, fjalë e mendim të mirë. Por Perëndia ka një arsye pse i kujton. Premton t’i shpërblejë me jetën e përhershme ata që i kanë emrat të regjistruar në mënyrë të pashlyeshme në librin e tij të kujtimit. *​—Psalmi 37:29.

Marrim shumë zemër kur dimë se Jehovai vlerëson gjithçka bëjmë për ta adhuruar në mënyrë të pranueshme. Fjalët te Malakia 3:16 duhet të na nxitin të mendojmë seriozisht për marrëdhënien tonë me Jehovain. Bëjmë mirë të pyesim veten: «A është emri im në ‘librin e kujtimit’ të Perëndisë?» Do të jetë në atë libër, nëse bëjmë gjithçka mundemi që të veprojmë, të flasim e të mendojmë çdo ditë në atë mënyrë që t’i sjellim kënaqësi Jehovait.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë dhjetorit:

Naumi 1-3Malakia 1-4

^ par. 8 Fjala hebraike që është përkthyer «kujtim» nuk do të thotë vetëm të sjellësh diçka ndër mend. Mund të nënkuptojë edhe të bësh diçka për atë që ti kujton.

^ par. 8 Për më shumë informacion rreth premtimit të Perëndisë për jetën e përhershme, shih kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.