Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Kozmetika në kohët biblike

Kozmetika në kohët biblike

Trajtimi me artikuj kozmetikë i disa grave në kohët biblike përfshinte kozmetikën për sytë, fytyrën e lëkurën

Pasi bën banjë, gruaja lyen me pak vaj aromatik lëkurën e saj të zbutur. Pastaj hap një kuti të zbukuruar ngjyra-ngjyra që mban një koleksion shishesh, vazosh e kavanozash të vegjël prej qelqi, fildishi, guaske ose guri. Në to ka një shumëllojshmëri vajrash e parfumesh me aromë të këndshme balsami, kardamomi, kanelle, temjani të bardhë, mjalti, mirre e të tjera si këto.

Gruaja nxjerr nga kutia disa lugë, pjata e kupa të punuara me mjeshtëri. Me anë të tyre përzien produktet kozmetike që ka zgjedhur për këtë ditë. Duke fiksuar sytë në pasqyrën e bronztë, gjithë kujdes nis trajtimin me artikujt kozmetikë.

ME SA duket, që nga kohët më të hershme, gratë kanë qenë shumë të interesuara për zbukurimin e tyre. Piktura në varre të lashta, afreske e mozaikë, që të gjitha lënë të kuptohet se përdorimi i produkteve kozmetike ishte i përhapur mes njerëzve në Mesopotaminë dhe në Egjiptin e lashtë. Admiroheshin tej mase sytë me makijazh të rëndë e të lyer në formë bajameje siç shihen në figura grash egjiptiane.

Por, ç’të themi për izraelitët? A përdornin produkte kozmetike gratë në Izraelin e lashtë? E nëse po, ç’lloj produktesh kozmetike përdornin? Natyrisht, s’ka piktura varresh ose afreske të Izraelit të lashtë të cilave mund t’u referohemi. Megjithatë, me anë të disa tregimeve të Biblës dhe punimeve artizanale që kanë zbuluar arkeologët në vende biblike, mund t’i hedhim të paktën një vështrim të përgjithshëm kozmetikës në kohët biblike.

Mjetet që përdoreshin

Pjata prej guri për kozmetikë, Izrael

Në mbarë tokën e Izraelit janë zbuluar objekte të panumërta arkeologjike që lidhen me përdorimin e kozmetikës e të parfumeve. Midis gjetjeve ndodheshin tase ose pjata prej guri ku bluheshin e përziheshin materialet kozmetike. U gjendën edhe shishe parfumi në formë karrote, enë alabastri për pomadë dhe pasqyra dore prej bronzi të lustruar. Një lugë fildishi në njërën anë të bishtit ka të gdhendura gjethe palme, kurse në anën tjetër ka kokën e një gruaje të rrethuar me pëllumba.

Guaskat e zbukuruara duket se përdoreshin gjerësisht si mbajtëse produktesh kozmetike mes të pasurve. Edhe në Egjipt e në vende kananite janë gjetur lugë të vockla kozmetike prej fildishi ose prej druri, disa të gdhendura në formën e vajzave që notojnë e në forma të tjera të ndërlikuara. E gjithë kjo tregon deri në ç’masë i përdornin artikujt kozmetikë gratë e asaj kohe.

Për sytë

Në Bibël, njëra nga bijat e Jobit quhet «Keren-Hapuk». Në hebraisht ky emër mund të ketë kuptimin «bri për bojën e zezë (të syve)», domethënë mbajtëse ose kuti me një lloj makijazhi që ndoshta ishte kohl ose pudër për sytë. (Jobi 42:14) Ky emër mund t’i referohej bukurisë së saj në përgjithësi, por mund të nënkuptojë edhe se përdorimi i artikujve kozmetikë njihej në atë kohë.

 Është domethënëse se Bibla e lidh gjithmonë lyerjen e syve me gra famëkeqe si mbretëresha intrigante Jezebelë dhe me Jerusalemin jobesnik, të cilin profetët Jeremia dhe Ezekieli e portretizuan si prostitutë. (2 Mbretërve 9:30; Jeremia 4:30; Ezekieli 23:40) Arkeologët kanë zbuluar një numër tejet të madh mbajtësesh qelqi ose guri që kishin mjete të vogla për lyerje me laps kohl. Ky zbulim tregon se mjaft gra në Izraelin apostat—sidomos ato të rangut mbretëror e mes të pasurve—e kishin bërë zakon të zbukuroheshin rëndshëm me laps sysh dhe me artikuj të tjerë kozmetikë.

Vaj i parfumuar për përdorim të shenjtë ose të zakonshëm

Prodhimi dhe përdorimi i parfumeve me bazë vajin e ullirit ka histori të gjatë në Izraelin e lashtë. Libri biblik i Daljes përmban një recetë për përgatitjen e vajit të parfumuar të shenjtë që përdornin priftërinjtë gjatë shërbimit në tempull. Është një përzierje kanelle, mirre dhe bimësh të tjera aromatike. (Dalja 30:22-25) Në Jerusalem arkeologët kanë gjetur atë që sipas tyre është një punishte e shekullit të parë të e.s., ku prodhohej  parfum dhe temjan që të përdoreshin në tempull. Në Bibël përmendet shumë herë vaji i parfumuar, i cili përdorej si në shërbimin e shenjtë, edhe në jetën e përditshme.—2 Kronikave 16:14; Luka 7:37-46; 23:56.

Poç qeramike për parfum, Izrael

Në atë pjesë të botës kishte mungesë uji, prandaj diçka tjetër që përdorej për higjienën ishin vajrat erëmirë. Vaji nuk përdorej vetëm për mbrojtjen e lëkurës nga klima e nxehtë dhe e thatë, por edhe për dobitë kozmetike. (Rutha 3:3; 2 Samuelit 12:20) Para se vasha judeje, Estera, të paraqitej te mbreti Asuer, i bënë masazhe me vaj mirre për gjashtë muaj dhe masazhe me vaj balsami për gjashtë muaj të tjerë.—Estera 2:12.

Parfumet ose vajrat e parfumuara çmoheshin po aq sa argjendi e ari. Kur mbretëresha e Shebës bëri udhëtimin e famshëm për të takuar mbretin Solomon, ndër dhuratat e çmuara që i solli, kishte edhe ar, gurë të çmuar dhe vaj balsami. (1 Mbretërve 10:2, 10) Kur mbreti Hezekia u tregoi thesaret e shtëpisë së tij të dërguarve nga Babilonia, u tregoi gjithë krenari edhe ‘vajin e balsamit dhe vajin e mirë’, bashkë me argjendin, arin dhe arsenalin e armëve.—Isaia 39:1, 2.

Nga disa lule, fruta, gjethe, rrëshirë ose lëvore të pemëve mund të nxirrej vetëm një sasi e vogël parfumi ose vaji. Në Bibël përmenden disa nga këto bimë dhe produkte aromatike, si: aloe, balsam, rrëshirë bdeli, kallam erëmirë, kasi, kanellë, temjan i bardhë, mirrë, shafran dhe nard. Disa prej tyre rriteshin në vend, në luginën e Jordanit. Të tjera importoheshin nga India, Arabia Jugore e nga vende të tjera nëpërmjet rrugëve tregtare të famshme të temjanit.

Enigma e vajit të balsamit

Siç e pamë më sipër, vaji i balsamit përmendet në Bibël në tregimet për mbretëreshën Ester, mbretëreshën e Shebës dhe për mbretin Hezekia. Në vitin 1988, në një shpellë afër Kumranit, në bregun perëndimor të Detit të Vdekur, u zbulua një shtambë e vogël me vaj. Ky zbulim ngriti shumë spekulime. Mos ishte kjo mostra e fundit e vajit të famshëm të balsamit? Studiuesit nuk kanë një përgjigje përfundimtare. Deri sot e kësaj dite, kultivuesit po përpiqen të rikrijojnë korijet e famshme të balsamit të asaj kohe.

Enë fildishi për kozmetikë, Izrael

Me sa duket, dëshmitë vërtetojnë se vaji i balsamit që përmend Bibla kultivohej në zonën përreth En-Gedit. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar furra, enë balte dhe objekte të tjera prej metali e kocke që datojnë që nga shekulli i gjashtë p.e.s., të cilat ngjajnë me ato që përdoreshin për të bërë parfume në zona të tjera. Shumica e studiuesve besojnë se shkurrja e balsamit e kishte origjinën nga Arabia ose Afrika. Aroma nxirrej nga limfa e bimës. Vaji i balsamit ishte kaq i çmuar, sa metodat e kultivimit dhe të prodhimit mbaheshin të fshehta.

Madje balsami përdorej edhe si mjet këmbimi në pazaret politike. Për shembull, sipas historianit Jozef, Mark Antoni shtiu në dorë një zabel të tërë me këto bimë të çmuara dhe ia dhuroi mbretëreshës egjiptiane, Kleopatrës. Historiani romak, Plini, përmendi se gjatë luftës judaike në shekullin e parë të e.s., luftëtarët judenj u përpoqën të shkatërronin të gjitha bimët e balsamit që të mos ua merrnin pushtuesit romakë.

Nga referimet biblike dhe zbulimet arkeologjike, arrijmë t’i hedhim një vështrim të përgjithshëm artit të kozmetikës që përdornin njerëzit në kohët biblike. Bibla nuk e dënon përdorimin e artikujve kozmetikë dhe të zbukurimeve të tjera, por thekson se duhen përdorur me modesti e mendje të shëndoshë. (1 Timoteut 2:9) Apostulli Pjetër nxori në pah se ajo që «ka vlerë të madhe në sytë e Perëndisë» është ‘fryma e qetë dhe e butë’. Duke pasur parasysh stilet dhe modën gjithnjë e në ndryshim, patjetër që kjo është këshillë e shkëlqyer për gratë e krishtere, të reja e të moshuara.—1 Pjetrit 3:3, 4.