Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Mësojini fëmijët

Jotami qëndroi besnik pavarësisht nga problemet në shtëpi

Jotami qëndroi besnik pavarësisht nga problemet në shtëpi

KUR një prind largohet nga Perëndia i vërtetë, Jehovai, jeta e fëmijës vështirësohet. Le të shohim rastin e Jotamit. Do të mësojmë për problemet që hasi në shtëpi ndërsa rritej.

Babai i Jotamit, Uziahu, ishte mbreti i Judës. Ishte burri më i fuqishëm në vend. Uziahu kishte qenë një mbret i mirë për shumë vjet, edhe para se të lindte Jotami. Por më vonë, kur Jotami ishte i vogël, Uziahu u bë krenar dhe shkeli Ligjin e Perëndisë. Prandaj Perëndia e ndëshkoi me lebër, një sëmundje të keqe. A e di çfarë bëri Jotami më pas? . . . *

Jotami vazhdoi t’i shërbente Jehovait. Ndoshta e ndihmoi e ëma, Jerusha. Prapëseprapë, për Jotamin mund të ketë qenë e vështirë t’i qëndronte besnik Jehovait, që kur babai, Uziahu, u largua nga shtëpia e Jehovait.

Po nëse babai ose mamaja jote të mos vazhdojë ta adhurojë Jehovain? Do ta kishe shumë të vështirë, apo jo? . . . Nuk është e gabuar të mendosh se ç’do të bëje nëse ndodh kjo. Ajo çfarë shkroi Davidi në Bibël na e tregon këtë.

Babai i Davidit, Jeseu, ishte njeri i mirë. Ai i shërbeu Jehovait dhe jemi të sigurt se Davidi e donte babanë. Por Davidi mësoi ta donte Jehovain më shumë se Jeseun. Të shohim pse e themi këtë.

 Hape Biblën, të lutemi, te Psalmi 27:10. Davidi shkroi: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» Mendo pak: Bibla po thotë se, nëse babai i Davidit, Jeseu, ose mamaja e vet nuk do të vazhdonin t’i shërbenin më Jehovait, Davidi do të vazhdonte t’i shërbente Atij.

Po ti? A do të vazhdosh t’i shërbesh Jehovait edhe nëse babai ose nëna jote nuk vazhdojnë? . . . Do të ishte mirë ta pyesje veten për këtë. Arsyeja lidhet me urdhërimin më të rëndësishëm në Bibël. Ky urdhërim thotë: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.»

Ky urdhërim do të thotë t’i qëndrojmë besnikë Jehovait, edhe kur është e vështirë. Si mendon, kush do që të mos i shërbejmë më Jehovait? . . . Armiku i Perëndisë, Satana Djalli. Jezui e quajti ‘sundimtarin e botës’. Gjithashtu Bibla thotë se ai është «perëndia i kësaj bote». A duhet të kemi frikë nga Satanai? . . .

Jo, s’duhet të kemi. Në vend të kësaj, s’duhet të harrojmë se Jehovai është më i fuqishëm se Satanai. Jehovai do të na mbrojë nëse i besojmë atij. Lexo në Biblën tënde si Jehovai e mbrojti Davidin nga gjiganti i frikshëm Goliad. Jehovai do të të mbrojë edhe ty nëse i qëndron besnik.

^ par. 4 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.