Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

«Historia nuk gënjen»

«Historia nuk gënjen»

Më 14 qershor 2007, Posta Kombëtare e Estonisë nxori një pullë poste përkujtimore, siç tregohet djathtas. Dalja e saj u shoqërua me këtë njoftim: «Kjo pullë përkujtimore doli në kujtim të viktimave estoneze të gjenocidit stalinist.» Mes viteve 1941 dhe 1951, dhjetëra mijë estonezë u dëbuan me forcë nga vendi i tyre.

«HISTORIA nuk gënjen.» Kjo është një thënie e njohur në Estoni; thënie të ngjashme ka edhe në vende të tjera. Po, s’e ndryshojmë dot të shkuarën, por sigurisht mund të mësojmë prej saj. Mbreti i mençur Solomon i Izraelit të lashtë tha: «Të gjitha këto i kam parë kur mendoja për gjithçka që bëhet në botë, një botë ku disa njerëz kanë pushtet dhe të tjerët detyrohen ta pësojnë nën sundimin e tyre.»—Eklisiastiu 8:9, Bibla ECM.

Një dëshmi e fuqishme për vërtetësinë e kësaj shprehjeje biblike u pa disa dekada më parë në Estoni, si edhe në mjaft pjesë të tjera të Evropës Lindore. Sundimi njerëzor u solli vuajtje një morie të pafajshmish, të cilët i internuan në vende të largëta për t’i shpërngulur atje ose për t’i burgosur në kampe pune.

Sipas historianëve vendës, mes viteve 1941 dhe 1951, mbi 46.000 civilë u internuan nga ky vend i vogël. Shumica e tyre u bënë shënjestër ngaqë ishin marrë me politikë, të tjerë si pasojë e kombësisë ose e statusit shoqëror. Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait u bënë shënjestër për shkak të bindjeve të tyre fetare.

Sulm ndaj njerëzve me frikë Perëndie

Në një studim të botuar nga Shtypi i Universitetit të Tartusë në vitin 2004, historiani Ajgi Rahi-Tami tha: «Nga viti 1948 deri në vitin 1951, u arrestuan 72 Dëshmitarë të Jehovait, ku përfshiheshin edhe njerëz që shoqëroheshin me ta. Sidoqoftë, natën e 1 prillit 1951, u planifikua dhe u krye një internim në shkallë shumë më të madhe, jo vetëm në Shtetet Baltike, por edhe në Moldavi, në perëndim të Ukrainës dhe në Bjellorusi.»

Para vitit 1951, Dëshmitarët e Jehovait në Estoni iu nënshtruan arrestimit, presionit psikologjik, marrjes në pyetje dhe burgimit. Me sa duket, kjo fushatë e re internimi ishte një përpjekje e gjithanshme për t’i shfarosur njëherë e mirë Dëshmitarët e Jehovait në Estoni.

Në pullën e përmendur më lart është vënë data 1 prill 1951 dhe numri 382 i referohet numrit të Dëshmitarëve dhe të fëmijëve të tyre që u internuan atë ditë. Ky numër përfshin edhe disa të afërm e fqinjë që s’ishin Dëshmitarë. Atë ditë, u bënë arrestime në mbarë vendin. Kurse atë natë, të arrestuarit,  të rinj e të moshuar, i futën në vagonë kafshësh, në trena që do të shkonin në Siberi.

Ela Tomi

Ela Tomi, * e cila në atë kohë ishte 25 vjeçe, ishte Dëshmitare e Jehovait. Duke kujtuar një seancë tipike ku i merrnin në pyetje, ajo thotë: «Një oficer u përpoq të më frikësonte dhe më kërkoi të mos predikoja më. Njëherë më pyeti: ‘A do që të jetosh? Apo do që të vdesësh bashkë me Perëndinë tënd në fushat e Siberisë?’» Megjithatë, Ela vazhdoi ta predikonte me guxim lajmin e mirë. Gjatë një periudhe prej afro gjashtë vjetësh, atë e dërguan në Siberi dhe e transferuan nga njëri kamp pune në tjetrin.

Mes qindra individëve që u internuan pa gjyq, ishte edhe Hisa Lemberi, një tjetër e re Dëshmitare e Jehovait. Ajo sjell ndër mend ngjarjet e 1 prillit 1951 dhe thotë: «Ata erdhën krejt papritur natën dhe na urdhëruan: ‘Keni gjysmë ore kohë. Mblidhni plaçkat!’» Në terrin e natës, Hisën dhe vajzën e saj gjashtëvjeçare i çuan në stacionin e trenit. Me një zhurmë çjerrëse, treni udhëtonte nga stacioni në stacion dhe merrte gjithnjë e më shumë Dëshmitarë. Ajo vazhdon: «Na hodhën në një vagon kafshësh. Shyqyr që jashtëqitjet e kafshëve kishin ngrirë, përndryshe do të kishte qenë e vështirë të rrije në të. Ishim si kafshë të ngjeshura në kafaz.»

Udhëtimi rraskapitës dyjavor me tren ishte traumatik. Vagonët ishin të mbipopulluar dhe të pistë. Të rinj e të moshuar i poshtëronin e i çnderonin në çdo mënyrë të mundshme. Disa prej tyre qanin dhe nuk pranonin të hanin. Gjithsesi, Dëshmitarët i jepnin zemër dhe e ndihmonin njëri-tjetrin, duke kënduar këngë adhurimi, si edhe duke ndarë ushqimin që kishin. Ata i dërguan në një «vendbanim të përhershëm» dhe u thanë se ky ishte «udhëtim pa kthim».

Hisa Lemberi dhe e bija, Maja

Hisa sjell ndër mend mbështetjen e dashur që mori nga bashkëbesimtarët gjatë asaj peripecie: «Në një stacion, treni ynë ndaloi afër një treni nga Moldavia. Nga brenda vagonit dëgjuam një burrë që na pyeti se kush ishim dhe ku po shkonim. I shpjeguam se nuk e dinim ku po shkonim dhe se ishim Dëshmitarë të Jehovait nga Estonia. Bisedën tonë e dëgjuan shkarazi Dëshmitarë në trenin nga Moldavia. Përmes një të çare të vagonit, na hodhën një bukë të madhe e disa kumbulla të thata.» Ajo shtoi: «Pastaj nisëm të kuptonim shtrirjen e arrestimit në masë të Dëshmitarëve të Jehovait—po ndodhte në të gjitha republikat e Bashkimit Sovjetik.»

Dy adoleshente Dëshmitare, Korinën dhe motrën e saj, Enin, i ndanë nga nëna për më shumë se gjashtë vjet. Të ëmën, edhe ajo Dëshmitare e Jehovait, e kishin arrestuar më herët dhe e kishin dërguar në një kamp pune. Më vonë, atë natë famëkeqe prilli, dy të rejat i morën me forcë nga shtëpia dhe i futën si kafshë në një vagon. Korina kujton me mirënjohje: «Në tren, një Dëshmitare me dy fëmijë u tregua e gatshme të kujdesej për ne dhe na siguroi se mund të jetonim me të e me fëmijët e saj si një familje.»

Ç’ndodhi në destinacionin e fundit? Ditën pasi mbërritën në shkretëtirën e ftohtë siberiane, nisi një «tregti skllevërish» që ishte poshtëruese. Nga fermat kolektive atje afër erdhën burra që të zgjidhnin punëtorë  për fermat e tyre. Korina sjell ndër mend: «I dëgjuam shkarazi tek grindeshin mes tyre, duke thënë: ‘Ti e ke tashmë një shofer për traktorin tënd. Ky është imi.’ Ose: ‘Po unë i mora dy të moshuar. Merr edhe ti ca.’»

Eni dhe motra e saj, Korina

Korina dhe Eni ishin vajza të guximshme. Më vonë ato thanë: «Na mori malli shumë për nënën dhe donim me zjarr vetëm të provonim sërish përqafimin e saj të ngrohtë.» Megjithatë e ruajtën besimin e fortë te Jehovai dhe ndjenjën e humorit. Korina shton: «Në njëfarë kuptimi, më mirë që nëna s’na pa, pasi ndonjëherë na duhej të punonim jashtë në të ftohtin e acartë pa veshjen e duhur.»

Pa dyshim, njerëz të pafajshëm në Estoni dhe gjetkë kanë vuajtur padrejtësi të tejskajshme, e mes tyre ishin edhe Dëshmitarët e Jehovait si grup. (Shih kutinë «‘Shkallë terrori’ e paimagjinueshme.») Pavarësisht nga keqtrajtimet dhe vuajtjet e këtilla në të kaluarën, Dëshmitarët e Jehovait në Estoni janë ende aktivë e të lumtur.

Një e ardhme e ndritur përpara

Bibla na siguron se Perëndia Jehova e urren padrejtësinë. Në të thuhet: «Kushdo që i bën këto gjëra, kushdo që bën padrejtësi, është i pështirë për Jehovain, Perëndinë tënd.» (Ligji i përtërirë 25:16) Ndonëse Perëndia e ka toleruar ligësinë në të kaluarën, së shpejti do të vijë koha kur ai të sjellë drejtësi e kur ligësia do të marrë fund. Psalmisti thotë: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»—Psalmi 37:10, 11.

Po, na pret një e ardhme e ndritur! Edhe pse s’e ndryshojmë dot të shkuarën, mund të bëjmë hapa që ta kemi të sigurt të ardhmen. Afrojuni Perëndisë dhe shihni se si mund të jeni pjesë e së ardhmes së mrekullueshme kur do të triumfojë drejtësia e vërtetë.—Isaia 11:9.

^ par. 10 Jetëshkrimi i Ela Tomit ndodhet në revistën Zgjohuni! të prillit 2006, faqet 20-24.