«Rikthimi në jetë është një fakt, dhe është fakt se të gjallët vijnë nga të vdekurit dhe se shpirtrat e të vdekurve ekzistojnë.»​—PLATONI, FILOZOF GREK, SHEKULLI I 5-TË P.E.S., CITIM NGA «SOKRATI».

«Meqë shpirti nuk ekziston pa trupin, e prapëseprapë nuk është trup, ai mund të ndodhet në një trup ose në një tjetër dhe të kalojë nga trupi në trup.»​—XHORDANO BRUNO, FILOZOF ITALIAN, SHEKULLI I 16-TË I E.S.

«Asgjë nuk vdes; njerëzit vetëm sa duket sikur vdesin . . . dhe atje rrinë duke parë nga dritarja, shëndoshë e mirë, në ndonjë formë të re e të çuditshme.»​—RALF VALDO EMERSONI, ESEIST DHE POET AMERIKAN, SHEKULLI I 19-TË I E.S.

A E KE pyetur ndonjëherë veten se kush je në të vërtetë? A ke menduar ndonjëherë se ke jetuar më parë? Nëse po, nuk je vetëm. Që në kohët e hershme, njerëz të kulturave lindore e perëndimore i kanë bluar në mendje këto pyetje. Në kërkim të përgjigjeve, disa i kanë hyrë një besimi të quajtur rimishërim. Sipas këtij besimi, kur dikush vdes, një «shpirt» i padukshëm del nga trupi dhe rilind në një trup tjetër​—qoftë njeri, kafshë, madje edhe bimë—​në një ose në më shumë ekzistenca të njëpasnjëshme.

Edhe pse ky besim mund t’u japë përgjigje të kënaqshme disave, si mund të sigurohemi  nëse është i vërtetë? Ç’thotë për këtë Fjala e Perëndisë, Bibla? Gjithsesi, në fillim duhet të pyesim: Nga e ka origjinën ky besim?

Nga e ka origjinën rimishërimi?

Sipas historianëve e studiuesve, banorët e Babilonisë së lashtë, qytet i themeluar më shumë se 2000 vjet para Krishtit, filluan të luanin me idenë e pavdekësisë së shpirtit të njeriut. Çështja e pavdekësisë «thithi seriozisht vëmendjen e teologëve babilonas»,​—tha Moris Xhestrou i Riu në librin e tij Feja e Babilonisë dhe e Asirisë (anglisht). Ai shpjegoi se për babilonasit «vdekja ishte një kalim nga një lloj jete në një tjetër». Më tej vazhdon: «Pa dyshim që në thelb të teorisë primitive të ekzistencës së përjetshme në ndonjë formë, qëndronte pamundësia e njeriut për ta menduar veten të privuar përgjithmonë nga vetëdija.»

Që nga ky fillim në Babiloni, mësimet e transmigrimit dhe të rilindjes së shpirtit filluan të zhvilloheshin edhe në pjesë të tjera të botës së lashtë. Filozofët indianë formuluan një sistem të stërholluar bindjesh rreth një cikli rilindjesh të bazuar në ligjin e shkakut dhe të pasojës ose në ligjin e karmës. Gjithashtu, idenë e rimishërimit e adoptuan edhe filozofë grekë me goxha ndikim, duke e bërë tërheqëse edhe për shumë individë të tjerë.

Në kohën tonë, në vendet perëndimore ka pasur një rritje interesi për rimishërimin. Të famshmit dhe brezi më i ri janë magjepsur pas ideve e praktikave fetare të Lindjes. Sot, ka një mal me libra e site në Internet që flasin për domethënien e përvojave të një jete të mëparshme që supozohet të kenë pasur disa. Në shumë vende po bëhet tejet e njohur ajo që e quajnë terapi e jetës së mëparshme. Kjo terapi përdor hipnozën për të eksploruar atë që mendohet si jeta e mëparshme, në përpjekje për të kuptuar shëndetin dhe sjelljen e tanishme.

A është i vërtetë rimishërimi?

Ndonëse besimi te rimishërimi i ka rrënjët e lashta, patjetër që nevojitet një përgjigje për pyetjen më të rëndësishme: A është i vërtetë? Dhe të krishterët duan të dinë nëse ky besim përputhet me besimin e krishterë të bazuar në Bibël. (Gjoni 17:17) Meqë Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, është Burimi i jetës dhe «Zbulues i të fshehtave», na bën të ditur gjëra për jetën dhe për vdekjen që përndryshe do të ishin të panjohura për ne njerëzit. Që të marrim përgjigje për këtë temë, mund t’i drejtohemi të sigurt Fjalës së tij, Biblës.—Danieli 2:28; Veprat 17:28.

Përgjigjet e Perëndisë mund të identifikohen kollaj kur e lejojmë Biblën të shpjegohet vetë. Për shembull, te Zanafilla 3:19 gjejmë fjalët që Perëndia i tha Adamit pasi ai dhe Eva nuk iu bindën. Perëndia tha: «Do të hash bukë me djersën e ballit, derisa të kthehesh në dhé, sepse prej tij u more. Sepse ti je pluhur, dhe në pluhur do të kthehesh.» Adami ishte krijuar nga pluhuri. Kur vdiq, ai u kthye në pluhur. Perëndia u shpreh qartë për këtë çështje. Kështu, kur dikush vdes, nuk rilind si dikush tjetër, por pushon së ekzistuari. * Ashtu si i nxehti dhe i ftohti, thatësira dhe lagështira, drita dhe errësira janë të kundërta, edhe vdekja është e kundërta e jetës. Të vdekurit janë vërtet të vdekur! A nuk është e thjeshtë dhe e logjikshme kjo?

Prandaj, duhet të ketë shpjegime të tjera për kujtimet e një jete të mëparshme. Veprimtaritë e mendjes së njeriut, ku përfshihet edhe e pavetëdijshmja, dhe ndikimi i ilaçeve ose i përvojave traumatike, ende nuk kuptohen plotësisht. Ëndrrat dhe ngjarjet e imagjinuara, të bazuara në sasinë kolosale të informacionit të ruajtur në të gjitha kujtimet e trurit, mund të jenë kaq të gjalla, saqë mund të shfaqen si reale. Në disa raste, forcat e liga frymore krijojnë përvoja të mistershme që e bëjnë jorealen të duket reale.​—1 Samuelit 28:7-19.

Është e natyrshme që njerëzit të duan të  jetojnë dhe ta dinë të ardhmen. Por, pse e kemi këtë dëshirë? Bibla thotë diçka interesante për Krijuesin: «Ka vënë edhe përjetësinë në zemrën e tyre.» (Eklisiastiu 3:11) Ja pse njerëzit dëshirojnë me gjithë zemër të jetojnë pafundësisht.

Nëse Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, ka vënë në zemrën e njeriut dëshirën që të jetojë përgjithmonë, është më se logjike që të na shpjegojë edhe si mund të plotësohet kjo dëshirë. Bibla zbulon qëllimin madhështor të Krijuesit për t’i bekuar njerëzit e bindur me jetë të përhershme në një parajsë në tokë. Mbreti David, psalmisti i frymëzuar, tha: «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.» (Psalmi 37:29) Një doktrinë biblike themelore, e lidhur në mënyrë të pandashme me qëllimin e përjetshëm të Perëndisë, është ringjallja e të vdekurve.​—Veprat 24:15; 1 Korintasve 15:16-19.

Ringjallja e të vdekurve—Shpresë e vërtetuar

Në Bibël dokumentohen tetë ringjallje të njerëzve që jetuan sërish në tokë, të vërtetuara nga dëshmitarë okularë. * Këtu bëhet fjalë për ringjallje, jo për rimishërim. Ata që u ringjallën nga të vdekurit u njohën menjëherë nga familja dhe miqtë. Në asnjë rast të afërmit s’kishin pse të kërkonin mes të sapolindurve afër e larg, që të siguroheshin nëse ndonjë nga foshnjat ishte shpirti i rimishëruar i njeriut të tyre të dashur që kishte vdekur.​—Gjoni 11:43-45.

Sa siguri na jep Fjala e Perëndisë, e cila tregon se shumica dërrmuese e të vdekurve do të kthehen në jetë gjatë ringjalljes! Kjo ringjallje do të ndodhë në botën e re të Perëndisë, që do të zëvendësojë së shpejti këtë botë të ligë këtu në tokë. (2 Pjetrit 3:13, 14) Ndërkohë, çdo aspekt i jetës së miliarda individëve po ruhet në kujtesën e pakufishme e të përsosur të Jehovait, Perëndisë që kujton edhe emrat e të gjitha yjeve! (Psalmi 147:4; Zbulesa 20:13) Kur në botën e re ai të kthejë në jetë breza të njëpasnjëshëm njerëzish, ata do të jenë në gjendje të përcaktojnë gjenealogjinë e tyre dhe t’i njohin personalisht paraardhësit. Sa shpresë e mrekullueshme dhe emocionuese!

^ par. 13 Për më shumë informacion, shih kapitullin 6, «Ku janë të vdekurit?», në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 18 Tetë rastet e dokumentuara gjenden te 1 Mbretërve 17:17-24; 2 Mbretërve 4:32-37; 13:20, 21; Luka 7:11-17; 8:40-56; Gjoni 11:38-44; Veprat 9:36-42; 20:7-12. Teksa lexon tregimet, vër re se këto ringjallje ndodhën në prani të mjaft dëshmitarëve okularë. Një tregim i nëntë përshkruan ringjalljen e Jezu Krishtit.—Gjoni 20:1-18.