Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Si të kemi një familje të lumtur?

Si t’i përballojmë borxhet?

Si t’i përballojmë borxhet?

Janisi: * «Biznesi im u shkatërrua gjatë krizës financiare greke, kështu që nuk arrinim dot më të paguanim kredinë për shtëpinë dhe borxhet nga karta e kreditit. Nuk më zinte gjumi nga stresi.»

Katerina: «E kishim ndërtuar shtëpinë me dashuri dhe s’mund ta imagjinoja që do ta humbnim. Unë dhe Janisi u grindëm shumë herë se si t’i përballonim borxhet.»

BORXHET mund të krijojnë tension e madje ta shkatërrojnë një familje. Për shembull, studiuesi Xhefri Dju arriti në përfundimin se çiftet që kanë borxhe, kalojnë më pak kohë së bashku, zihen më tepër dhe janë më pak të lumtur. Po të krahasohen me çështje të tjera, zënkat për borxhet dhe për çështjet financiare zgjatin më shumë, sjellin më tepër ulërima e goditje, dhe ka më shumë të ngjarë të çojnë në debate për gjëra të tjera. Pra s’habitemi që shkaku kryesor i divorcit në Shtetet e Bashkuara është mosmarrëveshja për paratë.

Borxhet e tepërta sjellin edhe rreziqe shëndetësore, si: pagjumësi, dhimbje koke, dhimbje stomaku, infarkt dhe depresion. Një grua e quajtur Marta thotë: «Burri im, Luisi, ishte kaq i dëshpëruar për borxhin, saqë flinte gati gjithë ditën. Ai njeri që më kishte mbështetur gjithmonë, tani ishte i pafuqishëm.» Për disa, stresi bëhet i padurueshëm. Për shembull, Agjencia e Lajmeve BBC raportonte se një grua nga India Juglindore vrau veten ngaqë ngeli mbrapa me pagesat e huave që arrinin shumën prej 662 eurosh. Këtë hua e kishte marrë që të paguante kujdesin mjekësor të fëmijëve.

 Po sikur familja juaj të jetë nën stres për shkak të borxhit? Le të shqyrtojmë disa vështirësi të zakonshme që hasin çiftet për të përballuar borxhet dhe të shohim parimet biblike që mund t’ju ndihmojnë t’ia dilni mbanë.

VËSHTIRËSIA 1: Ia hedhim fajin tjetrit.

Lulashi pranon: «E akuzoja gruan se i bënte lekët rrush e kumbulla, kurse ajo ankohej se, po të kisha një punë të sigurt gjatë gjithë vitit, paratë do të na mjaftonin.» Si t’ia bëjë një çift që të parandalojë përçarjen që sjellin borxhet?

Një çelës i suksesit: Bashkëpunoni kundër borxhit.

Nëse shfryn zemërimin ndaj bashkëshortit, edhe sikur të mos jesh ti shkaku i borxhit, nuk zgjidh gjë. Tani, ndoshta më shumë se kurrë, është praktike këshilla e Biblës tek Efesianëve 4:31: «Hiqni çdo vrer shpirtlig, zemërim, furi, të bërtitur dhe sharje, bashkë me çdo të keqe.»

Luftoni kundër borxhit, jo kundër njëri-tjetrit. Një burrë i quajtur Stefanos tregon si bashkëpunoi me gruan: «E shihnim borxhin si armik të përbashkët.» Ky bashkëpunim përputhet me Proverbat 13:10, ku thuhet: «Kur është arrogant, njeriu shkakton vetëm grindje, por mençuria është me ata që këshillohen së bashku.» Në vend që me arrogancë të përpiqeni t’i zgjidhni gjërat vetë, flitni hapur për problemet financiare dhe pastaj bashkëpunoni.

Edhe fëmijët tuaj mund të ndihmojnë. Edgardoja, një baba në Argjentinë, tregon përvojën e familjes së tij: «Djali i vogël donte një biçikletë të re, por i shpjeguam pse nuk ia blinim dot. Në vend të saj, i dhamë biçikletën që kishte pasur gjyshi, të cilën e ngiste me shumë qejf. Mësova sa vlerë ka bashkëpunimi si familje.»

SUGJERIM: Përcaktoni një kohë që të flitni hapur dhe me qetësi për borxhin. Pranoni gabimet që mund të keni bërë. Por, në vend që të përqendroheni tek e kaluara, përpiquni të bini dakord për parimet që do t’ju drejtojnë në vendimet e ardhshme për çështjet financiare.​—Psalmi 37:21; Luka 12:15.

VËSHTIRËSIA 2: Duket e pamundur t’i shlyejmë borxhet.

«Isha zhytur thellë në borxhe për shkak të biznesit dhe gjendja u rëndua nga kriza ekonomike në Argjentinë,​—kujton Enriku.​—Më pas, gruaja duhej të operohej. Më dukej sikur nuk do t’i shlyeja kurrë borxhet, sikur kisha ngecur në një rrjetë merimange.» Një burrë me emrin Roberto në Brazil, humbi të gjitha kursimet në një sipërmarrje dhe u kishte borxhe 12 bankave. Ai thotë: «Më vinte aq turp, sa mezi u dilja përpara shokëve. Ndihesha si dështak.»

Ç’të bëni nëse ndiheni të mbytur nga shkurajimi, faji ose turpi për shkak të borxheve?

Një çelës i suksesit: Merrni nën kontroll buxhetin.

 *

1. Përcaktoni buxhetin aktual. Mbani shënim të gjitha paratë që hyjnë e dalin nga shtëpia për dy javë, ose për një muaj nëse është më praktike. Shtojini kësaj liste shpenzime të tilla, si: taksa, siguracione dhe veshje, të cilat mund të paguhen më rrallë, dhe përdorni një mesatare mujore për to.

2. Shtoni të ardhurat. Mund të bëni turne shtesë në punë, të kryeni punë sezonale, të mësoni dikë, të mblidhni materiale të riciklueshme ose të shfrytëzoni ndonjë hobi për të fituar të ardhura. Kujdes: Sigurohuni që puna të mos ndërhyjë në veprimtari më të rëndësishme, si ato që lidhen me besimin.

Gjeni mënyra praktike që ta përballoni borxhin si familje

3. Pakësoni shpenzimet. Blini diçka vetëm nëse ju duhet, jo vetëm se është me ulje. (Proverbat 21:5) Enriku, i cituar më sipër, thotë: «Është mirë të mos blesh nxitimthi, sepse kjo të ndihmon të vendosësh nëse të duhet vërtet apo thjesht ke qejf ta blesh.» Ja disa sugjerime të tjera.

  • Shtëpia: Brenda mundësive, transferohuni në një banesë me kosto më të ulët mujore. Pakësoni shpenzimet mujore duke kursyer energjinë elektrike, ujin dhe ngrohjen.

  •   Ushqimi: Në vend që të hani jashtë rregullisht, merreni me vete drekën ose një vakt të lehtë. Blini në tregje ku shitet me shumicë ose shfrytëzoni ofertat e veçanta ushqimore. Zhoelma që jeton në Brazil thotë: «Kursej me frutat e perimet nëse i blej në pazar pikërisht para se të mbyllet.»

  • Transporti: Nëse keni një automjet, shqyrtoni a ju duhet vërtet. Nëse vendosni ta mbani, mirëmbajeni në vend që të mendoni të blini një model më të ri. Përdorni transportin publik ose ecni sa herë që të mundeni.

Pasi të pakësoni shpenzimet, do të jeni gati t’i përdorni sa më mirë paratë që ju mbeten.

4. Analizoni borxhin dhe veproni. Së pari, për secilin borxh llogaritni normat e interesit, këstet, ndikimin e një pagese të vonuar ose të pakryer. Lexoni me kujdes huanë ose faturën, pasi kreditorët mund të jenë mashtrues. Për shembull, një shërbim huadhënieje afatshkurtër në SHBA pohonte se norma e interesit ishte 24 për qind, kur në fakt ishte mbi 400 për qind.

Më pas, vendosni cilat borxhe do të shlyeni në fillim. Një metodë është që të paguani në fillim borxhet me normat më të larta interesi. Një mundësi tjetër është që së pari të paguani shumat më të vogla që ju kanë mbetur për të shlyer, sepse kur ke më pak borxhe çdo muaj, ndihesh më i lehtësuar. Nëse keni hua me norma të larta interesi, mbase mund t’i shlyeni duke marrë një hua tjetër me normë më të ulët interesi.

Së fundi, nëse nuk i përmbushni dot detyrimet, përpiquni të bëni marrëveshje me kreditorët për mënyra të reja pagese. Mund të kërkoni të shtyhet afati i shlyerjes ose të ulet norma e interesit. Madje, disa kreditorë mund të jenë të gatshëm t’jua ulin borxhin, nëse e paguani menjëherë sasinë e re që caktohet. Silluni me ndershmëri dhe respekt kur shpjegoni gjendjen ekonomike. (Kolosianëve 4:6; Hebrenjve 13:18) Hidheni me shkrim çdo marrëveshje. Edhe nëse s’keni sukses me kërkesën e parë, mos ngurroni të këmbëngulni për ndonjë përshtatje tjetër po të jetë e nevojshme.​—Proverbat 6:1-5.

Pa dyshim, duhet të jeni realistë teksa administroni paratë. Edhe plani më i mirë mund të dështojë si pasojë e faktorëve përtej kontrollit tuaj, pasi shpesh paraja «merr krahë si të shqiponjës dhe fluturon tutje, drejt qiejve».​—Proverbat 23:4, 5.

SUGJERIM: Pasi të keni përgatitur një buxhet fillestar, diskutoni si mund t’i ulë ose t’i rritë të ardhurat secili në familje. Sakrificat e njëri-tjetrit do t’ju forcojnë që të luftoni së bashku kundër borxhit.

  VËSHTIRËSIA 3: Borxhet të shterojnë energjitë.

Beteja për të përballuar borxhet mund t’ia zërë vendin aspekteve më të rëndësishme të jetës. Ja si e përshkruan këtë një burrë me emrin Jorgo: «Problemi më i madh ishte se e gjithë jeta jonë vërtitej rreth borxheve. Çështjet që duhej të ishin parësore shkuan në fund të listës.»

Një çelës i suksesit: Mbajini paratë në vendin e duhur.

Pavarësisht nga përpjekjet tuaja më të mira, mund t’ju duhet të paguani kreditorët për vite me radhë. Ndërkohë, mund të zgjidhni si do ta shihni situatën. Në vend që të fiksohemi pas parave ose pas mungesës së tyre, tregohemi të mençur nëse ia vëmë veshin këshillës biblike: «Nëse kemi ç’të hamë, ç’të veshim e ku të futim kokën, le të kënaqemi me kaq.»​—1 Timoteut 6:8.

Kur kënaqemi me atë që kemi, provojmë një gëzim që s’ta japin gjërat materiale

Kur kënaqeni me atë gjendje ekonomike që keni, kjo ju lejon «të siguroheni për gjërat më të rëndësishme». (Filipianëve 1:10) Këto ‘gjëra më të rëndësishme’ përfshijnë miqësinë tuaj me Perëndinë dhe me familjen. Jorgoja, që u përmend më lart, thotë: «Ndonëse s’i kemi paguar krejtësisht borxhet, ato nuk janë më qendra e jetës sonë. Tani kemi martesë më të lumtur ngaqë kalojmë më tepër kohë me fëmijët, me njëri-tjetrin dhe përfshihemi më shumë së bashku në veprimtaritë frymore.»

SUGJERIM: Renditni në një listë gjërat që janë vërtet me vlerë për ju dhe që s’blihen dot me para. Më pas, përcaktoni si t’i kushtoni më shumë kohë dhe energji çdo gjëje në listë.

Problemet me borxhet shkaktojnë stres dhe përballimi i tyre kërkon sakrifica, por ia vlen të përpiqemi. Një bashkëshort me emrin Anzhei, në Poloni, pranon: «Kur mora vesh se gruaja kishte dalë garant që të shlyente një hua të madhe për një shoqe pune, e cila ishte zhdukur pa paguar, gjendja në shtëpinë tonë u tensionua shumë.» Por, kur kujton si reaguan të dy ndaj kësaj situate, ai thotë: «Ç’është e vërteta u lidhëm më tepër me njëri-tjetrin​—jo se na lidhi problemi, por ngaqë bashkëpunuam për ta zgjidhur.»

^ par. 3 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 17 Për më shumë sugjerime, shihni serinë «Paratë​—Si t’i administrojmë?» në revistën Zgjohuni! shtator 2011, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PYET VETEN . . .

  • Si ta ndihmoj familjen të shlyejë borxhet?

  • Si të mos lejojmë që borxhi ta mbytë e madje ta shkatërrojë marrëdhënien tonë?