BABAI i Janit pinte rëndshëm. Megjithëse Jani u rrit pa i munguar asgjë nga ana materiale, dëshironte fort të kishte mbështetje emocionale nga i ati, por s’e pati. «Asnjëherë s’ndjeva ndonjë përzemërsi të madhe për të, kryesisht ngaqë pinte dhe ngaqë s’e trajtonte mirë nënën»,​—thotë Jani. Kur u rrit, nisi të dyshonte për ekzistencën e Perëndisë. Ai arsyetonte: «Nëse Perëndia ekziston vërtet, pse i lejon njerëzit të vuajnë?»

Pse e bëjmë këtë pyetje?

Edhe pse mund të bësh një jetë deri diku pa probleme, mund të të vlojë ndjenja e drejtësisë kur sheh të pafajshmit që vuajnë. Sidoqoftë, pyetja për vuajtjet bëhet veçanërisht domethënëse nëse edhe ti, si Jani, ke përjetuar vetë vështirësi ose të sëmuret a të vdes një njeriu yt i shtrenjtë.

Cila është përgjigjja sipas disave?

Disa besojnë se Perëndia i lejon vuajtjet që të na vërë në provë e të na mësojë të jemi të përulur e të dhembshur. Të tjerë mendojnë se njerëzit vuajnë në këtë jetë për shkak të mëkateve në një jetë të mëparshme.

Ç’nënkuptojnë këto përgjigje?

Perëndia nuk preket nga vuajtjet njerëzore dhe kjo na e bën të vështirë ta duam. Perëndia është mizor.

Çfarë mëson Bibla?

Bibla e thotë qartë se nuk duhet fajësuar Perëndia për vuajtjet njerëzore. «Kur është nën sprovë, askush të mos thotë: ‘Po më sprovon Perëndia.’ Sepse Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (Jakovi 1:13) Në fakt, ideja se fajin për vuajtjet e ka Perëndia, nuk përputhet me mënyrën si e përshkruan Bibla personalitetin e Tij. Pse themi kështu?

Një nga cilësitë kryesore të Perëndisë është dashuria. (1 Gjonit 4:8) Për të theksuar këtë pikë, Bibla i krahason ndjenjat e Perëndisë me ato të një nëne që mënd. Perëndia pyet: «A mund ta harrojë një grua foshnjën e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut? Edhe sikur ato të harrojnë, unë nuk do të të harroj.» (Isaia 49:15) A e përfytyron dot një  nënë të dashur të dëmtojë qëllimisht fëmijën e vet? Përkundrazi, një prind i kujdesshëm do të përpiqej t’ia lehtësonte vuajtjet fëmijës. Po kështu, Perëndia nuk i shkakton vuajtje njerëzve të pafajshëm.​​—Zanafilla 18:25.

Edhe pse Perëndia interesohet, njerëzit e pafajshëm po vuajnë. Ndoshta pyet veten: «Nëse Perëndia interesohet për ne dhe është i plotfuqishëm, pse nuk i zhduk shkaqet e vuajtjeve?»

Perëndia ka arsye të forta pse i lejon vuajtjet sot për sot. Le të shohim vetëm një arsye: shpesh janë njerëzit ata që u shkaktojnë vuajtje të tjerëve. Shumë prepotentë e tiranë që shkaktojnë dhembje nuk duan të ndryshojnë rrugë. Prandaj, që Perëndia të zhdukë një shkak madhor të vuajtjeve, do t’i duhet të shkatërrojë këta lloj njerëzish.

Kur shpjegoi pse Perëndia s’i ka shkatërruar akoma ata që bëjnë të këqija, apostulli Pjetër shkroi: «Jehovai nuk është i ngadalshëm në lidhje me premtimin e tij, siç e konsiderojnë ngadalësinë disa njerëz, por është i durueshëm me ju, sepse nuk dëshiron që të shkatërrohet ndonjë, por dëshiron që të gjithë të arrijnë pendimin.» (2 Pjetrit 3:9) Durimi i Perëndisë Jehova tregon se ka një personalitet shumë të dashur e të mëshirshëm.

Por, së shpejti, Perëndia Jehova do të veprojë. Ai ‘do t’i shpaguajë me shtrëngim ata që i shtrëngojnë’ të pafajshmit. Ata që padrejtësisht shkaktojnë vuajtje, «do të ndëshkohen me shkatërrim të përhershëm».​—2 Selanikasve 1:6-9.

Jani, i cituar më lart, gjeti përgjigje të kënaqshme për pyetjet rreth vuajtjeve. Ajo që mësoi, i ndryshoi pikëpamjen për jetën. Lexo përvojën e tij në artikullin tjetër «Bibla të ndryshon jetën».