Kur përballen me probleme, disa njerëz përpiqen ta shpërfillin realitetin dhe nuk arsyetojnë në mënyrë logjike. Ata mashtrojnë veten duke iu kthyer gjërave që u japin lehtësim emocional të përkohshëm. Për shembull, disa pinë alkool që të harrojnë problemet. Në fillim alkooli mund t’ua shtojë besimin te vetja e t’i bëjë të ndihen më të aftë për të përballuar sfidat e jetës. Por, me kalimin e kohës, ata që i varin shpresat te alkooli dëmtojnë veten. A mund të thuhet e njëjta gjë edhe për besimin te Perëndia?

Disa e barazojnë besimin me naivitetin. Ata thonë se njerëzit që zgjedhin të besojnë te Perëndia s’duan të logjikojnë vetë ose të lejojnë që dëshmitë e qarta të ndikojnë te bindjet e tyre. Këta skeptikë lënë të kuptohet se njerëzit me besim të fortë shpërfillin realitetin.

Bibla flet shumë për besimin. E prapëseprapë askund nuk na nxit të jemi mendjelehtë ose naivë. As i justifikon ata që nuk duan të vënë mendjen në punë. Përkundrazi, i quan të papërvojë, madje të marrë, ata që i besojnë çdo fjale. (Proverbat 14:15, 18) Vërtet, sa e marrë do të ishte të pranonim një ide si të mirëqenë pa verifikuar faktet! Do të ishte si të mbyllnim sytë e të përpiqeshim të kalonim një rrugë që ka trafik thjesht sepse dikush na thotë ta bëjmë.

Në vend që të nxitë besimin e verbër, Bibla na nxit t’i mbajmë hapur sytë e figurshëm që të mos mashtrohemi. (Mateu 16:6) I mbajmë sytë hapur duke përdorur ‘fuqinë tonë për të arsyetuar’. (Romakëve 12:1) Bibla na stërvit të arsyetojmë rreth dëshmive dhe të arrijmë në përfundime logjike të bazuara në fakte. Ja disa shembuj nga ajo që ka shkruar apostulli Pavël.

Kur Pavli u shkroi pjesëtarëve të kongregacionit të Romës, nuk donte që ata të besonin te Perëndia thjesht se ua thoshte ai. Përkundrazi, i nxiti të shqyrtonin dëshmitë që tregojnë se Perëndia është real. Ai shkroi: «Cilësitë e tij [të Perëndisë] të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra, prandaj ata [që mohojnë autoritetin e Perëndisë] nuk kanë asnjë justifikim.» (Romakëve 1:20) Pavli përdori një linjë të ngjashme arsyetimi edhe kur u shkroi hebrenjve. «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush,​—tha Pavli,​—por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.» (Hebrenjve 3:4) Në një letër drejtuar të krishterëve në qytetin e Selanikut, ai i nxiti të zgjidhnin me kujdes atë që do të besonin. Donte që ‘të siguroheshin për të gjitha gjërat’.​—1 Selanikasve 5:21.

Besimi mund të jetë një mburojë që na mbron

Besimi te Perëndia që nuk është i bazuar në dëshmi logjike mund të bëhet një formë vetëmashtrimi, e atillë që e bën dikë të gënjehet e të dëmtohet. Për disa njerëz fetarë të kohës së tij, Pavli shkroi: «Unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë së saktë.» (Romakëve 10:2) Sa jetësore është, pra, të zbatojmë këshillën që i dha Pavli kongregacionit të Romës! Ai shkroi: «Shndërrohuni, duke përtërirë mendjen tuaj, që të vërtetoni se cili është vullneti i mirë, i pranueshëm e i përsosur i Perëndisë.» (Romakëve 12:2) Nëse besimi ynë bazohet në njohurinë e saktë për Perëndinë, nuk do të jetë vetëmashtrim, por një ‘mburojë e madhe’ që na mbron nga dëmet emocionale dhe frymore.​—Efesianëve 6:16.