Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Jeta në kohët biblike—Bariu

Jeta në kohët biblike—Bariu

«Ai do ta kullotë kopenë e tij si një bari. Do t’i mbledhë qengjat me krahun e tij e do t’i mbajë në gji.»—ISAIA 40:11.

BARINJTË përmenden dhjetëra herë në Bibël, që nga libri i parë, Zanafilla, e deri te libri i fundit, Zbulesa. (Zanafilla 4:2; Zbulesa 7:17) Barinj ishin edhe burra me emër, si: Abrahami, Moisiu dhe mbreti David. Psalmisti David i shprehu bukur përgjegjësitë dhe shqetësimet e një bariu të mirë. Edhe një psalm i Asafit e përmend Davidin si bari të popullit të Perëndisë në kohët e lashta.—Psalmi 78:70-72.

Edhe më vonë, në ditët e Jezuit, puna si bari ishte ende e rëndësishme. Jezui tha për veten se ishte «bariu i shkëlqyer» dhe shpesh përdori cilësitë e një bariu të mirë që të përcillte mësime jetësore. (Gjoni 10:2-4, 11) Edhe i Plotfuqishmi, Perëndia Jehova, krahasohet me «një bari».—Isaia 40:10, 11; Psalmi 23:1-4.

Për cilat kafshë kujdesej bariu? Çfarë përfshinte puna e tij? Dhe ç’mund të mësojmë nga ata punëtorë të palodhur?

Dele e dhi

Ka të ngjarë që barinjtë e kohëve të lashta të kujdeseshin, midis të tjerash, edhe për delet siriane të llojit bishtgjerë, të cilat kanë bisht të madh e të dhjamosur dhe lesh të dendur. Deshtë e kësaj race kanë brirë, kurse delet jo. Këto kafshë të bindura drejtohen  kollaj dhe janë krejtësisht në mëshirë të mjedisit e të kafshëve grabitqare.

Barinjtë kujdeseshin edhe për dhitë, që ishin të zeza ose kafe. Veshët e tyre të gjatë e të varur çirreshin lehtë nëpër gjemba e driza, teksa kacavareshin në faqet shkëmbore të kodrave e teksa kullotnin nëpër shkurrnaja.

Bariu haste sfidën e vazhdueshme që t’i mësonte delet e dhitë t’u bindeshin urdhrave të tij. Megjithatë, barinjtë e mirë kujdeseshin me butësi për kafshët që kishin nën mbikëqyrje, madje u vinin emra ndaj të cilëve kafshët reagonin.—Gjoni 10:14, 16.

Stinët e bariut

Në pranverë, çdo ditë bariu mund ta merrte tufën nga vatha afër shtëpisë së tij dhe ta çonte të kulloste në barin e njomë të lëndinave të fshatit. Gjatë kësaj stine, kopeja zgjerohej nga qengjat e kecat e sapolindur. Gjithashtu, në këtë kohë punëtorët ua qethnin deleve leshin e dimrit, e ky ishte rast feste.

Ndoshta disa banorë të fshatit kishin pak dele. Prandaj merrnin me mëditje një bari që e bashkonte tufën e vogël me një tufë tjetër. Mëditësit kishin namin se nuk shqetësoheshin aq shumë për kafshët e të tjerëve sa për të vetat.—Gjoni 10:12, 13.

Pasi korreshin fushat afër fshatit, bariu i linte delet të hanin bisqet e njoma dhe drithin e mbetur nëpër kashtë. Kur vinte nxehtësia e verës, bariu i çonte tufat në kullota më të freskëta në vende më të larta. Për ditë me radhë, ai punonte e flinte jashtë. Kështu, kopetë kullotnin në shpatet e pjerrëta plot gjelbërim dhe natën, ai ruante stanet e hapura. Ndonjëherë bariu mund t’i strehonte kopetë në një shpellë gjatë natës, ku ishin të mbrojtura nga çakejtë dhe hienat. Nëse gjatë natës delet i trembte ulërima e ndonjë hiene, bariu i qetësonte me zërin e butë e të ngrohtë.

Çdo mbrëmje, bariu i numëronte delet dhe sigurohej që të ishin mirë. Në mëngjes i thërriste dhe tufa e ndiqte drejt kullotave. (Gjoni 10:3, 4) Në mesditë bariu i çonte kafshët në vende me ujë të ftohtë. Kur uji shteronte, bariu i çonte te një pus dhe nxirrte ujë për to.

Nga fundi i stinës së thatë, ndoshta bariu i çonte kopetë në lugina e në rrafshina bregdetare. Kur nisnin shirat e ftohtë, ai i kthente sërish kopetë që ta kalonin dimrin brenda.  Përndryshe, kafshët mund të merrnin fund jashtë në shirat me gjyma, stuhitë me breshër e dëborë. Që nga nëntori, deri në pranverë, bariu nuk i nxirrte kopetë të kullotnin jashtë.

Të pajisur për punë

Veshja e bariut ishte e thjeshtë, por e fortë. Që të mbrohej nga shiu dhe nga acari i natës, ai mund të vishte një mantel të bërë me lëkurë deleje, me leshin e kthyer nga brenda. Si veshje të brendshme mbante një tunikë. Sandalet i mbronin këmbët nga gurët e mprehtë e nga gjembat, kurse kokën e mbështillte me një copë të leshtë.

Pajimet e bariut zakonisht përfshinin: një trastë ose çantë lëkure ku mbante ushqimet, si bukë, ullinj, fruta të thata dhe djathë; një shkop, që ishte armë e fortë, zakonisht një metër i gjatë, me një gungë në fund ku ishin ngjitur gurë të mprehtë; një thikë; një bastun ku bariu mbështetej tek ecte ose ngjitej; një calik uji; një kovë lëkure të palosshme për të nxjerrë ujë nga puset e thella; një hobe me të cilën hidhte gurë pranë deleve a dhive që t’i kthente në tufë kur largoheshin ose që t’i përzinte egërsirat që futeshin vjedhurazi në kope; dhe një pipëz me të cilën luante melodi për qejf dhe për të qetësuar tufën.

Si shpërblim për kujdesin e bariut, kafshët siguronin gjëra të nevojshme. Ndër to ishin produkte si qumësht e mish për ushqim. Lëkura dhe leshi përdoreshin për rroba e shishe dhe si mall me vlerë këmbimi. Leshi i dhive tirrej për të bërë veshje dhe, si delet e dhitë përdoreshin për flijime.

Një model për t’u ndjekur

Barinjtë e mirë ishin të përkushtuar, të besueshëm dhe të guximshëm. Madje rrezikonin jetën që të mbronin kopenë.—1 Samuelit 17:34-36.

Nuk habitemi pse Jezui dhe dishepujt e tij e përdorën bariun si model për mbikëqyrësit e krishterë. (Gjoni 21:15-17; Veprat 20:28) Si bariu i mirë në kohët biblike, mbikëqyrësit e kongregacionit sot përpiqen ta ‘kullotin kopenë e Perëndisë që është nën kujdesin e tyre, jo me detyrim, por vullnetarisht, as për përfitim të pandershëm, por me gatishmëri’.—1 Pjetrit 5:2.