Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Afrojuni Perëndisë

«Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti?»

«Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti?»

ÇFARË pret Jehovai nga ata që dëshirojnë ta adhurojnë në mënyrën e duhur? A kërkon përsosmëri, pra duke na e bërë të pamundur ne njerëzve të papërsosur që ta kënaqim? Apo pret vetëm atë që është brenda mundësive tona? Përgjigjet e këtyre pyetjeve janë jetësore nëse duam t’i shërbejmë Perëndisë me gëzim. Le të shohim nga afër si i përmblodhi profeti Mikea kërkesat e Perëndisë.​—Lexo Mikenë 6:8.

«Ai të ka thënë . . . se çfarë është e mirë.» S’ka pse të hamendemi se çfarë pret Perëndia nga ne. Ai na i ka treguar qartë kërkesat e tij në Bibël. Ajo që kërkon Perëndia nga ne «është e mirë». S’ka si të jetë ndryshe. «Perëndia është dashuri», prandaj ka për zemër më të mirën tonë. (1 Gjonit 4:8; 5:3) Kur ia vëmë veshin kërkesave të tij, jo vetëm e kënaqim atë, por edhe ne vetë nxjerrim dobi.​—Ligji i përtërirë 10:12, 13.

«Çfarë kërkon në këmbim Jehovai nga ti?» A ka të drejtë Perëndia të kërkojë diçka nga ne në këmbim? Patjetër që po! I detyrojmë atij bindjen tonë, pasi është Burimi dhe Mbështetësi i jetës. (Psalmi 36:9) Atëherë, çfarë kërkon nga ne në këmbim? Mikea i përmbledh kërkesat e Perëndisë me tri shprehje. Dy të parat përfshijnë kryesisht marrëdhënien tonë me të tjerët, kurse e treta përfshin marrëdhënien që kemi me Perëndinë.

«Të tregosh drejtësi.» Sipas një vepre referimi, fjala «drejtësi» në hebraisht «përfshin marrëdhëniet e drejta me njerëzit që na rrethojnë». Perëndia na kërkon t’i trajtojmë të tjerët sipas drejtësisë që përcaktojnë normat e tij. Tregojmë drejtësi duke qenë të paanshëm, të ndërgjegjshëm dhe të ndershëm në marrëdhëniet me të tjerët. (Levitiku 19:15; Isaia 1:17; Hebrenjve 13:18) Kur sillemi me drejtësi ndaj të tjerëve, kjo mund t’i nxitë ata të sillen po njësoj ndaj nesh.​—Mateu 7:12.

«Të duash mirëdashjen.» Perëndia nuk kërkon thjesht ta tregojmë mirëdashjen, por edhe ta duam atë. Fjala hebraike e përkthyer «mirëdashje» (ħésedh) mund të përkthehet edhe «dashamirësi» ose «dashuri besnike». Një studiues biblik thotë: «Dashuria, mëshira dhe mirëdashja nuk e përcjellin të plotë kuptimin e fjalës [ħésedh]; ajo nuk përfshin vetëm njërën nga këto virtyte, por të gjitha së bashku.» Nëse e duam këtë cilësi, e tregojmë mirëdashjen me gatishmëri; kënaqemi duke ndihmuar ata në nevojë. Si rrjedhojë, përjetojmë lumturinë që vjen kur japim.​—Veprat 20:35.

«Të jesh modest ndërsa ecën me Perëndinë tënd.» Në Bibël shprehja «të ecësh» ka kuptimin «të ndjekësh një drejtim të caktuar». Ecim me Perëndinë duke e drejtuar jetën sipas asaj që ai ka përcaktuar në Bibël. Duhet ‘të jemi modestë’ teksa ndjekim këtë drejtim. Në ç’mënyrë? Kur jemi modestë para Perëndisë, kuptojmë në mënyrë realiste sa të vegjël e mëkatarë jemi në krahasim me të dhe i pranojmë kufizimet tona. Prandaj, ‘të ecësh me modesti’ do të thotë të kesh një pikëpamje realiste për atë që kërkon ai dhe për atë që mund të japim.

Sa mirënjohës jemi që Jehovai s’kërkon kurrë më tepër nga ç’mund të japim! Ai kënaqet kur i shërbejmë me gjithë shpirt. (Kolosianëve 3:23) I kupton kufizimet tona. (Psalmi 103:14) Kur edhe ne mësojmë t’i pranojmë ato me modestinë e duhur, do të jemi të gëzuar teksa ecim me të. Pse të mos mësosh si të ecësh me Perëndinë? Kjo do të të sjellë bekime të pasura prej tij.​—Proverbat 10:22.

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë nëntorit:

Joeli 1Mikea 7