«ASKUSH s’e ka parë asnjëherë Perëndinë»,—thotë Bibla. (Gjoni 1:18) Pamja e Perëndisë është kaq e lavdishme, sa asnjë krijesë prej mishi e gjaku nuk mund ta shohë dhe të mbetet në jetë. (Dalja 33:20) Megjithatë, në disa raste të dokumentuara, Jehovai u dha një vegim disa burrave të zgjedhur ku përshkruhej një pamje e qiellit. Një nga këta burra ishte profeti Daniel. Pa dyshim, ai u mbush me nderim nga ajo që pa, siç duhet të ndodhë edhe me ne. Shiko si e përshkruan Danieli këtë vegim që pati privilegjin të shihte. *​—Lexo Danielin 7:9, 10.

«I Lashti i Ditëve.» Titulli «I Lashti i Ditëve», që e përdor vetëm Danieli, tregon për «dikë të shkuar në moshë (ose të moçëm)». (Danieli 7:9, 13, 22) Sa i moçëm është Jehovai? Meqë është «Mbreti i përjetësisë», ekzistenca e tij shtrihet pafundësisht në të kaluarën dhe përgjithmonë në të ardhmen. (1 Timoteut 1:17; Juda 25) Ekzistenca e përjetshme e Perëndisë na siguron se ka mençuri të pakufishme, pasi Bibla e lidh moshën me mençurinë. (Jobi 12:12) Kuptohet, është e vështirë që mendja jonë e kufizuar ta konceptojë ekzistencën e përjetshme. Por, a duhet të presim vërtet që ta kuptojmë Perëndinë që ka mençuri të pashoqe?​—Romakëve 11:33, 34.

Vër re se i Lashti i Ditëve «u ul». Për ç’qëllim? Vargjet përreth na japin disa të dhëna duke përdorur terma të tillë, si «Trupi Gjykues» dhe «gjykimi». (Danieli 7:10, 22, 26) Kështu, në vegim Jehovai ishte ulur si Gjykatës. Kë do të gjykonte? Kombet e tokës, që më parë në vegimin e Danielit përshkruhen si bisha. * (Danieli 7:1-8) Çfarë Gjykatësi është Jehovai?

«Rrobat i kishte të bardha si bora dhe flokët e kokës si lesh i pastër.» E bardha është simbol i drejtësisë dhe i pastërtisë. Leshi i disa lloje delesh është i bardhë. Kështu, flokët ngjashëm leshit janë të bardhë. A e imagjinon dot çfarë pa Danieli? A e përfytyron dot një Gjykatës flokëbardhë, ndoshta me një veshje të bardhë si bora? Këto përshkrime na sigurojnë se gjykimet e Jehovait janë të drejta e të mençura. Ai është Gjykatësi që meriton besimin dhe respektin tonë më të thellë.

Ai është Gjykatësi që meriton besimin dhe respektin tonë më të thellë

«Një mijë mijëra i shërbenin dhe dhjetë mijë herë dhjetë mijë qëndronin pikërisht përpara tij.» Kush janë këta shërbëtorë qiellorë? Bibla i identifikon engjëjt si ‘shërbëtorët e tij [të Perëndisë]’. (Psalmi 104:4) Ndoshta me qindra milionë në numër, engjëjt e Perëndisë janë të angazhuar ‘duke përmbushur fjalën e tij’ dhe ‘duke kryer vullnetin e tij’. (Psalmi 103:20, 21) A s’është kjo një provë tjetër e mençurisë së pakufishme të Perëndisë? Kush tjetër veç Jehovait mund ta mbajë këtë ushtri të stërmadhe qiellore, të organizuar dhe të angazhuar për një kohë jashtëzakonisht të gjatë?

Vegimi i Danielit na nxit të kemi besim te Jehovai, i Lashti i Ditëve. Gjykimet e tij janë të drejta dhe mençuria e tij është e besueshme. Pse të mos mësosh më tepër si t’i afrohesh këtij Perëndie tejet të mençur?

Sugjerim për leximin e Biblës gjatë tetorit:

Danieli 4-12Hozea 1-14

^ par. 3 Danieli nuk e pa vërtet Perëndinë. Përkundrazi, Perëndia i nguliti pamje të gjalla në mendje. Më pas, kur përshkroi vegimin, Danieli përdori figura letrare, përfshirë antropomorfizmat​—përshkrime të Perëndisë me tipare njerëzore. Këto përshkrime na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë Perëndinë dhe nuk duhen marrë në kuptimin e mirëfilltë.

^ par. 5 Për një trajtim të vegimit të bishave që pa Danieli, shih librin Kushtoju vëmendje profecive të Danielit!, kapitullin 9, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.