Ky artikull shqyrton pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.

1. Pse duket e shkurtër jeta?

Disa breshka jetojnë 150 vjet dhe disa pemë 3.000 vjet. Krejt ndryshe, jeta e njerëzve është shumë më e shkurtër. Sidoqoftë, jeta jonë mund të ketë shumë më tepër kuptim se jeta e një breshke a e një peme. Perëndia Jehova i krijoi njerëzit me aftësinë që të kënaqen kur merren me muzikë, sporte, kur hanë ushqim, kur mësojnë, udhëtojnë dhe kur takojnë njerëz të tjerë. Perëndia na ka vënë në zemër dëshirën për të jetuar pafundësisht.​—Lexo Eklisiastiun 3:11.

2. A është vërtet e mundur të jetojmë përgjithmonë?

Jehovai jeton përgjithmonë. Ai nuk vdes. Si Burimi i jetës është në gjendje t’u japë të tjerëve jetë të përhershme. (Psalmi 36:9; Habakuku 1:12) Për më tepër, ai ka premtuar t’u japë jetën e përhershme atyre që i binden. Ai do ta kthejë mbrapsht procesin e plakjes.​—Lexo Jobin 33:24, 25; Isainë 25:8; 33:24.

Me veprat e fuqishme që bëri, Jezui tregoi se mund t’i besojmë premtimit të Perëndisë për një jetë të përhershme me shëndet të përsosur. Jezui shëroi mjaft lloje sëmundjesh, dhe madje ringjalli të vdekur.​—Lexo Lukën 7:11-15, 18, 19, 22.

 3. Kur do të bëhet realitet jeta e përhershme?

Perëndia dëshiron që të jetojmë përgjithmonë, jo në një botë plot shtypje e dhunë, por në një tokë parajsore. Ai dëshiron që të ndihemi të sigurt. (Psalmi 37:9, 29; Isaia 65:21, 22) Ndërkohë që toka bëhet sërish Parajsë, miliona të vdekur do të kthehen në jetë. Njerëzit e ringjallur që do të zgjedhin të adhurojnë Perëndinë dhe t’i binden atij, do të jetojnë përgjithmonë.​—Lexo Lukën 23:42, 43; Gjonin 5:28, 29.

4. Si mund ta fitojmë jetën e përhershme?

Ia vlen të bësh përpjekje për ta njohur Perëndinë

Vetëm Perëndia mund të na japë jetë pa fund. Prandaj është mirë t’i afrohemi atij duke e njohur. Sipas Biblës, të marrësh njohuri është si të hash ushqim. (Mateu 4:4) Të hash ushqim është e kënaqshme, por ta sigurosh dhe ta përgatitësh, kërkon përpjekje. Në mënyrë të ngjashme, të ushqehesh nga Fjala e Perëndisë, kërkon përpjekje. Por, a ka gjë më me vlerë se t’i afrohesh Perëndisë dhe të marrësh jetën e përhershme?​—Lexo Lukën 13:23, 24; Gjonin 6:27; 17:3.