«Kur shoh si trajtohen gratë, nuk kam fare dëshirë të rritem.»​—ZAKRA, 15 VJEÇE, e cituar në revistën GEO, botim në frëngjisht.

FJALËT e vajzës, që citohen më sipër, shpalosin një realitet të zymtë: në mbarë botën, dhuna e diskriminimi s’u ndahen vajzave dhe grave gjatë gjithë jetës. Shqyrto këto fakte.

  • Diskriminimi gjinor. Në Azi shumica e prindërve preferojnë të kenë djem e jo vajza. Sipas një raporti të OKB-së për vitin 2011, popullsia në këtë pjesë të botës kishte afro 134 milionë gra më pak për shkak të abortit, vrasjes foshnjore dhe për shkak të lënies pas dore.
  • Arsimimi. Në mbarë botën, gratë dhe vajzat përbëjnë dy të tretat e njerëzve me më pak se katër klasë shkollë.
  • Ngacmimi seksual. Mbi 2,6 miliardë gra jetojnë në vende ku përdhunimi nga bashkëshorti ende nuk konsiderohet krim.
  • Shëndeti. Në vendet në zhvillim, afërsisht çdo dy minuta një grua vdes nga ndërlikimet gjatë shtatzënisë ose gjatë lindjes ngaqë nuk merr kujdesin e duhur mjekësor.
  • Të drejtat për pronën. Megjithëse gratë kultivojnë më tepër se gjysmën e prodhimeve në mbarë botën, në shumë vende ato nuk kanë të drejta ligjore për të zotëruar një pronë ose për të trashëguar tokën.

Pse u mohohen këto të drejta themelore grave? Disa kultura ndjekin praktika e bindje fetare që nxitin ose madje justifikojnë abuzimin dhe dhunën ndaj grave. Një gazetë franceze citonte një avokate indiane, Çandra Rami Çopra, e cila thoshte: «Të gjitha ligjet fetare kanë diçka të përbashkët: mbështetin diskriminimin ndaj grave.»

A mendon edhe ti kështu? A mendon se Bibla i nënvlerëson gratë, siç bëjnë shumë libra të tjerë fetarë? Disave u duket se ca vargje biblike japin këtë përshtypje. Por, ç’pikëpamje ka për gratë Perëndia i Biblës? Megjithëse për shumë veta kjo është temë delikate, po ta analizojmë me kujdes dhe me mendje të hapur atë që thotë Bibla, do të arrijmë të gjejmë përgjigjen.