Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Tani e njoh Perëndinë që adhuroj

Tani e njoh Perëndinë që adhuroj

Na erdhi për vizitë një evangjelist pentekostal për të cilin thuhej se kishte fuqi të shëronte. Kur më preku, u rrëzova pa ndjenja, «e pushtuar nga fryma e shenjtë». Pasi erdha në vete, dukej se kisha atë që doja: fuqinë për të shëruar. Si arrita deri këtu dhe si ndikoi kjo në jetën time? Para se t’ju flas për këtë, më lejoni t’ju tregoj për të kaluarën time.

LINDA në Ilokos-Norte, Filipine, më 10 dhjetor 1968, e shtata nga dhjetë fëmijët. Si shumica e filipinasve, u rritëm si katolikë. Mbarova shkollën e mesme në vitin 1986 dhe ambicia ime ishte të bëhesha infermiere. Mirëpo, ajo ëndërr nuk u realizua, sepse u sëmura rëndë. Sinqerisht, mendova se do të vdisja. Nga dëshpërimi, iu përgjërova Perëndisë për ndihmë dhe i premtova se, po të shërohesha, do t’i shërbeja gjithë jetën.

Pasi m’u desh një kohë e gjatë për të marrë veten, e mbajta mend premtimin që i bëra Perëndisë. Kështu që, në qershor 1991 u futa në një shkollë biblike pentekostale. Thuhej se gjatë shkollës do të merrnim edhe «dhuratën falas të frymës së shenjtë». Doja ta kisha fuqinë për të shëruar. Shkolla na mësoi se kjo mund të arrihej me anë të agjërimit dhe të lutjeve. Njëherë, ngaqë doja të jepja përshtypjen se kisha një «dhuratë», dëgjova fshehtas një shoqe klase tek lutej me zë të lartë në një qoshe gjatë një seance lutjeje. Kur po mbaronte, u ktheva shpejt atje ku kisha qenë e gjunjëzuar. Më pas, i thashë saktësisht atë që kishte kërkuar në lutje dhe ajo e besoi se tani kisha «dhuratën falas».

Ndërsa vazhdoja shkollën, kisha shumë pyetje. Për shembull, Mateu 6:9 flet për ‘Atin’ dhe për ‘emrin’ e tij. Bëja pyetje të tilla, si: «Kush është Ati që përmendi Jezui?» dhe «Emri i kujt duhet shenjtëruar?» Shpesh, përgjigjet e instruktorëve ishin mjaft të mjegullta dhe s’më kënaqnin. Ata flitnin për Trinitetin dhe thoshin se është mister. Ky argument më dukej goxha pështjellues. Pavarësisht nga kjo, e vazhdova stërvitjen si pastore.

Takoj Dëshmitarët e Jehovait

Në shkollën biblike, na mësuan se Dëshmitarët e Jehovait nxitnin fenë e rreme më të keqe. Gjithashtu thuhej se ishin antikrishti, prandaj ndieja neveri për këtë fe.

Kur kishim pushim gjatë vitit të dytë të shkollës, shkova të takoja prindërit. Njëra nga motrat e mëdha, Karmeni, mori vesh për vizitën time dhe erdhi edhe ajo në shtëpi. Tashmë ishte pagëzuar si Dëshmitare e Jehovait dhe predikonte në kohë në plotë. Kur u përpoq të më mësonte për Perëndinë, ia ktheva gjithë tërbim: «Unë e njoh Perëndinë të cilit i shërbej!» Pasi e ofendova me zë të  lartë, e shtyva tutje dhe s’i dhashë më mundësi të më fliste.

Kur u ktheva në shkollë, Karmeni më dërgoi një kopje të broshurës A duhet të besosh në Trinitet? * Menjëherë e bëra shuk dhe e vërvita në zjarr. Isha ende e zemëruar me të.

Përparoj si pastore

Diplomimi si pastore

Teksa vazhdoja studimet në shkollën biblike, arrita të ktheja disa në fenë time. Isha veçanërisht krenare kur nëna dhe vëllai u bashkuan me mua në fenë pentekostale.

Në mars të vitit 1994, u diplomova në shkollën biblike pentekostale. Siç e përmenda në fillim, në atë kohë na erdhi për vizitë një evangjelist. Të gjithë ne të diplomuarit donim të rrinim me të, sepse besonim se kishte dhuratën e shërimit. Shkuam tek ai në podium dhe e imitonim duke u hedhur e duke përplasur duart sipas ritmit të një grupi muzikor. Më pas, këdo që e prekte, rrëzohej përtokë, «i pushtuar nga fryma e shenjtë». * Kur më preku, edhe unë u rrëzova pa ndjenja. Pasi erdha në vete, isha e frikësuar, por e ndieja se tani kisha fuqinë e shërimit, ndaj isha e lumtur.

Shpejt e përdora këtë fuqi që të shëroja një fëmijë të sëmurë me ethe të forta. Kur ofrova një lutje, menjëherë fëmija nisi të djersiste dhe ethet iu zhdukën. Më në fund e ndjeva se mund ta përmbushja premtimin ndaj Perëndisë. Por, çuditërisht, ndieja njëfarë boshllëku. Thellë brenda meje, mendoja se kishte vetëm një Perëndi, por nuk e njihja vërtet. Përveç kësaj, më brenin dyshime për mjaft doktrina të kishës.

E përdora këtë fuqi që të shëroja një fëmijë të sëmurë me ethe të forta

Ndryshoj mendim

Pas atyre ngjarjeve, m’u shtua urrejtja për Dëshmitarët e Jehovait. Sa herë që gjeja botime të tyre, i digjja. Më vonë, ndodhi diçka e papritur. U trondita kur mora vesh se nënës s’i pëlqente më feja pentekostale. Karmeni kishte studiuar Biblën me të. Sa e zemëruar isha me motrën!

Më pas, gjeta një revistë Zgjohuni! në shtëpinë e nënës. Normalisht do ta digjja. Por, kureshtja për atë që lexonte nëna më nxiti ta shfletoja. Më zunë sytë një artikull për dikë që kishte qenë besimtar i flaktë i mësimeve të kishës. Sidoqoftë, kur kishte lexuar botimet e Dëshmitarëve bashkë me Biblën, ishte bindur se mësimi i Trinitetit, i ferrit të zjarrtë dhe i pavdekësisë së shpirtit nuk ishin të bazuara në shkrime. Kjo më preku zemrën. Pikërisht këto gjëra doja të kuptoja. Që atëherë, mezi pritja të kuptoja të vërtetën biblike.

Lexova një tjetër jetëshkrim në revistën Zgjohuni! për dikë që kishte qenë nën varësinë e alkoolit e të drogës dhe që kishte bërë goxha ndryshime për mirë, pasi studioi  Biblën. Më vonë, nisa të lexoja botime të tjera të Dëshmitarëve. Gjeta një broshurë me titull Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë. * Aty mësova se emri i Perëndisë është Jehova. Sa u kënaqa që mësova të vërtetën për të vetmin Perëndi të vërtetë!​—Ligji i përtërirë 4:39; Jeremia 10:10.

Sa u kënaqa që mësova të vërtetën për të vetmin Perëndi të vërtetë!

Vazhdova të lexoja fshehurazi e të mësoja shumë të vërteta të tjera biblike. Për shembull, në shkollën pentekostale më kishin mësuar se Jezui është Perëndia, por mësova nga Bibla se ai është «Biri i Perëndisë së gjallë».​—Mateu 16:15, 16.

Më ndryshon jeta

Kur e takova sërish Karmenin, u habit që i kërkova broshurën Emri hyjnor që do të qëndrojë përgjithmonë, si edhe botime të tjera. Kisha kaluar vite të tëra në atë shkollë biblike, por nuk më kishin mësuar të vërtetën. Kisha qenë e verbër. Tani zemra më gufonte nga gëzimi për të vërtetat që po mësoja nga Bibla. I përjetova thellë fjalët e Jezuit: «Do ta njihni të vërtetën, dhe e vërteta do t’ju lirojë.» (Gjoni 8:32) Ato të vërteta po më ndryshonin jetën.

Këto të vërteta po më ndryshonin jetën

Për njëfarë kohe, mendova se mund ta adhuroja fshehtas Perëndinë Jehova e njëkohësisht të vazhdoja si pastore. Shpejt kuptova se shumë nga doktrinat e kishës s’mund t’ua mësoja më të tjerëve. Gjithsesi kisha frikë. Si do ta siguroja jetesën po të mos vazhdoja si pastore? Ç’turp do të ishte për kishën nëse një nga pastorët e tyre bëhej Dëshmitare e Jehovait! Kështu vazhdova të jepja mësim si pastore, por doktrinat e rreme të kishës i shmangia.

Alma-Presiosa studioi Biblën me mua

Kur e takova sërish motrën, Karmenin, më sugjeroi të shkoja në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait. Meqë zakonisht paraqitesha te kisha kryesore në qytetin e Lavagut, kërkova fshehurazi vendin ku mblidheshin Dëshmitarët e Jehovait, Sallën e Mbretërisë. Më prezantuan me Alma-Presiosa Viljarinin, që e thërritnin Preshës (e çmuar), e cila ishte predikuese në kohë të plotë në atë kongregacion. Ndonëse ende mendoja keq për Dëshmitarët, e pranova ofertën e saj për të studiuar Biblën.

Motra ime ishte treguar shumë e duruar kur më fliste për të vërtetat biblike. Tani e pashë sërish këtë durim te Alma-Presiosa. Ajo më ndihmoi tej mase të kuptoja Biblën, madje edhe kur acarohesha, kur përpiqesha të debatoja me të dhe kur ngrija zërin duke  këmbëngulur për disa nga gjërat që më kishin mësuar në të kaluarën. Më prekën zemrën interesi personal, përulësia e butësia që tregoi ajo dhe Dëshmitarë të tjerë. Kjo më nxiti të dëshiroja ta adhuroja Jehovain.

Në korrik të vitit 1995, e kuptova se duhej ta lija pozitën si pastore. Pse? Shkrimi i Zbulesës 18:4 flet në mënyrë simbolike për fenë e rreme: «Dilni prej saj, o populli im, nëse nuk doni të merrni pjesë me të në mëkatet e saj dhe nëse nuk doni të merrni nga plagët e saj.» Po të ardhurat, ku do t’i gjeja? Shkrimi i Hebrenjve 13:5 më mësoi se, kur bëjmë vullnetin e Perëndisë, ai premton: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»

Me nënën, kur u pagëzuam

Edhe pse babai dhe vëllai më kundërshtuan me forcë, dy javë para pagëzimit si Dëshmitare mora guximin të shkoja në shtëpi e të digjja gjithçka kisha përdorur në punën e mëparshme si pastore. Pas kësaj, kuptova se kisha humbur çdo fuqi të veçantë të mëparshme. Në të kaluarën, ndieja një peshë që më shtypte vazhdimisht në gjumë. Edhe kjo ndjesi u zhduk. Hijet që shihja në dritaren e dhomës nuk u shfaqën kurrë më. Studimi i Biblës më mësoi se çdo e ashtuquajtur dhuratë sot, si fuqia për të shëruar, nuk vjen nga Perëndia, por nga frymërat e liga. Jam kaq e lumtur që u çlirova nga ndikimi i tyre, njësoj si shërbëtorja të cilën Pavli e çliroi nga «një demon falli».​—Veprat 16:16-18.

Si predikuese në kohë të plotë mes Dëshmitarëve të Jehovait

Ç’gëzim të isha përkrah nënës gjatë pagëzimit si Dëshmitare të Jehovait në shtator të vitit 1996! Pas pagëzimit, nisa predikimin në kohë të plotë si Dëshmitare e Jehovait dhe kalova shumë vjet në këtë formë shërbimi.

Tani jam martuar me Silverin. Së bashku, po punojmë fort që të stërvitim vajzën sipas së vërtetës biblike. Edhe disa nga motrat e mia i shërbejnë Jehovait. Megjithëse më vjen keq që për vite me radhë s’e njihja vërtet Perëndinë, jam shumë e lumtur që tani e njoh Perëndinë që adhuroj.

Me bashkëshortin, me vajzën dhe me shumë të afërm që janë bashkuar me ne në adhurimin e vërtetë

^ par. 10 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, por tani nuk shtypet më.

^ par. 13 «I pushtuar nga fryma e shenjtë» i referohet një fenomeni në disa fe ku besojnë se «fryma» vjen te besimtarët aq fuqishëm, sa i rrëzon përtokë.

^ par. 18 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.