MALET hijerënda Lefká të ishullit të Kretës na humbin dalëngadalë nga sytë, ndërsa anija jonë niset drejt një rrafshnalte të vogël që ngrihet nga thellësitë e Mesdheut. Jemi një grup prej 13 udhëtarësh që mezi presim të predikojmë në ishullin e Gavdosit, një pikë e vockël në hartë, që shënon skajin më jugor të Evropës.

Në këtë ditë vere të nxehtë, duket se udhëtimi do të na shkojë vaj. Por, pas pak deti tërbohet nga shkulmat e erës dhe anija tundet lart e poshtë si tapë shisheje. Ndërsa po më zë deti, më vjen ndër mend tregimi biblik për apostullin Pavël, që shekuj më parë u përball me një stuhi të egër në këto ujëra. Atëherë Gavdosi njihej me emrin Kauda. (Veprat 27:13-17) Shpresoj të mbërrijmë në Gavdos shëndoshë e mirë.

Kepi Trepiti, cepi më jugor i Evropës

Më në fund, na zë syri destinacionin tonë, një masiv shkëmbor që bie thikë në det. Është pak a shumë i rrafshët, vetëm nja 300 metra mbi nivelin e detit, pa ndonjë mal a kodër që spikat në horizont. Pishat dhe shkorretet e dendura veshin pjesën dërrmuese të këtij ishulli me sipërfaqe rreth 26 kilometra katrorë. Vende-vende sheh dëllinja që zbresin gjer në breg të detit.

Dikur ishulli kishte afro 8.000 banorë, kurse sot numri i banorëve të përhershëm është më pak se 40. Qytetërimi modern duket se ka harruar të kalojë në Gavdos. Edhe pse pranë brigjeve lundrojnë shpesh anije mallrash dhe anije cisternë, e vetmja lidhje e ishullit me Kretën është një traget që vjen me hope, pasi shpesh udhëtimi shtyhet ose anulohet për shkak të motit të keq.

Kemi ardhur në Gavdos që t’u japim njerëzve diçka të gëzueshme dhe inkurajuese​—shpresën e sigurt për një të ardhme më të mirë dhe mundësinë e jetës pa fund e me shëndet të përsosur. Teksa anija bëhet gati të ankorojë në dok, presim me padurim të zbresim dhe t’u japim këtë lajm të mirë.

Si jemi tundur e shkundur në det për katër orë e gjysmë, çehrja jonë e zbehtë tregon se udhëtimi për në Gavdos s’ka qenë aspak një shëtitje çlodhëse. Por, një sy gjumë dhe një kafe na gjallërojnë e na çelin  sërish. Kujtojmë pak çaste tregimin biblik për udhëtimin e apostullit Pavël, bëjmë një lutje nga zemra dhe, ja ku jemi, gati të nisim predikimin.

Vendësit, që janë miqësorë e mikpritës, na ftojnë në shtëpi dhe na qerasin. Përveçse u tregojmë lajmin e mirë nga Bibla, ua shprehim mirënjohjen edhe duke u dhënë një dorë kur kanë nevojë. Tek flasim me një grua, një pjesëtari të grupit që është elektricist, i bie në sy se ajo ka një pajisje të prishur në vendin e punës dhe tregohet i gatshëm ta ndreqë. Gruaja preket nga kjo, pranon literaturën biblike që i ofrojmë dhe na lavdëron ne e veprën tonë. Një grua tjetër shpreh vlerësimin dhe thotë: «Vepra juaj është nga Perëndia, jo nga njerëzit. Kjo shihet qartë përderisa erdhët të predikoni në këtë ishull të largët.»

Njerëzit e çmojnë goxha literaturën biblike që kemi sjellë. Një burrë pranon revistat Kulla e Rojës e Zgjohuni! dhe do më shumë literaturë që ta lexojë muajve të dimrit. Një tjetër jo vetëm do literaturë për vete, por kërkon edhe për ta vënë në dyqan që ta lexojnë klientët. Ai na jep adresën, që t’ia dërgojmë revistat me postë çdo muaj. Një familjeje i bën shumë përshtypje kur i tregojmë se ishulli i tyre i vogël përmendet në Bibël. Edhe ata i pranojnë me kënaqësi revistat.

Gjiri i Sarakinikos, ku shihet një ndërtesë për strehimin e të internuarve dhe një pllakë përkujtimore për ta

Paçka se këto reagime na e ngrohin zemrën, vizita në Gavdos u sjell kujtime të trishta disa pjesëtarëve të grupit. Afër gjirit të Sarakinikos ndodhet një ndërtesë ku mbaheshin dikur të internuarit politikë. Emanuel Lionudakisin, një Dëshmitar të Jehovait, e internuan këtu në fund të viteve 1930 ngaqë predikonte. * Gavdosi i asaj kohe është përshkruar si «ishull djerrë që prodhonte veç akrepa vdekjeprurës, një vend ku shumë . . . vdiqën nga uria, nga mungesa e gjërave jetike e nga sëmundjet dhe që është quajtur me të drejtë ishulli i vdekjes». Lionudakisi zinte peshq për t’u ushqyer, ndonëse kalonte shumë kohë edhe duke u predikuar të dënuarve të tjerë, meqë ishte i vetmi Dëshmitar atje. Ndërsa shohin vendin ku ndenji ai rreth 70 vjet më parë, e bija, dhëndri dhe mbesa e tij preken thellë. Shembulli i tij na frymëzon të qëndrojmë besnikë dhe të jemi të zellshëm në shërbim.

Për ata që i syrgjynosën këtu, Gavdosi s’ishte aspak një parajsë turistike. Por, për ne është një vend mikpritës teksa predikojmë këtë fundjavë në çdo cep të ishullit dhe u shpërndajmë 46 revista e 9 broshura këtyre njerëzve zemërmirë. Mezi presim të kthehemi prapë te miqtë e rinj që kemi zënë.

Si pa u ndier, ka ardhur koha të largohemi. Mirëpo motin sërish e kemi kundër, prandaj udhëtimi i programuar për në orën 5 pasdite shtyhet. Hipim në anije në mesnatë dhe përgatitemi për një udhëtim tjetër të mundimshëm. Më në fund, në 3 të mëngjesit nisemi, e pasi tundemi pesë orë nëpër detin e trazuar, mbërrijmë në Kretë. Ndihemi të sfilitur dhe na merren këmbët kur zbresim nga anija, por jemi të gëzuar që e bëmë të njohur emrin e Jehovait në ishullin e Gavdosit. (Isaia 42:12) Gjithë grupi është në një mendje se ia vlejti mundimi. Vështirësitë që hoqëm do të harrohen shpejt, por jemi të sigurt se ky udhëtim ka lënë gjurmë të pashlyera në zemrën tonë.

^ par. 11 Për jetëshkrimin e Emanuel Lionudakisit, shih Kullën e Rojës, 1 shtator 1999, faqet 25-29.