Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Lexuesit pyesin . . .

A përfshihen gratë në mësimdhënie mes Dëshmitarëve të Jehovait?

A përfshihen gratë në mësimdhënie mes Dëshmitarëve të Jehovait?

Po, në mbarë botën mes Dëshmitarëve të Jehovait ka miliona gra që përfshihen në mësimdhënie. Ato janë një shumicë e madhe predikuesesh të lajmit të mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Në Psalmin 68:11 thuhet në mënyrë profetike për këto predikuese: «Jehovai jep urdhrin. Gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe.»

Gjithsesi, mos e ngatërro shërbimin që kryejnë gratë Dëshmitare të Jehovait me shërbimin e grave që janë klerike në fe të tjera. Ka një kontrast të thellë mes tyre. Nga ndryshojnë?

Auditori të cilit i drejtohen është i ndryshëm. Kleriket, veçanërisht në të ashtuquajturin krishterim, kanë role udhëheqëse brenda kongregacioneve të tyre dhe auditori kryesor përbëhet nga pjesëtarë të kopesë. Kurse për gratë që shërbejnë mes Dëshmitarëve të Jehovait, auditori kryesor i predikimit është jashtë kongregacionit, përkatësisht njerëzit që takojnë gjatë predikimit shtëpi më shtëpi dhe në vende të tjera.

Një mënyrë tjetër nga ndryshon shërbimi i grave Dëshmitare të Jehovait nga shërbimi i grave në fetë e tjera, është veprimtaria e tyre në kongregacion. Kleriket e të ashtuquajturit krishterim dhe të feve të tjera i drejtojnë dhe i mësojnë pjesëtarët e kongregacionit të vet për dogmat e fesë që i përkasin. Megjithatë, gratë që shërbejnë mes Dëshmitarëve të Jehovait nuk japin mësim në kongregacion, kur të pranishëm janë burra të pagëzuar. Këtë e bëjnë vetëm burrat e caktuar si mësues.​—1 Timoteut 3:2; Jakovi 3:1.

Bibla thotë se përgjegjësia për të mbikëqyrur kongregacionin u është dhënë vetëm burrave. Të shohim modelin që vendosi apostulli Pavël kur i shkroi një mbikëqyrësi tjetër, Titit: «Të lashë në Kretë që . . . të emëroje pleq qytet më qytet.» Pavli shtoi se çdo burrë që emërohej si i tillë duhej të ishte ‘i lirë nga akuza, burrë i një gruaje të vetme’. (Titit 1:5, 6) Pavli i dha udhëzime të ngjashme edhe Timoteut në letrën baritore që i dërgoi: «Kush synon detyrën e mbikëqyrësit, dëshiron një punë të shkëlqyer. Prandaj, mbikëqyrësi duhet të jetë i paqortueshëm, burrë i një gruaje të vetme, . . . i kualifikuar për të mësuar.»​—1 Timoteut 3:1, 2.

Pse përgjegjësitë e mbikëqyrjes në kongregacion u jepen vetëm burrave? Pavli thotë: «Nuk e lejoj gruan të mësojë të tjerët ose të ushtrojë autoritet mbi burrin, por të rrijë në heshtje. Sepse i pari u formua Adami, e më pas Eva.» (1 Timoteut 2:12, 13) Pra, radha e krijimit tregon pse Perëndia ua dha burrave përgjegjësinë që të mësojnë të tjerët dhe t’i mbikëqyrin.

Shërbëtorët e Jehovait ndjekin shembullin e Udhëheqësit të tyre, Jezu Krishtit. Dishepulli Lukë shkroi për shërbimin e Jezuit: «Ai nisi të shkonte nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë.» Më vonë, Jezui i dërgoi dishepujt të bënin të njëjtën vepër: «Ata u nisën, përshkuan territorin, nga fshati në fshat, duke shpallur lajmin e mirë.»​—Luka 8:1; 9:2-6.

Sot, shërbëtorët e Jehovait, burra e gra, marrin pjesë aktivisht në përmbushjen e asaj që paratha Jezui: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»​—Mateu 24:14.