Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Mësoji fëmijët

Ai ishte kokëfortë, por në fund u bind

Ai ishte kokëfortë, por në fund u bind

A KE qenë ndonjëherë kokëfortë dhe nuk je bindur? . . .  * Ndoshta ke parë ndonjë program në televizor që mami ose babi të kanë thënë të mos e shikoje. Mbase ke menduar për këtë më vonë dhe të ka ardhur keq që s’u binde. Një njeri që në fillim nuk u bind, është Naamani. Le të shohim si e ndihmuan atë që të mos ishte më kokëfortë.

Përfytyro sikur po jetojmë mbi 3.000 vjet më parë. Naamani është një komandant i rëndësishëm i ushtrisë siriane. Ai është mësuar që t’u thotë ushtarëve çfarë të bëjnë dhe ata i binden. Por Naamanin e zë një sëmundje lëkure e rëndë që quhet lebër. Pamja e tij është e tmerrshme dhe ka shumë mundësi që të ndiejë edhe mjaft dhembje.

Gruaja e Naamanit ka një shërbëtore të vogël izraelite. Një ditë, vajza i tregon së zonjës për një burrë nga vendi i vet që quhet Elise. Ajo thotë se ai mund ta shërojë Naamanin. Kur Naamani e dëgjon këtë, dëshiron të takohet menjëherë me Eliseun. Ai merr shumë dhurata dhe udhëton me ushtarët e tij drejt Izraelit. Naamani shkon te mbreti i Izraelit që t’i thotë pse ka ardhur.

Eliseu e merr vesh këtë dhe i dërgon një mesazh mbretit që ta dërgojë Naamanin tek ai. Kur Naamani arrin te shtëpia e Eliseut, ky thjesht i çon fjalë me anë të një lajmëtari që Naamani të lahet shtatë herë në lumin Jordan.  Eliseu thotë se kjo do ta shërojë Naamanin. Si mendon se ndihet Naamani kur dëgjon këtë? . . .

Ai zemërohet. Kështu që bëhet kokëfortë dhe nuk i bindet profetit të Perëndisë. Ai u thotë ushtarëve: ‘Në vendin tim mund të lahem në lumenj më të mirë.’ Naamani nis e ikën. Por, a e di ç’pyetje i bëjnë ushtarët? . . . ‘Sikur profeti të të kishte kërkuar diçka të madhe, a nuk do ta bëje? Prandaj pse të mos bindesh kur ai të kërkon një gjë kaq të thjeshtë?’

Naamani i dëgjon dhe bën siç i thonë ushtarët. Ai zhytet gjashtë herë në lumë. Kur del nga uji herën e shtatë, Naamani mrekullohet​—sëmundja e lëkurës i është zhdukur. Është përsëri shëndoshë e mirë. Menjëherë udhëton për në shtëpinë e Eliseut afro 50 kilometra larg që ta falënderojë. Ai do që t’i japë Eliseut dhurata të shtrenjta, por profeti nuk pranon asgjë.

Prandaj Naamani i kërkon diçka Eliseut. A e di çfarë? . . . ‘Më jep me vete dy mushka me dhé.’ A e di pse i duhet? . . . Naamani thotë se do që t’i ofrojë dhurata flijimi Perëndisë mbi dheun që mori nga vendi i popullit të Perëndisë, Izraelit. Pastaj Naamani premton se nuk do të adhurojë më kurrë perëndi të tjera përveç Jehovait. Ai s’është më kokëfortë, por është gati t’i bindet Perëndisë së vërtetë.

A e kupton si mund të jesh si Naamani? . . . Nëse ke qenë ndonjëherë kokëfortë si ai, mund të ndryshosh. Mund të pranosh ndihmë dhe të mos jesh më kokëfortë.

Lexo në Biblën tënde

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.