Bibliotekë e harmonishme

«Profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»​—2 PJETRIT 1:21.

PSE ËSHTË NDRYSHE BIBLA? Edhe dokumentime të lashtësisë të shkruara në të njëjtën kohë, shpesh nuk përputhen me njëri-tjetrin. Libra të shkruar nga njerëz të ndryshëm, në vende e periudha të ndryshme rrallë përputhen krejtësisht. Megjithatë, Bibla pohon se të 66 librat e saj kanë një autor të vetëm, e si rrjedhojë ajo përmban një mesazh të njëjtë dhe të harmonishëm nga fillimi në fund.​—2 Timoteut 3:16.

NJË SHEMBULL: Moisiu, një bari i shekullit të 16-të p.e.s., shkroi në librin e parë të Biblës se do të vinte një ‘farë’ që do të shpëtonte njerëzimin. Më tutje, ky libër paratha se fara do të rridhte nga Abrahami, Isaku dhe Jakobi. (Zanafilla 3:15; 22:17, 18; 26:24; 28:14) Rreth 500 vjet më vonë, profeti Natan zbuloi se fara do të vinte nga linja mbretërore e Davidit. (2 Samuelit 7:12) Një mijë vjet më pas, apostulli Pavël shpjegoi se fara do të përbëhej nga Jezui dhe nga një grup dishepujsh të zgjedhur. (Romakëve 1:1-4; Galatasve 3:16, 29) Si përfundim, nga fundi i shekullit të parë të e.s., libri i fundit i Biblës profetizoi se pjesëtarë të farës do të jepnin dëshmi për Jezuin në tokë. Gjithashtu profetizoi se të gjithë pjesëtarët e farës do të shkonin në qiell e do të sundonin me të për 1.000 vjet. Kjo farë e përbërë do të shkatërrojë Djallin dhe do të shpëtojë njerëzimin.​—Zbulesa 12:17; 20:6-10.

Ç’THONË KOMENTUESIT E BIBLËS? Pas një shqyrtimi të hollësishëm të 66 librave të Biblës, Lui Goseni shkroi se u mahnit nga «harmonia mbresëlënëse e këtij libri të shkruar gjatë një mijë e pesëqind vjetëve nga kaq shumë autorë, . . . të cilët u përpoqën dhe punuan vazhdimisht për të njëjtin synim, ndonëse nuk e kuptonin plotësisht atë, domethënë historinë e shpengimit të botës me anë të Birit të Perëndisë».​—Libri Theopneusty​—The Plenary Inspiration of the Holy Scriptures.

SI MENDON? A do të ishte krejt i harmonishëm një libër i shkruar gjatë një periudhe më se 1.500-vjeçare dhe nga 40 burra të ndryshëm? Apo Bibla është unike?

[Diçitura në faqen 7]

«Mendojmë se nga Zanafilla deri te Zbulesa ky libër duket vërtet i harmonishëm. . . . Asgjë tjetër në gjithë literaturën botërore nuk barazohet me të.»​—LIBRI PROBLEMI I DHIATËS SË VJETËR (ANGLISHT) NGA XHEJMS ORI