A E DI ç’do të thotë të lidhesh ngushtë me dikë? . . . * Do të thotë ta shohësh si të rëndësishëm, ta duash shumë dhe ta respektosh. Duam të flasim për një person që Bibla thotë se «qëndroi i lidhur ngushtë me Jehovain», Perëndinë e vërtetë. Ai quhej Hezekia. Le të shohim ç’mund të mësojmë nga shembulli i tij.

Hezekia pati fëmijëri të palumtur. Babai i tij, Akazi, mbreti i Judës, nuk po i shërbente më Jehovait. Akazi udhëhoqi adhurimin e perëndive të rreme kur Hezekia ishte i vogël. Madje, të paktën njërin nga djemtë, vëllanë e vetëm të Hezekisë, e vrau dhe ia paraqiti si flijim një prej perëndive që adhuronte.

Edhe pse Akazi bënte gjithnjë gjëra të këqija, Hezekia vazhdoi t’i bindej Jehovait. Si mendon, a e kishte të vështirë ta bënte këtë? . . . Ka shumë mundësi që po. Megjithatë, Hezekia nuk u dorëzua. Le të shohim si arriti të qëndronte i lidhur ngushtë me Jehovain dhe si mund të veprojmë edhe ne njësoj.

Hezekia kish dëgjuar për të tjerë që kishin qëndruar të lidhur ngushtë me Jehovain. Davidi ishte një prej tyre. Edhe pse Davidi jetoi qindra vjet para, Hezekia mund të ketë mësuar për të nga Shkrimet. Davidi shkroi: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.»

A e kupton çfarë e ndihmoi Davidin t’i bindej Jehovait? . . . Besimi. Davidi ishte i sigurt se, nëse do t’i bindej Jehovait, ai do ta ndihmonte.  S’kishte pikë dyshimi për këtë. Kur mendonte për Davidin, Hezekia merrte zemër të qëndronte i lidhur ngushtë me Jehovain duke iu bindur Atij. Mund të jesh i sigurt se Jehovai do të të ndihmojë edhe ty po të vazhdosh të qëndrosh i lidhur ngushtë me të duke iu bindur.

Po sikur babai ose mamaja të mos e adhurojnë Jehovain? . . . Perëndia thotë se fëmijët duhet t’u binden prindërve. Kështu duhet të veprosh edhe ti. Sidoqoftë, nëse prindërit të kërkojnë të bësh diçka që Perëndia thotë se s’duhet ta bësh, mund t’u shpjegosh pse s’mund ta bësh. Nuk duhet të gënjesh, të vjedhësh ose të bësh ndonjë gjë tjetër të keqe që Perëndia e quan të gabuar, pavarësisht kush të thotë ta bësh. Bën shumë mirë që i bindesh Perëndisë.

Ka plot shembuj të mirë që mund t’i ndjekim. Hezekia nuk pati vetëm shembullin e Davidit, por edhe atë të gjyshit të vet, Jotamit. Hezekia mund të mësonte nga ai, siç mësojmë edhe ne sot nga Bibla. A të kujtohen shembuj të tjerë të mirë që mund t’i imitojmë? . . .

Është e vërtetë se në Bibël mund të lexosh për disa gabime të Hezekisë, të Davidit, të Jotamit dhe të njerëzve të tjerë të papërsosur. Por ata e donin Jehovain, i pranuan gabimet dhe u përpoqën të bënin atë që ishte e drejtë. Mos harro se, vetëm Biri i Perëndisë, Jezui, ishte i përsosur. Le të studiojmë më tepër për të dhe të përpiqemi të ndjekim shembullin e tij.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.