Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pse kaq shumë katastrofa natyrore?

Pse kaq shumë katastrofa natyrore?

KATASTROFAT duket se kanë pushtuar lajmet. Sot, më shumë se kurrë, njerëzit po bien viktima të tyre. Qendra Belge për Kërkimet rreth Përhapjes së Katastrofave raporton se vetëm në 2010-n ka pasur 373 katastrofa ku kanë vdekur të paktën 296.000 veta.

Gjithashtu, numri i katastrofave të raportuara është rritur ndjeshëm dekadat e fundit. Për shembull, mes viteve 1975 dhe 1999, numri i katastrofave të regjistruara nuk arriti as 300 në vit. Gjithsesi, mes viteve 2000 dhe 2010, mesatarja ishte afro 400 në vit. Ndoshta edhe ti pyet veten: «Pse ka kaq shumë katastrofa sot?»

Megjithëse njerëzit shpeshherë i etiketojnë këto katastrofa si «vepra të Perëndisë», kjo nuk është e vërtetë. Nuk është Perëndia ai që fshihet pas gjëmave që prekin kaq shumë veta sot. Sidoqoftë, Bibla ka parathënë se në kohën tonë do të kishte katastrofa. Për shembull, te Mateu 24:7, 8 lexojmë fjalët e Jezuit: «Do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin. Të gjitha këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes.» Pse i paratha Jezui këto ngjarje dhe ç’domethënie kanë për ne?

Jezui, Biri i Perëndisë, po i jepte përgjigje pyetjes që i bënë: «Cila do të jetë shenja . . . e përfundimit të sistemit?» (Mateu 24:3) Ai tha se do të ndodhnin gjëra të ndryshme, përfshirë gjëma si ato që përmendëm më sipër. Më pas, vazhdoi me këto fjalë plot kuptim: «Kur t’i shihni të ndodhin këto gjëra, dijeni se mbretëria e Perëndisë është afër.» (Luka 21:31) Prandaj, këto katastrofa kanë domethënie të madhe për ne. E drejtojnë vëmendjen te ndryshime kolosale që do të ndodhin së shpejti.

Forca që u japin shtysë katastrofave

Megjithatë, mjaft veta ende pyesin: «Nëse Perëndia nuk ka faj për katastrofat, atëherë kush e ka ose çfarë i shkakton?» Përgjigjen e marrim vetëm nëse kuptojmë një të vërtetë të rëndësishme të Biblës: «E gjithë bota dergjet nën pushtetin e të ligut.» (1 Gjonit 5:19)  Ky varg tregon se nuk fshihet Perëndia pas kushteve të mjera në botë, por, në shumë raste, është armiku i tij, ‘i ligu’ ose ndryshe, «Djalli», siç quhet në Bibël.​—Zbulesa 12:9, 12.

I shtyrë nga synimet e tij egoiste, ky armik i Perëndisë i konsideron njerëzit si objekte për t’u shfrytëzuar dhe për t’u flakur. Meqë ka nën kontroll tërë botën, ai ka nxitur të njëjtën frymë te njerëzimi. Bibla e nxjerr në pah këtë kur parathotë se në «ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë». (2 Timoteut 3:1, 2) Prandaj, nuk është për t’u habitur që Djalli ka krijuar një sistem global që lulëzon kur njerëzit veprojnë kështu a në mënyra të ngjashme. Ai nxit shfrytëzimin egoist dhe lakmitar që shpesh ua vë në rrezik jetën njerëzve.

Si i nxit katastrofat sistemi i sotëm lakmitar? Një raport i Kombeve të Bashkuara për katastrofat mbarëbotërore, thotë: «Shumë shpesh ka dendësi popullsie në rajone të rrezikshme, si në zona të përmbytshme. Përveç kësaj, shkatërrimi i pyjeve dhe i kënetave po ia ul aftësinë mjedisit që t’u bëjë ballë rreziqeve. Kanosja më e madhe është ndryshimi i klimës globale dhe rritja e nivelit të detit si pasojë e shtimit të gazeve të efektit serrë . . . që shkaktohet nga veprimtaria e njeriut.» Ndonëse thuhet se kjo ‘veprimtari e njeriut’ bëhet për hir të ekonomisë, në realitet pasqyron frymën egoiste dhe lakmitare që përshkon tërë botën.

Si rrjedhojë, shumë specialistë e kuptojnë tani se veprimtaria dritëshkurtër e njeriut i ka intensifikuar pasojat shkatërrimtare të katastrofave. Në të vërtetë, njerëzit janë bërë kukulla në duart e Djallit duke mbështetur një sistem që i përkeqëson katastrofat.

Pra, shohim se shumë katastrofa vijnë si pasojë e veprimtarisë së pamend të njeriut. Pasojat e disa katastrofave nuk do të ishin aq të mëdha po të ndodhnin diku tjetër. Në mjaft pjesë të botës, pasojat e katastrofave natyrore janë rënduar tej mase nga veprimet hileqare të individëve të paskrupull. Një arsye tjetër është se masa të tëra njerëzish janë detyruar të jetojnë në zona të rrezikshme, për shkak të pabarazisë ekonomike ose shoqërore që janë pjesë e botës së sotme. Sigurisht, jo të gjithë vuajnë nga katastrofat për faj a për neglizhencë të dikujt. Disa vuajnë ngaqë «të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara».​—Eklisiastiu 9:11.

Cilado qoftë arsyeja, si mund t’i bësh ballë nëse bie viktimë e ndonjë katastrofe natyrore? Tani do të shohim çfarë mund të bëjmë që t’i kalojmë sa më lehtë këto gjëma kur të ndodhin.