Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Përgjigje për dhjetë pyetje rreth seksit

Përgjigje për dhjetë pyetje rreth seksit

 Përgjigje për dhjetë pyetje rreth seksit

1 A ishte seksi mëkati i parë që kryen Adami dhe Eva në kopshtin e Edenit?

▪ Përgjigje: Shumë njerëz kanë përshtypjen se fryti i ndaluar në kopshtin e Edenit paraqiste marrëdhëniet seksuale. Mirëpo Bibla nuk thotë kështu.

Le të mendojmë pak. Perëndia e urdhëroi Adamin të mos e hante frytin e ‘pemës së njohjes të së mirës dhe të së keqes’ para se të krijonte Evën. (Zanafilla 2:15-18) Përderisa Adami ishte vetëm, ky ndalim nuk mund të kishte lidhje me marrëdhëniet seksuale. Veç kësaj, Perëndia i dha Adamit dhe Evës një urdhër të qartë: ‘të ishin të frytshëm, të shumoheshin e të mbushnin tokën’. (Zanafilla 1:28) A do ta udhëzonte një Perëndi i dashur çiftin e parë ‘të mbushte tokën’​—që pa dyshim përfshinte kryerjen e marrëdhënieve seksuale—​e më pas ta dënonte me vdekje sepse u ishte bindur udhëzimeve të tij?​—1 Gjonit 4:8.

Për më tepër, kur ‘mori frytin [e ndaluar] dhe e hëngri’, Eva nuk ishte me të shoqin. «Më pas, kur ishin bashkë, i dha edhe burrit, e kështu hëngri edhe ai.»​—Zanafilla 3:6.

Së fundi, Perëndia nuk i fajësoi Adamin dhe Evën kur kryen marrëdhënie e lindën fëmijë. (Zanafilla 4:1, 2) Është e qartë pra, se fryti që hëngri Adami dhe Eva nuk paraqiste marrëdhëniet seksuale, përkundrazi ishte një fryt i vërtetë që rritej në pemë.

2 A e ndalon Bibla kënaqësinë seksuale?

Përgjigje: Libri i parë i Biblës tregon se Perëndia i krijoi njerëzit «mashkull dhe femër». Madje ai tha se krijimi i tij ishte «shumë mirë». (Zanafilla 1:27, 31) Më vonë, Perëndia frymëzoi një shkrimtar të Biblës që t’i nxiste bashkëshortët: «Gëzo me gruan e rinisë sate! . . . Gjinjtë e saj të të dehin gjithë kohës.» (Proverbat 5:18, 19) A tingëllojnë këto fjalë sikur Bibla e ndalon kënaqësinë seksuale?

 Faktet tregojnë se Perëndia i krijoi organet seksuale jo vetëm për t’u riprodhuar, por edhe që një çift i martuar t’i shprehë dashurinë e përzemërsinë njëri-tjetrit në një mënyrë që u sjell kënaqësi të dyve. Këto marrëdhënie mund të plotësojnë nevojat fizike dhe emocionale të një çifti të martuar që kanë një lidhje të ngrohtë e intime.

3 A e miraton Bibla bashkëjetesën e një burri dhe një gruaje që nuk janë të martuar ligjërisht?

Përgjigje: Bibla thotë qartë se «Perëndia do të gjykojë kurvarët». (Hebrenjve 13:4) Fjala greke pornéia që përkthehet «kurvëri», u referohet përgjithësisht të gjitha formave të përdorimit të organeve seksuale mes atyre që nuk janë të martuar me njëri-tjetrin. * Prandaj do të ishte gabim në sytë e Perëndisë që një çift të bashkëjetojë, edhe nëse ata të dy kanë ndër mend të martohen më vonë.

Edhe nëse një çift është shumë i dashuruar, Perëndia përsëri kërkon që ata të martohen para se të kryejnë marrëdhënie. Vetë Perëndia na krijoi me aftësinë për të dashur. Cilësia kryesore e Perëndisë është dashuria. Prandaj, ai ka arsye të vlefshme pse këmbëngul që marrëdhëniet seksuale t’i shijojnë vetëm të martuarit, siç do të shpjegohet në artikullin vijues.

4 A është e pranueshme poligamia?

Përgjigje: Për njëfarë kohe, Perëndia lejoi që një burrë të kishte më shumë se një grua. (Zanafilla 4:19; 16:1-4; 29:18–30:24) Por nuk ishte Perëndia nismëtari i poligamisë. Ai i dha Adamit vetëm një grua.

Perëndia e autorizoi Jezu Krishtin të rivendoste këtë standard, domethënë monogaminë. (Gjoni 8:28) Kur e pyetën për martesën, Jezui tha: «Ai që i krijoi që nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër. A nuk e keni lexuar edhe që tha: ‘Për këtë arsye, burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe të dy do të jenë një mish i vetëm.’»​—Mateu 19:4, 5.

Më vonë, Perëndia frymëzoi një nga dishepujt e Jezuit që të shkruante: «Çdo burrë le të ketë gruan e vet dhe çdo grua të  ketë burrin e vet.» (1 Korintasve 7:2) Gjithashtu, Bibla thotë se çdo bashkëshort në kongregacionin e krishterë që ka përgjegjësi të veçanta, duhet të jetë «burrë i një gruaje të vetme».​—1 Timoteut 3:2, 12.

5 A është e gabuar që çiftet e martuara të përdorin kontraceptivë?

Përgjigje: Jezui nuk i urdhëroi ithtarët e tij të kishin fëmijë. As ndonjë nga dishepujt e Jezuit nuk nxori ndonjë udhëzim të tillë. Askund në Bibël nuk dënohet qartazi kontrollimi i lindjeve.

Kështu, çiftet e martuara janë të lira të zgjedhin vetë nëse do të krijojnë ose jo familje. Gjithashtu, ata mund të vendosin sa fëmijë do të kenë dhe kur do t’i kenë. Nëse burri dhe gruaja vendosin të përdorin një kontraceptiv joabortues për të shmangur shtatzëninë, është vendimi dhe përgjegjësia e tyre. * Askush s’duhet t’i gjykojë.​—Romakëve 14:4, 10-13.

6 A është e gabuar të abortosh?

Përgjigje: Për Perëndinë jeta është e shenjtë dhe, në sytë e tij, edhe një embrion është një person më vete. (Psalmi 139:16) Perëndia thotë se kush e dëmton një fëmijë të palindur, do të japë llogari. Kështu, për të, aborti është vrasje.​—Dalja 20:13; 21:22, 23.

Po nëse në kohën e lindjes së foshnjës lind një situatë urgjente, ku çifti detyrohet të zgjedhë mes jetës së nënës ose të foshnjës? Në këtë rast, çifti duhet të vendosë se cilën jetë të përpiqet të shpëtojë. *

7 A e lejon Bibla divorcin?

Përgjigje: Bibla e lejon divorcin. Megjithatë, Jezui dha vetëm një arsye të pranueshme për t’i dhënë fund martesës, kur tha: «Kushdo që divorcohet nga gruaja, përveç rastit kur ajo kryen kurvëri [marrëdhënie seksuale jashtëmartesore], dhe martohet me një tjetër, kryen kurorëshkelje.»​—Mateu 19:9.

Perëndia e urren divorcin e kurdisur me mashtrim. Ai do t’u kërkojë llogari personalisht atyre që me mendjelehtësi e lënë bashkëshortin, sidomos kur e bëjnë këtë për të marrë një tjetër.​—Malakia 2:13-16; Marku 10:9.

8 A e miraton Perëndia homoseksualizmin?

  Përgjigje: Bibla e dënon qartë kurvërinë, ku futen edhe marrëdhëniet homoseksuale. (Romakëve 1:26, 27; Galatasve 5:19-21) Ndërkohë që Bibla e dënon prerazi këtë lloj jete, ne dimë gjithashtu se «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme».​—Gjoni 3:16.

Megjithëse nuk i tolerojnë marrëdhëniet homoseksuale, të krishterët e vërtetë tregojnë dashamirësi për të gjithë. (Mateu 7:12) Perëndia do që ne ‘të nderojmë njerëzit e çdo lloji’. Prandaj, të krishterët e vërtetë nuk i kanë fobi homoseksualët.​—1 Pjetrit 2:17.

9 A ka ndonjë gjë të gabuar seksi me anë të telefonit, «sexting» ose kiberseksi?

Përgjigje: Seks me anë të telefonit do të thotë të bësh biseda të papërshtatshme rreth seksit ose të dëgjosh mesazhe të qarta erotike në telefon. «Sexting» është një term që i referohet përdorimit të celularit për të dërguar mesazhe me imazhe dhe tekst me natyrë të hapur seksuale. Kiberseksi përfshin biseda erotike në Internet.

Bibla nuk flet në mënyrë specifike për këto praktika moderne. Megjithatë, ajo thotë qartë: «Kurvëria, ndyrësia e çdo lloji ose lakmia as të mos përmenden ndër ju, ashtu siç u ka hije të shenjtëve. As sjellja e turpshme, as të folurit pa mend, as shakatë e ndyra, të cilat nuk kanë hije.» (Efesianëve 5:3, 4) Gjëra të tilla, si seksi me anë të telefonit, «sexting» dhe kiberseksi përkrahin një pikëpamje të shtrembëruar për seksin dhe i nxitin njerëzit të kërkojnë kënaqësi seksuale jashtë martesës. Ato nuk i ndihmojnë aspak njerëzit të kontrollojnë impulset e tyre seksuale, përkundrazi i nxitin të rendin pas kënaqësisë egoiste.

10 Cila është pikëpamja e Biblës për masturbimin?

Përgjigje: Bibla nuk e përmend specifikisht masturbimin​—stimulimin e qëllimshëm të organeve gjinore për të ngjallur eksitim seksual dhe orgazëm. Megjithatë, Fjala e Perëndisë i urdhëron të krishterët: «Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët e trupit tuaj në tokë në lidhje me kurvërinë, ndyrësinë, urinë [e papërshtatshme] seksuale.»​—Kolosianëve 3:5.

Masturbimi ushqen një pikëpamje të shtrembëruar dhe egoiste për seksin. Bibla na siguron se Perëndia mund t’u japë ‘fuqi përtej asaj që është normale’ atyre që bëjnë përpjekje të sinqerta për ta lënë këtë ves.​—2 Korintasve 4:7; Filipianëve 4:13.

[Shënimet]

^ par. 11 Pornéia u referohet edhe akteve të tjera që devijojnë nga qëllimi fillestar i Perëndisë në lidhje me krijimin e organeve seksuale të njeriut, si kurorëshkelja, homoseksualizmi dhe marrëdhëniet seksuale me kafshët.

^ par. 19 Për më shumë informacion rreth pikëpamjes së Shkrimeve për sterilizimin, të lutemi shih «Pyetje nga lexuesit» në revistën Kulla e Rojës, 15 qershor 1999, faqet 27, 28.

^ par. 22 Për të shqyrtuar nëse viktima e një përdhunimi është e justifikuar të abortojë, shih revistën Zgjohuni! të 22 majit 1993, faqet 10, 11 (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.