Bibla të ndryshon jetën

Çfarë e shtyu një bixhozçi dhe hajdut që t’i linte veset e ta ndryshonte jetën? Ja çfarë thotë ai.

«Isha i apasionuar pas garave me kuaj.»​—RIÇARD STJUARTI

LINDUR: 1965

VENDI I LINDJES: XHAMAJKA

MË PARË: VINTE BASTE DHE ISHTE KRIMINEL

E KALUARA IME: U rrita në një zonë të varfër e të mbipopulluar të Kingstonit, kryeqyteti i Xhamajkës. Papunësia ishte e madhe dhe krimi i përhapur. Gangsterët i mbanin njerëzit nën thundrën e frikës. Thuajse çdo ditë dëgjoja të shtëna armësh.

Nëna ime e palodhur s’u kursye për mua dhe për vëllanë e motrën më të vogël. Ajo bëri çmos që të merrnim arsim të mirë. Unë s’e kisha mendjen te shkolla, por isha i apasionuar pas garave me kuaj. E lija mësimin që të shkoja te pista e garave, madje kalëroja.

S’kaloi shumë dhe u përfshiva kokë e këmbë në bastet e garave me kuaj. Bëja jetë imorale si donzhuan i vërtetë. Pija marihuanë dhe grabitja që të mbaja këtë stil jete. Kisha shumë armë, por tani them shyqyr që askush s’është vrarë në grabitjet e panumërta ku kam marrë pjesë.

Pas njëfarë kohe, më kapi policia dhe më futi në burg për krimet që kisha bërë. Kur më liruan, s’kisha ndryshuar, thjesht vazhdova aty ku e kisha lënë. Në fakt, u bëra më i keq se më parë. Megjithëse dukesha si engjëll, isha kokëshkretë, mizor dhe acarohesha. S’pyesja për njeri.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA: Gjatë kësaj periudhe të trazuar të jetës sime, nëna studioi Biblën dhe u bë Dëshmitare e Jehovait. Vura re se ajo ndryshoi për mirë, dhe kjo më bëri kureshtar. Vendosa ta zbuloj çfarë e bëri të ndryshonte, kështu që nisa biseda biblike me Dëshmitarët.

Kuptova se mësimet e Dëshmitarëve të Jehovait ishin ndryshe nga ato të feve të tjera dhe zbulova se ata e bazonin në Bibël çdo gjë që thoshin. Nuk njihja ndonjë grup tjetër që predikonte shtëpi më shtëpi, siç bënin të krishterët e shekullit të parë. (Mateu 28:19; Veprat 20:20) Kur pashë dashurinë e sinqertë që shfaqnin për njëri-tjetrin, u binda se kisha gjetur fenë e vërtetë.​—Gjoni 13:35.

Nga gjërat që mësova në Bibël, kuptova se duhej të bëja ndryshime të mëdha në jetë. Mësova se Perëndia Jehova e urren kurvërinë dhe, nëse doja ta kënaqja, duhej t’i lija praktikat që më ndotnin trupin. (2 Korintasve 7:1; Hebrenjve 13:4) U preka kur mësova se Jehovai ka ndjenja dhe se veprimet e mia mund ta lëndonin ose ta gëzonin. (Proverbat 27:11) Prandaj vendosa ta lija marihuanën,  të hiqja armët dhe të përpiqesha të përmirësoja personalitetin. Ndër ndryshimet më të vështira që bëra, ishte braktisja e jetës imorale dhe e basteve.

Në fillim nuk doja që shokët ta merrnin vesh se po studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Por jeta ime mori kthesë pasi lexova Mateun 10:33, ku gjenden fjalët e Jezuit: «Këdo që më mohon para njerëzve, edhe unë do ta mohoj para Atit tim, që është në qiej.» Kjo më nxiti t’u tregoja shokëve se po studioja me Dëshmitarët. Ata u tronditën. S’e besonin dot që një njeri si unë donte të bëhej i krishterë. Sidoqoftë, u thashë se s’doja të kisha më lidhje me jetën e mëparshme.

DOBITË: Nëna u gëzua tej mase kur fillova t’i vija në jetë parimet biblike. Tani ajo s’merakoset se mos ngatërrohem me gjëra të këqija. Flasim për lidhjen tonë të përbashkët: dashurinë për Jehovain. Ndonjëherë mendoj ç’kam qenë dikur dhe nuk arrij ta besoj ç’ndryshime kam bërë me ndihmën e Perëndisë. S’më merr malli fare për jetën imorale dhe materialiste që bëja njëherë e një kohë.

Po të mos e kisha pranuar mesazhin e Biblës, sot do të isha ose i vdekur, ose në burg. Gjithsesi, tani kam një familje të mrekullueshme e të lumtur. Gjej gëzim të madh në shërbim të Perëndisë Jehova bashkë me gruan që më mbështet dhe vajzën e bindur. I jam mirënjohës Jehovait që më ka lejuar të jem pjesë e vëllazërisë së krishterë e të dashur. E vlerësoj shumë që dikush mori mundimin të më mësonte të vërtetën biblike. Gjithashtu i çmoj mundësitë që kam për të ndihmuar të tjerët të mësojnë për Biblën. I jam mirënjohës veçanërisht Perëndisë Jehova që u tregua dashamirës duke më tërhequr drejt tij.

[Diçitura në faqen 11]

«Mësova se Jehovai ka ndjenja dhe se veprimet e mia mund ta lëndonin ose ta gëzonin»

[Figura në faqen 11]

Me gruan dhe vajzën

[Figura në faqen 11]

Vura re se nëna ndryshoi për mirë