A e dini?

Si financoheshin shërbimet në tempullin e Jehovait në Jerusalem?

▪ Shërbimet e ndryshme që kryheshin në tempull financoheshin nëpërmjet taksave, kryesisht nga të dhjetat e detyrueshme. Por kishte edhe taksa të tjera. Për shembull, në kohën kur u ndërtua tabernakulli, Jehovai e udhëzoi Moisiun të merrte nga çdo izraelit i regjistruar gjysmë sikle argjendi, si ‘kontribut për Jehovain’.​—Dalja 30:12-16.

Nga sa duket, u bë zakon që çdo jude të kontribuonte këtë sasi fikse si taksë vjetore për tempullin. Pikërisht kjo ishte taksa që Jezui i tha Pjetrit të paguante me monedhën që e mori nga goja e një peshku.​—Mateu 17:24-27.

Disa vite më parë, në Jerusalem u zbuluan dy monedha argjendi me të cilat paguhej taksa për tempullin. Njëra monedhë, e prerë në Tir në vitin 22 të e.s., u gjet në një kanal shkarkimi të shekullit të parë. Kjo sikël ka në njërën anë kokën e Melkartit ose Baalit, perëndisë kryesore të Tirit, dhe në anën tjetër ka një shqiponjë mbi bashin e një anijeje. Monedha e dytë, e cila u zbulua në rrënojat e gjetura në malin e tempullit, daton që në vitin e parë të revoltës judaike ndaj Romës, 66-67 të e.s. Ajo ka një kupë dhe tre shegë të sapoformuara, si dhe mbishkrimet «Gjysmë Sikle» dhe «Jerusalemi i Shenjtë». Në lidhje me këtë zbulim, profesori Gabriel Barkei thotë se monedha ka «shenja dëmtimi nga zjarri, ka shumë të ngjarë nga zjarret që shkatërruan Tempullin e Dytë në vitin 70 të e.s.».

Sa mbresëlënëse ishin projektet e ndërtimit të Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë?

▪ Libri biblik i Danielit përmend Nabukodonosorin që thotë: «A s’është kjo Babilonia e Madhe, që unë vetë e kam ndërtuar si shtëpi mbretërore me forcën e fuqisë sime dhe për lavdinë e madhështisë sime?!» (Danieli 4:30) A ishte vërtet madhështor ky qytet i lashtë?

Historianët ia japin meritën Nabukodonosorit për ndërtimin e tempujve, pallateve, mureve të qytetit dhe kopshteve të varura ose me brezare. Tempulli kryesor në qendër të Babilonisë kishte një kullë ose zigurat, që ndoshta ishte mbi 70 metra e lartë. Gjithsesi, sipas librit Babilonia​—Qyteti i mrekullive (anglisht), «arritjet më të famshme [të Nabukodonosorit] janë Rruga e Procesionit dhe Porta e Ishtarit». Rruga e Procesionit, e cila kalonte përmes Portës së Ishtarit, ishte e zbukuruar nga të dyja anët nga relieve me luanë që dukeshin sikur ecnin. Sa për portën, hyrjen më madhështore të Babilonisë, i njëjti libër thotë: «E veshur e tëra me tulla të lustruara ngjyrë blu të errët dhe e zbukuruar me relieve të qindra demave dhe dragonjve që marshonin, kjo pamje që përshëndeste vizitorin e lashtë të kryeqytetit duhet të ketë qenë e paharrueshme.»

Në fillim të shekullit të 20-të, arkeologët zbuluan mijëra fragmente të Rrugës së Procesionit dhe të Portës së Ishtarit. Më pas i rindërtuan shumë prej tyre në Muzeun Pergamon të Berlinit, Gjermani.

[Figurat në faqen 12]

Përmasat reale

[Burimet]

Sipër: Clara Emit, me mirësjellje nga Israel Antiquities Authority; poshtë: Zev Radovan

[Figura në faqen 12]

Rindërtimi i Portës së Ishtarit