Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A duhet t’i mësojnë prindërit fëmijët për seksin?

A duhet t’i mësojnë prindërit fëmijët për seksin?

  Lexuesit pyesin . . .

A duhet t’i mësojnë prindërit fëmijët për seksin?

▪ Shumë prindër bëjnë çmos t’i mbrojnë fëmijët nga sëmundje të dëmshme. Po njësoj duhet të përpiqen t’i mbrojnë ata nga qëndrime të dëmshme morale. Një mënyrë si ta bëjnë këtë është duke i mësuar me ekuilibër për seksin. (Proverbat 5:3-23) Kjo stërvitje dhe ky drejtim moral nga prindërit janë të domosdoshme, sepse fëmijët po bombardohen gjithnjë e më tepër me materiale seksuale që shfaqen sheshit në televizor e në Internet, në libra e në revista vizatimore për fëmijë.

Profesoresha për arsimin dhe autorja Dajana Levini shpjegon: «Sot problemi nuk është se fëmijët tanë po mësojnë për seksin, por çfarë po mësojnë, në ç’moshë po mësojnë dhe kush po i mëson. Fëmijët informohen për seksin nga studiuesit e tregut dhe nga kultura e kohës. Këto informacione ndikojnë tej mase tek ata dhe i dëmtojnë.»

Prindërit duhet t’i mbrojnë fëmijët nga pikëpamjet e shtrembëruara dhe imorale që po gërryejnë shoqërinë. (Proverbat 5:1; Efesianëve 6:4) Fëmijët e vegjël duhet të dinë si funksionon trupi i tyre, si të kujdesen për të dhe si të mbrohen nga njerëzit imoralë. Para pubertetit​—mosha kur nisin të shfaqen shenjat e pjekurisë seksuale—​një vajzë duhet të dijë ç’ndryshime do të pësojë trupi i saj dhe të kuptojë pse dhe si vijnë menstruacionet. Në mënyrë të ngjashme, një djalë duhet të dijë më përpara për derdhjen e farës gjatë natës. Kur fëmijët janë të vegjël, prindërit mund të fillojnë t’u mësojnë emrat e duhur të pjesëve të trupit. Prindërit e dashur u mësojnë fëmijëve tri mësime kyç për këto pjesë të trupit: (1) Ato janë të veçanta e private. (2) Nuk duhet të flasin për to në mënyrë të pahijshme. (3) Në përgjithësi të tjerët nuk duhet t’i prekin a t’i shohin. Teksa fëmijët rriten, prindërit duhet të kuptojnë kur është koha për t’u shpjeguar si ngel shtatzënë një grua. *

Kur duhet të nisin prindërit me këto udhëzime? Më herët nga ç’mendojnë shumë veta. Një vajze mund të fillojnë t’i vijnë menstruacionet në moshën 10-vjeçare ose edhe më herët. Një djalë mund të ketë derdhje të farës gjatë natës që në moshën 11 ose 12-vjeçare. Këto ndryshime që shënojnë një pikë kthese në jetë, mund të jenë shumë trazuese nëse fëmijët nuk kuptojnë ç’po ndodh. Ata duhen siguruar kohë më përpara se s’ka asgjë për t’u shqetësuar me këto ndryshime të natyrshme në trupin e tyre. Gjithashtu, në këtë kohë duhen ndihmuar të kuptojnë sa vlerë dhe rëndësi ka ndjekja e normave biblike për moralin​—diçka që shumë programe për edukatën seksuale nuk arrijnë ta sigurojnë.​—Proverbat 6:27-35.

[Shënimi]

^ par. 5 Prindërit mund të gjejnë materiale të dobishme për këto tema në botimet e mëposhtme të Dëshmitarëve të Jehovait: Zgjohuni! e majit 2006, në artikullin «Si ta përgatitësh vajzën për menarkenë», faqet 10-13; Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike, vëllimi 2, kapitulli 6, «Çfarë po më ndodh me trupin?» dhe Kulla e Rojës e 1 nëntorit 2010, «Si të kemi një familje të lumtur​—Fol me fëmijët e tu për seksin», faqet 12-14.