«Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të përfundoj veprën e tij.»GJONI 4:34.

RRETHANAT në të cilat Jezui tha fjalët e mësipërme zbulojnë shumë se ku përqendrohej jeta e tij. Jezui dhe dishepujt kishin gjithë paraditen që udhëtonin nëpër vendin kodrinor të Samarisë. (Gjoni 4:6, shënimi) Duke menduar se Jezui duhej të ishte i uritur në ato momente, dishepujt i zgjatin ushqim për të ngrënë. (Gjoni 4:31-33) Në përgjigjen që dha, Jezui përmblodhi me pak fjalë qëllimin e jetës së tij. Për të, bërja e vullnetit të Perëndisë ishte më e rëndësishme se ushqimi. Si me fjalë, ashtu edhe me vepra, Jezui jetoi që të bënte vullnetin e Perëndisë për të. Çfarë përfshinte kjo?

Predikonte dhe mësonte për Mbretërinë e Perëndisë.

Në lidhje me veprën e Jezuit që zgjati tërë jetën, Bibla shpjegon: «Ai i ra përqark mbarë Galilesë, dhe mësonte . . ., predikonte lajmin e mirë për mbretërinë.» (Mateu 4:23) Jezui jo thjesht predikoi ose ua shpalli të tjerëve Mbretërinë e Perëndisë, por edhe i mësoi njerëzit. Kjo do të thotë se jepte udhëzime, shpjegonte dhe bindte me arsyetim të shëndoshë. Mbretëria ishte tema e mesazhit të Jezuit.

Gjatë gjithë shërbimit të tij, Jezui i mësoi dëgjuesit se çfarë ishte Mbretëria e Perëndisë dhe ç’do të bënte ajo. Ja disa të vërteta për Mbretërinë dhe shkrimet biblike ku bazohen, të cilat na përcjellin fjalët e Jezuit për këtë temë.

  • Mbretëria e Perëndisë është qeveri qiellore dhe Jezui është Mbreti i emëruar nga Jehovai.MATEU 4:17; GJONI 18:36.

  • Mbretëria do të shenjtërojë emrin e Perëndisë dhe do të bëjë që vullneti i Tij të kryhet në tokë, si në qiell.MATEU 6:9, 10.

  • Nën sundimin e Mbretërisë së Perëndisë, tërë toka do të kthehet në parajsë.LUKA 23:42, 43.

  • Mbretëria e Perëndisë do të vijë së shpejti dhe do të përmbushë vullnetin e Perëndisë për tokën. *MATEU 24:3, 7-12.

Kryente vepra të fuqishme.

Jezui njihej kryesisht si «Mësues». (Gjoni 13:13) Gjithsesi, gjatë shërbimit të tij që zgjati tre vjet e gjysmë, kreu edhe disa vepra të fuqishme. Këto vepra shërbenin për të paktën dy qëllime. Së pari, provonin se atë e kishte dërguar vërtet Perëndia. (Mateu 11:2-6) Së dyti, ato jepnin një pamje paraprake të asaj që do të bënte ai në një shkallë akoma më të gjerë në të ardhmen, si Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë. Vini re disa mrekulli që kreu.

Imagjinoni si do të ishte jeta në tokë nën sundimin e një Mbreti të tillë të fuqishëm!

Zbulonte personalitetin e Perëndisë Jehova.

Kur bëhet fjalë për të mësuar të tjerë për  Jehovain, askush s’është më i kualifikuar se vetë Biri i Perëndisë, ai që u bë i njohur si Jezu Krishti. Si «i parëlinduri i gjithë krijimit», Jezui jetoi bashkë me Jehovain në qiell më gjatë se çdo krijesë tjetër e padukshme. (Kolosianëve 1:15) Mendo për mundësitë që kishte për të përvetësuar mënyrën e të menduarit të Atit dhe për të mësuar vullnetin, normat dhe udhët e Tij.

Jezui mund të thoshte me të drejtë: «Askush nuk e di se kush është Biri, përveç Atit, dhe askush nuk e di se kush është Ati, përveç Birit dhe atij që Biri dëshiron t’ia zbulojë.» (Luka 10:22) Kur ishte njeri në tokë, Jezui e zbuloi personalitetin e Atit të tij me gatishmëri dhe dëshirë të madhe. Ai foli dhe i mësoi të tjerët nga një këndvështrim unik; u bazua te kujtimet që kishte përjetuar vetë në qiell dhe në praninë e madhërishme të Perëndisë Më të Lartë.Gjoni 8:28.

Ajo që bëri Jezui për të zbuluar Atin e tij, mund të ilustrohet me atë që bën një transformator. Një mjet i tillë merr rrymë me tension të lartë dhe e ndryshon në të ulët, duke e bërë të përshtatshëm për konsumatorin e zakonshëm. Kur ishte në tokë, Jezui e përcolli atë që kishte mësuar në qiej për Atin në mënyra që njerëzit e papërsosur në tokë ta kuptonin me lehtësi dhe ta zbatonin kollaj.

Të shqyrtojmë dy mënyra të rëndësishme se si Jezui e bëri të njohur Atin e tij.

  • Kur mësonte të tjerët, Jezui e bënte të njohur të vërtetën për Jehovain duke folur për emrin, qëllimin dhe udhët e tij.GJONI 3:16; 17:6, 26.

  • Me anë të veprimeve, Jezui zbuloi shumë aspekte të bukura të personalitetit të Jehovait. Jezui e pasqyroi personalitetin e Jehovait në mënyrë kaq të përsosur sa mund të thoshte si rrjedhim: ‘Nëse doni të dini si është Ati im, thjesht më shihni mua.’GJONI 5:19; 14:9

Mrekullohemi për mënyrën si jetoi Jezui. Mund të nxjerrim dobi të panumërta nëse shqyrtojmë arsyen pse vdiq ai dhe nëse veprojmë në përputhje me gjërat që mësojmë.

^ par. 9 Për të mësuar më tepër rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe si e dimë që do të vijë së shpejti, shih kapitullin 8, «Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?» dhe kapitullin 9, «A po jetojmë në ‘ditët e fundit’?», të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.