ASNJË nuk ia di emrin sot. E njohim vetëm nga emri i të atit, Jefteut. Le t’i hedhim një sy Biblës që të mësojmë diçka për të dy. Do të shohim se të bijën e Jefteut e donin si Perëndia, edhe shoqet.

Për Jefteun dhe të bijën, mund të lexojmë në Bibël, te kapitulli 11 i librit të Gjykatësve. Meqë Jefteu ishte shërbëtor besnik i Perëndisë, pa dyshim që fliste rregullisht me vajzën për Shkrimet.

Jefteu jetoi para se populli i Perëndisë, izraelitët, të kërkonin një mbret njerëzor për të sunduar. Ai ishte burrë i fortë dhe i zoti për të luftuar. Prandaj izraelitët i kërkuan që t’i udhëhiqte kundër amonitëve, një komb fqinj që kishte qenë në luftë me izraelitët.

Jefteu donte ndihmën e Perëndisë që t’i mundte amonitët, ndaj i bëri një premtim. Jefteu tha se, nëse Jehovai do t’i jepte fitoren, do t’ia paraqiste atij të parin që do të dilte për ta takuar, kur të kthehej në shtëpi. Kushdo që të ishte, do të shërbente gjatë gjithë jetës në tabernakullin e Perëndisë​—vendi ku populli adhuronte Perëndinë në atë kohë. A e di kush doli i pari? . . . *

 Po, vajza e Jefteut. Ai u mërzit shumë. S’kishte fëmijë tjetër. Por ama i kishte bërë një premtim Jehovait dhe duhej ta mbante. Menjëherë vajza i tha: «Nëse fole me gojën tënde para Jehovait, o ati im, bëj me mua si the.» Pastaj i kërkoi ta linte për dy muaj të lirë që të shkonte maleve e të qante. Pse gjithë ky trishtim? Sepse duke mbajtur zotimin e babait, ajo do të hiqte dorë nga e drejta për t’u martuar dhe për të pasur fëmijë. Megjithëkëtë ajo nuk i pa dëshirat e saj si më të rëndësishmet. Donte t’i bindej babait dhe t’i mbetej besnike Jehovait. Si mendon, a e bëri të lumtur Jehovain dhe babanë? . . .

Jefteu e la të bijën të lirë me shoqet e saj për dy muaj. Kur u kthye, i ati bëri me të siç ishte zotuar dhe e çoi në tabernakullin e Perëndisë, në Shiloh, për tërë jetën. Çdo vit, vajzat e Izraelit shkonin në Shiloh dhe inkurajonin bijën e Jefteut.

A njeh fëmijë që u binden prindërve dhe e duan Jehovain? . . . Është mirë t’i njohim më shumë këta fëmijë dhe të bëhemi shokë me ta. Nëse bën si vajza e Jefteut dhe tregohesh i bindur e besnik, do të kesh shokë të mirë. Prindërve do t’u sjellësh lumturi dhe Jehovai do të të dojë.

^ par. 6 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.