Jezui tha se «të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët po». (Mateu 9:12) Kështu ai nënkuptoi se Shkrimet nuk e kundërshtojnë marrjen e ndihmës nga specialistët e mjekësisë. Prandaj, Dëshmitarët e Jehovait pranojnë me kënaqësi mjekime dhe trajtim mjekësor. Ata duan të kenë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë. Në fakt, ashtu si një i krishterë në shekullin e parë me emrin Luka, disa Dëshmitarë të Jehovait janë mjekë.​—Kolosianëve 4:14.

Megjithatë, Dëshmitarët e Jehovait nuk pranojnë ato trajtime që bien në kundërshtim me parimet biblike. Për shembull, nuk pranojnë transfuzionet e gjakut, sepse Bibla e ndalon marrjen e gjakut për të mbajtur në jetë trupin. (Zanafilla 9:4; Levitiku 17:1-14; Veprat 15:28, 29) Gjithashtu, Fjala e Perëndisë ndalon trajtimet ose procedurat shëndetësore që përdorin «fuqi magjike» a spiritizëm.​—Isaia 1:13; Galatasve 5:19-21.

Mjaft specialistë të shëndetësisë sigurojnë trajtime jetëshpëtuese që nuk i kundërshtojnë parimet biblike. Trajtime të tilla, që shumë Dëshmitarë zgjedhin t’i pranojnë, shpesh janë më cilësore se ato trajtime që shpërfillin kërkesat e Perëndisë.

Natyrisht ka opinione të ndryshme kur vjen puna te shëndeti. Ajo që i bën mirë dikujt, mund të mos e ndihmojë një tjetër. Kështu, ata që kërkojnë një diagnozë dhe trajtim profesional të saktë të një sëmundjeje, mund të dëshirojnë të marrin një mendim të dytë mjekësor.​—Proverbat 14:15.

Jo çdo Dëshmitar zgjedh të njëjtin trajtim mjekësor. Kur nuk shkelet asnjë ligj biblik, Fjala e Perëndisë u lë vend të krishterëve për zgjedhje të ndryshme në bazë të ndërgjegjes. (Romakëve 14:2-4) Pra, secili duhet të kërkojë të dhëna për çdo trajtim që i propozohet, që të sigurohet se trajtimi nuk bie në kundërshtim me ndërgjegjen e stërvitur sipas Biblës.​—Galatasve 6:5; Hebrenjve 5:14.

Një Dëshmitar do ta shohë marrjen e çdo vendimi të tillë, si të ishte shofer që i afrohet një kryqëzimi me trafik të dendur. Nëse thjesht ndjek makinat që ka para dhe i jep shpejt në kryqëzim, mund të shkaktojë pasoja të rënda. Një shofer i mençur e ngadalëson shpejtësinë dhe merr parasysh trafikun para se të vazhdojë. Po ashtu, Dëshmitarët nuk nxitohen për të marrë vendime në lidhje me shëndetin e as ndjekin verbërisht opinionin e shumicës. Përkundrazi, i peshojnë mirë mundësitë dhe shqyrtojnë parimet biblike para se të marrin një vendim.

Pa dyshim që Dëshmitarët e Jehovait e çmojnë punën e palodhur dhe përkushtimin e atyre që sigurojnë kujdes mjekësor. Gjithashtu janë mirënjohës për lehtësimin e dëshiruar nga sëmundja që këta individë japin.