A TË kanë thënë ndonjëherë një sekret? . . . * Ka një sekret që dua të ta them. Në Bibël ai quhet ‘sekreti i shenjtë, që është ruajtur në heshtje që nga kohët shumë të hershme’. (Romakëve 16:25) Në fillim, vetëm Perëndia e dinte ‘sekretin e shenjtë’. Le të shohim se si u kujdes Perëndia që ky sekret t’u bëhej i njohur shumë vetave.

Si fillim, a e di çfarë do të thotë fjala ‘i shenjtë’? . . . Ajo do të thotë i pastër ose shumë i veçantë. Pra, quhet sekret i shenjtë, sepse është nga Perëndia, i cili është i shenjtë. Cilët mendon se donin ta dinin këtë sekret të shenjtë? . . . Engjëjt. Bibla thotë: «Pikërisht këto gjëra engjëjt kanë dëshirë të ndalen e t’i shikojnë.» Po, ata donin ta kuptonin këtë sekret të shenjtë.1 Pjetrit 1:12.

Kur Jezui erdhi në tokë, foli për sekretin e shenjtë dhe filloi ta shpjegonte atë. Ai u tha dishepujve: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretin e shenjtë të mbretërisë së Perëndisë.» (Marku 4:11) A e vure re për çfarë bën fjalë sekreti i shenjtë? . . . Për Mbretërinë e Perëndisë, për të cilën Jezui na mësoi të lutemi.Mateu 6:9, 10.

Le të shohim tani se si Mbretëria e Perëndisë ishte një sekret «që nga kohët shumë të hershme». Pasi Adami dhe Eva thyen ligjin e Perëndisë dhe u nxorën nga kopshti i Edenit, shërbëtorët e Perëndisë arritën të kuptonin se Perëndia ende kishte si qëllim ta kthente gjithë tokën në një parajsë. (Zanafilla 1:26-28; 2:8, 9; Isaia 45:18) Ata shkruan sa të lumtur do të jenë njerëzit në tokë nën Mbretërinë e Perëndisë. Gjithsesi, nuk e kuptonin plotësisht si do të ndodhte kjo. Gjërat ndryshuan kur Jezui erdhi në tokë dhe filloi të fliste për këtë Mbretëri.Psalmi 37:11, 29; Isaia 11:6-9; 25:8; 33:24; 65:21-24.

Tani mendo pak për sundimtarin e Mbretërisë së Perëndisë. A e di kë zgjodhi Perëndia si sundimtar të saj? . . . Birin e tij, ‘Princin e paqes’, Jezu Krishtin. «Mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror»,—thotë Bibla. (Isaia 9:6, 7) Të gjithë duhet të marrim «njohurinë e . . . sekretit të shenjtë të Perëndisë, domethënë, Krishtit». (Kolosianëve 2:2) Duhet ta dimë se Perëndia e mori jetën e engjëllit të parë që krijoi (Birit frymor), dhe e futi brenda barkut të Marisë. Ky Bir, që kishte qenë një engjëll i fuqishëm, u bë ai të cilin Perëndia e dërgoi në tokë si flijim që ne të kemi jetë të përhershme.Mateu 20:28; Gjoni 3:16; 17:3.

Gjithsesi, në lidhje me këtë sekret, nuk mjafton të dimë vetëm se Perëndia ka zgjedhur Jezuin si Sundimtar të Mbretërisë  së tij. Pjesë e sekretit të shenjtë është fakti që ka edhe të tjerë që do të jenë me Jezuin e ringjallur në qiell, si burra, ashtu edhe gra. Këta do të sundojnë me Jezuin në qiell.Efesianëve 1:8-12.

Le t’i mësojmë emrat e disa prej atyre që do të sundojnë me Jezuin në qiell. Jezui u tha apostujve të tij besnikë se po shkonte në qiell t’u përgatiste një vend. (Gjoni 14:2, 3) Duke u hedhur një sy shkrimeve vijuese, do të shohësh emrat e disa burrave dhe grave të cilët do të sundojnë me Jezuin në Mbretërinë e Atit të tij.Mateu 10:2-4; Marku 15:39-41; Gjoni 19:25.

Për një kohë të gjatë nuk dihej sa veta do të sundonin në qiell me Jezuin e do të ishin pjesë e Mbretërisë së tij. Por tani e dimë këtë numër. Po ti, a e di? . . . Bibla thotë se janë 144.000 veta. Edhe kjo është pjesë e sekretit të shenjtë.Zbulesa 14:1, 4.

A je dakord se ky ‘sekret i shenjtë i mbretërisë së Perëndisë’ është sekreti më i mrekullueshëm që dikush mund të marrë vesh? . . . Nëse po, le të përpiqemi të mësojmë gjithçka mundemi rreth tij, që të jemi në gjendje t’ua shpjegojmë këto gjëra sa më shumë njerëzve të mundemi.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.