A I DËGJON të gjitha lutjet Perëndia? Shpesh, në botën e sotme mendohet se kjo është e vërtetë. Ky koncept u duket tërheqës shumë vetave që mbështetin lëvizjet për bashkimin e feve dhe që duan t’i bëjnë të pranueshme të gjitha fetë edhe pse janë të ndryshme. Megjithatë, a ka mundësi që kjo ide të mos jetë e vërtetë?

Bibla mëson se shumë lutje nuk i drejtohen personit të duhur. Në kohën kur u shkrua Bibla, ishte e zakonshme që njerëzit t’u luteshin shëmbëlltyrave të gdhendura. Megjithatë, Perëndia i paralajmëroi në mënyrë të përsëritur për këtë praktikë. Për shembull, Psalmi 115:4-6 thotë për idhujt: «Kanë veshë, por s’mund të dëgjojnë.» Pika është e qartë. Pse t’i lutesh një Perëndie që kurrë nuk do të të dëgjojë?

Një tregim i gjallë biblik e shtjellon më shumë këtë pikë. Profeti i vërtetë Elija i sfidoi profetët e Baalit që t’i luteshin perëndisë së tyre e më pas Elija t’i lutej Perëndisë së vet. Elija tha se Perëndia i vërtetë do të përgjigjej, kurse perëndia i rremë jo. Profetët e Baalit e pranuan sfidën dhe u lutën gjatë e me përgjërim, madje me klithma të forta—por më kot. Tregimi thotë: «S’u përgjigj njeri dhe askush s’ua vuri veshin.» (1 Mbretërve 18:29) Por ç’ndodhi kur u lut Elija?

Pasi Elija u lut, Perëndia i tij iu përgjigj menjëherë duke dërguar zjarr nga qielli për të përpirë blatimin që kishte paraqitur Elija. Cili ishte ndryshimi? Në lutjen e Elijas gjendet një e dhënë jetësore, siç dokumentohet te 1 Mbretërve 18:36, 37. Është një lutje shumë e shkurtër, vetëm rreth 30 fjalë në hebraishten origjinale. Gjithsesi, në ato pak fjalë, Elija iu drejtua tri herë Perëndisë me emrin e tij personal: Jehova.

Baali, që do të thotë «pronar» ose «zotëri», ishte perëndia i kananitëve dhe kishte shumë versione vendëse për këtë hyjni. Ndërsa Jehova është emër unik, i përshtatet vetëm një Personi në gjithë universin. Ky Perëndi i tha popullit të tij: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im. Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër.»—Isaia 42:8.

A ishin të pranueshme të dyja lutjet: ajo e Elijas dhe e profetëve të Baalit? Adhurimi i Baalit e zvetënonte popullin me prostitucion ritual e madje edhe me flijimin e njerëzve. Krejt ndryshe, adhurimi i Jehovait e fisnikëronte popullin e tij, Izraelin, dhe e mbante të lirë nga praktika të tilla zvetënuese. Pra, mendo pak: nëse i çon një letër një  miku tejet të respektuar, a pret që t’i dërgohet dikujt me emër tjetër dhe me reputacion të keq, krejt ndryshe nga miku? Ta pret mendja që jo.

Sfida që Elija u bëri profetëve të Baalit tregoi se Perëndia nuk i dëgjon të gjitha lutjet

Nëse i lutesh Jehovait, po i lutesh Krijuesit, Atit të njerëzimit. * «Ti, o Jehova, je Ati ynë»,—tha në lutje profeti Isaia. (Isaia 63:16) Ky është pikërisht Ai për të cilin foli Jezui kur u tha dishepujve: «Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj.» (Gjoni 20:17) Jehovai është Ati i Jezuit. Ai është Perëndia të cilit Jezui iu lut dhe i mësoi dishepujt t’i luteshin.—Mateu 6:9.

A na mëson Bibla t’i lutemi Jezuit, Marisë, shenjtorëve apo engjëjve? Jo, askujt tjetër, veç Jehovait. Le të shohim dy arsye pse. Së pari, lutja është një formë adhurimi dhe Bibla thotë se vetëm Jehovai duhet adhuruar. (Dalja 20:5) Së dyti, Bibla zbulon se ai mban titullin «Dëgjues i lutjes». (Psalmi 65:2) Edhe pse Jehovai u jep shumë përgjegjësi të tjerëve, këtë përgjegjësi nuk ia ka dhënë kurrë asnjë tjetri. Ai është Perëndia që premton se do t’i dëgjojë vetë lutjet tona.

Prandaj, nëse dëshiron që Perëndia të t’i dëgjojë lutjet, kujto këtë këshillë biblike: «Kushdo që thërret emrin e Jehovait, do të shpëtojë.» (Veprat 2:21) Por, a i dëgjon Jehovai të gjitha lutjet pa asnjë kusht? Apo ka diçka tjetër që duhet të dimë nëse duam që Jehovai të na i dëgjojë lutjet?

^ par. 9 Sipas disa traditave fetare është e gabuar të shqiptosh emrin e Perëndisë, madje edhe në lutje. Por ky emër shfaqet rreth 7.000 herë në gjuhët origjinale të Biblës. Në mjaft raste gjendet te lutjet dhe psalmet e shërbëtorëve besnikë të Jehovait.