Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A ka rëndësi ku dhe kur lutemi?

A ka rëndësi ku dhe kur lutemi?

PA DYSHIM e ke vënë re se shumica e feve të organizuara e vënë theksin te shtëpitë e lutjeve me shumë zbukurime dhe caktojnë orare specifike gjatë ditës për lutjet. A thotë Bibla se lutjet duhen bërë në vende dhe orare të caktuara?

Bibla tregon se ka raste të përshtatshme për t’u lutur. Për shembull, para se të hante me dishepujt, Jezui e falënderoi Perëndinë në lutje. (Luka 22:17) Edhe dishepujt, kur u mblodhën për të adhuruar, u lutën së bashku. Kështu, vazhduan një zakon që kishte kohë që bëhej në sinagogat judaike dhe në tempullin e Jerusalemit. Perëndia donte që tempulli të ishte «shtëpi lutjeje për të gjitha kombet».—Marku 11:17.

Kur shërbëtorët e Perëndisë mblidhen dhe luten së bashku, kërkesat e tyre mund të plotësohen. Nëse grupi është i bashkuar në mendime dhe kërkesat i bëjnë në përputhje me parimet që gjenden në Shkrime, Perëndia është i kënaqur. Madje, lutja mund ta nxitë Perëndinë të bëjë gjëra që përndryshe nuk do t’i bënte. (Hebrenjve 13:18, 19) Dëshmitarët e Jehovait luten rregullisht në mbledhjet e tyre. Të ftojmë përzemërsisht të shkosh te një Sallë Mbretërie që e ke afër dhe t’i dëgjosh vetë lutje të tilla.

Gjithsesi, Bibla nuk i kufizon lutjet vetëm në një kohë dhe vend të caktuar. Në Bibël lexojmë për shërbëtorë të Perëndisë që janë lutur në kohë dhe vende të ndryshme. Jezui tha: «Kur të lutesh, hyr në dhomën tënde dhe, pasi të kesh mbyllur derën, lutju Atit tënd që është në fshehtësi. Atëherë Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.»—Mateu 6:6.

Mund të lutemi kurdo dhe kudo

A nuk është kjo një ftesë tërheqëse? Vërtet, mund t’i afrohesh Sovranit të universit në çdo moment, vetëm për vetëm me të, dhe ji i sigurt se do të kesh vëmendjen e tij. Ja pse nuk çuditemi që Jezui shpesh donte të rrinte vetëm që të lutej. Një herë, ai kaloi gjithë natën duke iu lutur Perëndisë, me sa duket që t’i kërkonte drejtim për një vendim shumë të rëndësishëm.—Luka 6:12, 13.

Në Bibël përmenden burra dhe gra të tjera që u lutën kur hasën vendime të vështira ose probleme të mëdha. Nganjëherë u lutën me zë dhe nganjëherë në heshtje; u lutën me të tjerë dhe vetëm. Gjëja më e rëndësishme është se ata u lutën. Madje Perëndia i fton shërbëtorët e tij: «Lutuni pa pushim.» (1 Selanikasve 5:17) Ai është i gatshëm t’i dëgjojë pambarimisht ata që bëjnë vullnetin e tij. A nuk është kjo një ftesë e dashur?

Sigurisht, në botën e sotme cinike, shumë veta pyesin veten për vlerën praktike të lutjes. Mund të të lindë pyetja: «A do të më ndihmojë vërtet lutja?»