Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë përfshin të njohësh emrin e Perëndisë?

Çfarë përfshin të njohësh emrin e Perëndisë?

A KA ndonjë domethënie të veçantë emri yt? Në disa vende e kanë zakon t’i vënë fëmijës një emër me domethënie. Emri i zgjedhur mund të pasqyrojë bindjet dhe vlerat e prindërve ose shpresat dhe ëndrrat e tyre për të ardhmen e fëmijës.

Të vësh emra me domethënie, nuk është diçka e re. Në kohët biblike, zakonisht emrat viheshin për shkak të kuptimit që përcillnin. Emrat mund të tregonin se çfarë roli pritej të kishte dikush në jetë. Për shembull, kur Jehovai i tregoi Davidit për rolin e ardhshëm të djalit të tij, Solomonit, Ai i tha: «Solomon [nga rrënja e një fjale që do të thotë «Paqe»] do ta ketë emrin dhe në ditët e tij unë do t’i fal Izraelit paqe e qetësi.»1 Kronikave 22:9.

Nganjëherë Jehovai i ka ndryshuar emrin dikujt që do të kishte një rol të ri. Gruas shterpë të Abrahamit iu dha emri Sara, që do të thotë «princeshë». Pse? Jehovai shpjegoi: «Unë do ta bekoj atë, dhe nga ajo do të të jap një djalë. Unë do ta bekoj, dhe nga ajo do të vijnë kombe dhe mbretër popujsh.» (Zanafilla 17:16) Pa dyshim, për të kuptuar pse Sarës iu dha një emër tjetër duhej kuptuar roli i saj i ri.

Ç’të themi për emrin më të rëndësishëm nga të gjithë—Jehova? Cili është kuptimi i tij? Kur Moisiu e pyeti Perëndinë se cili ishte emri i Tij, Jehovai iu përgjigj: «Unë do të bëhem çdo gjë që dua të bëhem.» (Dalja 3:14) Përkthimi i Rotherhamit thotë: «Unë do të bëhem çfarëdo që të më pëlqejë.» Emri Jehova zbulon se ai është një Perëndi që merr përsipër shumë role. Të bëjmë një ilustrim të thjeshtë: çdo ditë, në bazë të nevojave që lindin, një nëne mund t’i duhet të marrë përsipër shumë role ndërsa kujdeset për fëmijët e saj. Për shembull, ajo duhet të jetë infermiere, kuzhiniere, mësuese. Diçka e ngjashme është edhe me Jehovain, edhe pse në një nivel shumë më të lartë. Që të përmbushë qëllimin e tij të dashur për njerëzimin, ai mund të bëhet çfarëdo që t’i pëlqejë, duke marrë përsipër çfarëdo roli të nevojshëm. Kështu, njohja e emrit të Jehovait përfshin të kuptojmë dhe të vlerësojmë rolet e tij të shumta.

Është e trishtueshme që bukuria e personalitetit të Perëndisë është e fshehur për ata që nuk e njohin vërtet emrin e tij. Gjithsesi, duke studiuar Biblën, ti mund të kuptosh e të vlerësosh rolet e Jehovait si Këshilltar i mençur, Shpëtimtar i fuqishëm dhe Dhënës bujar, për të përmendur vetëm disa prej tyre. Domethënia e pasur e emrit të Jehovait është vërtet mahnitëse.

Sidoqoftë, të njohësh vërtet emrin e Perëndisë nuk është gjithmonë e lehtë. Artikulli vijues do të tregojë arsyen.