Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A mund ta njohësh vërtet emrin e Perëndisë?

A mund ta njohësh vërtet emrin e Perëndisë?

Të përshëndetësh dhe t’i drejtohesh me emër një njeriu të rëndësishëm, është një nder. Njerëzve me pozitë të lartë shpesh u drejtohen me tituj, si «zoti president», «madhëria juaj» ose «i nderuar». Prandaj, do të ndiheshe i privilegjuar nëse dikush me shumë autoritet do të të thoshte: «Më thirr me emër, të lutem.»

PERËNDIA i vërtetë na thotë në Fjalën e tij të shkruar, në Bibël: «Unë jam Jehovai. Ky është emri im.» (Isaia 42:8) Ndonëse Jehovai ka shumë tituj të tillë si: «Krijues», «i Plotfuqishëm» dhe «Zotëri Sovran», ai gjithmonë i ka nderuar shërbëtorët e tij besnikë duke i lejuar t’i drejtohen me emrin e tij personal.

Për shembull, profeti Moisi, në një rast filloi t’i përgjërohej Perëndisë duke thënë: «Më fal, o Jehova.» (Dalja 4:10) Në kushtimin e tempullit në Jerusalem, mbreti Solomon e filloi lutjen e tij me fjalët: «O Jehova.» (1 Mbretërve 8:22, 23) Dhe kur profeti Isaia iu drejtua Perëndisë si përfaqësues i popullit të Izraelit, ai tha: «Ti, o Jehova, je Ati ynë.» (Isaia 63:16) Është e qartë se Ati ynë qiellor na fton t’i drejtohemi me emër.

Ndonëse t’i drejtohesh Jehovait me emër është e rëndësishme, të njohësh vërtet emrin e tij, përfshin më shumë. Për atë që e do dhe ka besim tek Ai, Jehovai premton: «Do ta mbroj, sepse njeh emrin tim.» (Psalmi 91:14) Është e qartë pra, se njohja e emrit të Perëndisë duhet të përfshijë shumë gjëra, pasi është një faktor kyç që Ai të na mbrojë. Atëherë, çfarë kërkohet për ta njohur vërtet emrin e Jehovait?