A TË pëlqen të lexosh me familjen për Jezuin? . . .  * Disa njerëz çuditen kur mësojnë se në Bibël nuk ka asgjë të shkruar nga vetë Jezui. Megjithatë, tetë shkrimtarë të Biblës na tregojnë shumë për të. Të gjithë jetuan në të njëjtën kohë me Jezuin dhe tregojnë çfarë mësoi ai. A i mban mend me emër të tetë? . . . Ata janë Mateu, Marku, Luka dhe Gjoni. Katër të tjerët janë Pjetri, Jakovi, Juda dhe Pavli. Çfarë di për këta shkrimtarë? . . .

Le të flasim së pari për tre shkrimtarët që ishin edhe ndër 12 apostujt e Jezuit. A e di cilët janë? . . . Pjetri, Gjoni dhe Mateu. Pjetri u shkroi dy letra të bashkëkrishterëve. U tregoi gjëra që Jezui bëri e tha. Hape Biblën te 2 Pjetrit 1:16-18 dhe lexo si e përshkroi Pjetri çastin kur Perëndia Jehova i foli Jezuit nga qielli.—Mateu 17:5.

Apostulli Gjon shkroi pesë libra të Biblës. Ai ishte përkrah Jezuit në darkën e fundit që dishepujt hëngrën me Zotërinë. Gjoni ishte me Jezuin edhe kur Ai vdiq. (Gjoni 13:23-26; 19:26) Gjoni shkroi një nga katër tregimet biblike për jetën e Jezuit që quhen Ungjijtë. Shkroi edhe Zbulesën që ia dha Jezui dhe tri letrat që në Bibël mbajnë emrin e tij. (Zbulesa 1:1) Shkrimtari i tretë i Biblës që u bë apostull i Jezuit, ishte Mateu. Ai kishte qenë taksambledhës.

Dy shkrimtarë të tjerë biblikë e njihnin Jezuin në mënyrë të veçantë. Ata e kishin vëlla nga nëna, ishin fëmijë të Jozefit dhe Marisë. (Mateu 13:55) Nuk u bënë dishepuj të Jezuit që në fillim. Madje menduan se ai ishte disi i çmendur ngaqë predikonte me zell. (Marku 3:21) Kush ishin këta? . . . Njëri është Jakovi. Ai shkroi librin biblik të Jakovit. Tjetri është Juda, që shkroi librin me emrin e tij.—Juda 1.

Dy të tjerë që shkruan për jetën e Jezuit janë Marku dhe Luka. Nëna e Markut, Maria, kishte një shtëpi të madhe në Jerusalem, ku mblidheshin të krishterët e parë, madje edhe apostulli Pjetër. (Veprat 12:11, 12) Disa vite më parë, natën kur Jezui mbajti Pashkën e fundit me dishepujt, ka mundësi të ketë qenë Marku që i ndoqi në kopshtin e Getsemanisë. Kur Jezuin e arrestuan, ushtarët e kapën Markun, por ai u iku, duke u lënë në duar veshjen e tij.—Marku 14:51, 52.

Luka ishte mjek i arsimuar, që me sa duket u bë dishepull pasi vdiq Jezui. Ai me kujdes mblodhi informacione për jetën e Jezuit dhe shkroi një tregim të qartë dhe të saktë rreth tij. Më vonë u  bë shok udhëtimi i apostullit Pavël, si edhe shkroi librin biblik të Veprave.—Luka 1:1-3; Veprat 1:1.

Pavli është shkrimtari i tetë biblik që shkroi për Jezuin. Ai mori mësime nga Gamalieli, avokati i famshëm. I rritur dhe i mësuar nga farisenjtë, Pavli, që më parë quhej Saul, i urrente dishepujt e Jezuit dhe kishte gisht në vrasjen e tyre. (Veprat 7:58–8:3; 22:1-5; 26:4, 5) A e di si ndodhi që ai mësoi të vërtetën për Jezuin? . . .

Pavli ishte rrugës për në Damask që të arrestonte dishepujt e Jezuit kur, papritur, u verbua nga një dritë e fortë nga qielli. Ai dëgjoi një zë që i tha: «Saul, Saul, pse po më përndjek?» Ishte Jezui që po i fliste. Ai i tha Pavlit të hynte në Damask. Pastaj Jezui i tha dishepullit Anania të shkonte të fliste me Pavlin dhe ai u bë dishepull. (Veprat 9:1-18) Pavli shkroi 14 libra të Biblës, duke filluar nga Romakët deri te Hebrenjve.

A i lexon librat e Biblës që flasin për Jezuin ose a t’i lexon dikush? . . . Një nga gjërat më të mira që mund të bësh në jetë është të lexosh për Jezuin tani që je i vogël e të mësosh se çfarë thotë Bibla për të.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.