Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A është Bibla Fjala e Perëndisë?

A është Bibla Fjala e Perëndisë?

«I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për të mësuar, për të qortuar, për të ndrequr dhe për të disiplinuar në drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë krejtësisht i zoti, plotësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.»2 TIMOTEUT 3:16, 17.

SA TË fuqishme këto fjalë të apostullit Pavël që përshkruajnë vlerën e pashoqe të Biblës! Kuptohet, ai e kishte fjalën konkretisht për atë pjesë të Biblës që ekzistonte në atë kohë, domethënë shkrimet që ndonjëherë njerëzit i quajnë Dhiata e Vjetër. Por në parim, fjalët e tij vlejnë njësoj për të 66 librat e Biblës, përfshirë edhe ata që janë shkruar nga dishepujt e besueshëm të Jezuit në shekullin e parë të e.s.

A e vlerëson Biblën aq shumë sa Pavli? A mendon se shkrimtarët e Biblës ishin vërtet të frymëzuar nga Perëndia? Të krishterët e shekullit të parë ishin të këtij mendimi. Edhe në shekujt më pas, kjo ka qenë bindja e të krishterëve të vërtetë. Për shembull, kleriku anglez i shekullit të katërmbëdhjetë Xhon Uajklif e shihte Biblën si «e vërteta e padiskutueshme». Duke komentuar fjalët e Pavlit që cituam më sipër, një fjalor biblik shprehet se «frymëzimi [nga Perëndia] na garanton se gjithçka që pohon Bibla është e vërtetë».The New Bible Dictionary.

Ndryshon pikëpamja për Biblën

Megjithatë, kohët e fundit, besimi te Bibla si autoritet është venitur. Manuali The World’s Religions thotë: «Teorikisht, të gjithë të krishterët e pranojnë [akoma] Biblën si autoritet, si udhërrëfyese për veprimet e tyre  dhe si modeluese për bindjet e tyre.» Por, praktikisht, kjo nuk ndodh më. Shumë njerëz tani e konsiderojnë Biblën veçse «një dokumentim traditash njerëzore jo të besueshëm». Edhe pse e pranojnë që shkrimtarët e Biblës ishin shumë besimtarë, i konsiderojnë ata veçse njerëz të gabueshëm që bënë çmos të shpjegonin të vërteta të thella të besimit, por që u mungonte njohuria dhe kuptueshmëria që kemi sot.

Faktikisht, shumë pak njerëz sot udhëhiqen vërtet nga Bibla në mendimet dhe veprimet e tyre. Për shembull, sa shpesh i dëgjon njerëzit të thonë se normat e moralit në Bibël janë të vjetra dhe jopraktike? Shumë i zbutin pa problem ligjet dhe parimet e Biblës, madje i shpërfillin fare kur nuk u leverdis. Disa që e mbajnë veten për të krishterë, e shpërfillin hapur atë që thotë Bibla për kurvërinë, kurorëshkeljen, pandershmërinë dhe dehjen.1 Korintasve 6:9, 10.

Pse ndodh kjo? Një arsye u zbulua në fillim të shekullit të 20-të nga arkeologu sër Çarls Marstën në librin e tij Bibla është e vërtetë (anglisht). Ai thoshte se njerëzit menjëherë «i pranonin pa bërë zë shumë nga spekulimet e shkrimtarëve modernë» që sulmonin besueshmërinë e Biblës. A ndodh edhe sot kjo? Si duhet t’i konsiderosh mendimet dhe teoritë e studiuesve që minojnë besimin te Bibla? Shih se çfarë thotë artikulli tjetër për këtë.