A TË ndodh ndonjëherë të shkurajohesh aq sa të duash të heqësh dorë? * Shumë njerëzve u ndodh. Edhe Jeremia u shkurajua kur ishte i ri. Por, ai nuk u spraps nga ajo që thoshin e bënin të tjerët. Le të shohim përse ishte i veçantë Jeremia për Perëndinë, megjithëse donte të hiqte dorë.

Para se të lindte Jeremia, Perëndia i vërtetë, Jehovai, e zgjodhi si profet për t’i shpallur popullit se nuk ishin të miratuar para Tij. A e dini se çfarë i tha Jeremia Jehovait vite më vonë?—«Unë nuk di të flas, sepse s’jam veçse një djalosh.»

Si mendon se iu përgjigj Jehovai Jeremisë?—Me butësi, por me vendosmëri, ai i tha: «Mos thuaj: ‘S’jam veçse një djalosh’, por do të shkosh te të gjithë ata ku do të të dërgoj, dhe do të thuash gjithçka që do të të urdhëroj. Mos ki frikë.» Pse jo? «Unë jam me ty për të të çliruar»,—i premtoi Jehovai.Jeremia 1:4-8.

Prapëseprapë, siç thamë më lart, Jeremia më vonë u shkurajua, ngaqë njerëzit e tallnin sepse i shërbente Perëndisë. ‘Të gjithë më përqeshin dhe më tallin tërë ditën’,—tha ai. Kështu që vendosi të hiqte dorë nga caktimi i tij. «Nuk do ta përmend më [Jehovain] dhe nuk do të flas më në emër të tij»,—tha ai. Por, a hoqi dorë vërtet?

‘Fjala e Jehovait,—tha Jeremia,—ishte në zemrën time si një zjarr përvëlues i mbyllur në kockat e mia. U lodha duke ndenjur në heshtje.’ (Jeremia 20:7-9) Edhe pse Jeremia ndonjëherë frikësohej, dashuria për Jehovain nuk e linte të dorëzohej. Le të shohim se si e mbrojti Jehovai Jereminë ngaqë nuk hoqi dorë nga caktimi i tij.

Jehovai i tha Jeremisë të paralajmëronte se Jerusalemi do të shkatërrohej nëse populli nuk hiqte dorë nga rruga e keqe. Kur Jeremia e shpalli këtë paralajmërim, populli u inatos dhe tha: «Ky njeri e ka hak dënimin me vdekje.» Megjithatë, Jeremia iu përgjërua atyre që ‘t’i bindeshin zërit të Jehovait’.  Pastaj tha: ‘Ta dini se po të më vritni mua, keni vrarë një njeri të pafajshëm, sepse ishte Perëndia që më dërgoi të flisja me ju.’ A e di çfarë ndodhi pastaj?

Bibla thotë: «Princat dhe gjithë populli u thanë priftërinjve e profetëve: ‘Ky njeri nuk e ka fare hak dënimin me vdekje, sepse na ka folur në emër të Jehovait, Perëndisë tonë.’» Kështu, kur Jehovai pa që Jeremia nuk e la caktimin nga frika, Ai e mbrojti. Le të shohim tani se çfarë ndodhi me Urijahun, një profet tjetër i Jehovait, që veproi krejt ndryshe.

‘Urijahu profetizonte kundër Jerusalemit me të njëjtat fjalë si Jeremia’,—thuhet në Bibël. Por kur mbreti Jehojakim u nxeh me Urijahun, a e di çfarë bëri Urijahu?—Atij i hyri frika, hoqi dorë nga vullneti i Perëndisë dhe ia mbathi për në Egjipt. Por mbreti dërgoi disa burra që ta kapnin dhe ta çonin tek ai. Kur e çuan para tij, a e di çfarë bëri mbreti i keq?—Ai e vrau Urijahun me shpatë.Jeremia 26:8-24.

Pse mendon ti se Jehovai e mbrojti Jereminë, kurse Urijahun nuk e mbrojti?—Jeremia mund të jetë frikësuar, ashtu si edhe Urijahu, por Jeremia nuk e la shërbimin ndaj Jehovait dhe nuk ia mbathi. Ai nuk hoqi dorë. Ç’mësim mund të nxjerrim nga shembulli i Jeremisë?—Që ndonjëherë mund ta kemi të vështirë të bëjmë atë që na thotë Perëndia, por gjithmonë duhet të kemi besim tek ai dhe t’i bindemi.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.