BIBLA është libri më i shpërndarë gjatë gjithë historisë. Sipas llogaritjeve, deri tani janë shpërndarë 4.8 miliardë kopje. Vetëm në vitin 2007, u botuan më shumë se 64.600.000 kopje. Sa për të pasur një ide, libri artistik më i shitur atë vit në fillim pati një tirazh prej 12 milionë kopjesh në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa bëhej libri më i botuar në botë, Bibla kapërceu shumë rreziqe. Gjatë historisë, është ndaluar e djegur si libër dhe ata që donin ta përkthenin, janë përndjekur e vrarë. Por, një nga kërcënimet më të mëdha kundër mbijetesës së Biblës nuk kanë qenë përndjekjet e befta intensive, por procesi i ngadaltë i dekompozimit. Si është e mundur?

Bibla përbëhet nga 66 libra të vegjël. Më të vjetrit prej tyre u shkruan mbi 3.000 vjet më parë nga pjesëtarë të kombit të Izraelit. Shkrimtarët dhe kopjuesit i dokumentuan mesazhet e frymëzuara në materiale të prishshme, si papirusi dhe lëkura. Deri tani, nuk është zbuluar asnjë prej shkrimeve origjinale. Por, janë zbuluar me mijëra fragmente të vogla e të mëdha nga kopje të lashta të librave të Biblës. Një fragment nga një prej këtyre librave, nga Ungjilli i Gjonit, daton vetëm pak dekada pasi apostulli Gjon kishte shkruar dokumentin origjinal.

«Transmetimi i tekstit të Biblës Hebraike [Besëlidhjes së Vjetër] është i një saktësie të jashtëzakonshme, e paparë në literaturën klasike greke dhe latine.»—Profesori Hulio Treboje Barrera.

Pse është e jashtëzakonshme që disa kopje të Biblës kanë mbijetuar? Dhe sa saktë e pasqyrojnë Biblat e sotme mesazhin origjinal të dokumentuar nga shkrimtarët?

Ç’ndodhi me dokumentime të tjera të lashta?

Mbijetesa e Biblës është e jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se çfarë ndodhi me dokumentimet e kombeve bashkëkohëse të Izraelit. Fenikasit, për shembull, ishin fqinjë me izraelitët gjatë mijëvjeçarit të parë p.e.s. Këta tregtarë detarë e përhapën sistemin e tyre të shkrimit alfabetik në të gjithë Mesdheun. Ata gjithashtu nxirrnin fitime nga një tregti e madhe papirusi me Egjiptin dhe botën greke. Pavarësisht nga kjo, revista National Geographic vëren në lidhje me fenikasit: «Dokumentimet e tyre, të shkruara kryesisht në papirus të dobët, u shpërbënë—prandaj ne sot i njohim fenikasit kryesisht nga dokumentimet e paanshme të armiqve të tyre. Edhe pse, siç thuhet, vetë fenikasit kishin një literaturë të pasur, ajo humbi tërësisht që në antikitet.»

Po për dokumentimet e egjiptianëve të lashtë ç’mund të themi? Hieroglifet që ata gdhendnin ose shkruanin me bojë mbi muret e tempullit dhe gjetkë, janë mjaft të njohura. Egjiptianët janë gjithashtu të famshëm për përpunimin e papirusit si material për të shkruar. Megjithatë, në lidhje me dokumentimet egjiptiane të shkruara në papirus, egjiptologu K. A. Kiçen thotë: «Sipas llogaritjeve, 99 për qind e të gjitha papiruseve të shkruara afërsisht nga viti 3000 e deri në fillim të epokës greko-romake, janë shpërbërë tërësisht.»

 Po dokumentimet romake që u shkruan në papirus? Të marrim një shembull. Sipas librit Dokumentimet e ushtrisë romake në papirus (anglisht), ushtarët romakë paguheshin me sa duket tri herë në vit dhe pagesat dokumentoheshin në dëftesë pagese në papirus. Është llogaritur se gjatë 300 vjetëve nga sundimi i Augustit (27 p.e.s.–14 të e.s.) e deri tek ai i Dioklecianit (284-305 të e.s.), janë shkruar 225.000.000 dëftesa pagese. Sa kanë arritur deri në ditët tona? Janë gjetur vetëm dy të lexueshme.

Pse kanë mbijetuar kaq pak dokumentime të lashtësisë të shkruara në papirus? Materialet që shpërbëhen, si papirusi dhe lëkura, një material tjetër i zakonshëm për të shkruar, dekompozohen shpejt në klimat e lagështa. The Anchor Bible Dictionary thotë: «Për shkak të klimës, dokumentimet në papirus nga kjo periudhë [mijëvjeçari i parë p.e.s.] mund të ruheshin vetëm po të ishin në një shkretëtirë të thatë dhe brenda një shpelle ose vendi të mbrojtur.»

Po dokumentimet biblike?

Librat biblikë me sa duket u shkruan në fillim në materiale po aq të dobëta sa ato që përdornin fenikasit, egjiptianët dhe romakët. Po si është e mundur që teksti biblik mbijetoi dhe u bë libri më i botuar në botë? Profesori Xhejms L. Kugël jep një shpjegim. Ai thotë se shkrimet origjinale u kopjuan «shumë, shumë herë edhe gjatë kohëve që Bibla shkruhej».

Po si janë përkthimet e sotme të Biblës në krahasim me dorëshkrimet e lashta? Profesor Hulio Treboje Barrera, pjesëtar i skuadrës së ekspertëve përgjegjës për të studiuar dhe botuar dorëshkrimet e lashta të njohura si Rrotullat e Detit të Vdekur, thotë: «Transmetimi i tekstit të Biblës Hebraike është i një saktësie të jashtëzakonshme, e paparë në literaturën klasike greke dhe latine.» Studiuesi biblik i respektuar F. F. Brusi thotë: «Provat që kemi tani për shkrimet e Besëlidhjes së Re janë më të shumta se provat për mjaft vepra të autorëve klasikë, autenticiteti i të cilave nuk vihet në dyshim nga askush.» Ai vazhdon: «Nëse Besëlidhja e Re do të ishte një përmbledhje shkrimesh jofetare, autenticiteti i tyre në përgjithësi do të ishte përtej çdo dyshimi.» Sigurisht, Bibla është një libër i jashtëzakonshëm. A përpiqeni ta lexoni çdo ditë?1 Pjetrit 1:24, 25.

Sot ekzistojnë ende rreth 6.000 kopje të shkruara me dorë të Shkrimeve Hebraike, ose të Besëlidhjes së Vjetër, dhe rreth 5.000 kopje të Shkrimeve Greke, ose të Besëlidhjes së Re