Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

  Si të kemi një familje të lumtur?

Kur një nga bashkëshortët ka nevojë për përkujdesje të veçantë

Kur një nga bashkëshortët ka nevojë për përkujdesje të veçantë

Që kur u diagnostikova me sindromën e rraskapitjes kronike, jetojmë vetëm me rrogën e burrit. Por, ai nuk flet kurrë me mua për faturat që janë për t’u paguar. Pse nuk më përfshin fare në këto gjëra? Gjendja jonë financiare duhet të jetë aq keq sa ai e di që do të më zërë paniku po ta marr vesh.—Nensi. *

MARTESA mund të jetë e vështirë, po kur njëri nga bashkëshortët ka sëmundje kronike e tjetri jo, ajo ndërlikohet edhe më shumë. * A të duhet të kujdesesh për bashkëshortin tënd të sëmurë? Nëse po, a të shqetëson ndonjë nga pyetjet e mëposhtme: «Si do t’ia bëj nëse shëndeti i tij ose i saj keqësohet edhe më shumë? Për sa kohë do të jem në gjendje të vazhdoj të kujdesem për të dhe gjithashtu të merrem me gatimin, pastrimin dhe punën time? Pse ndihem fajtor që nuk jam unë i sëmuri?»

Nga ana tjetër, nëse i sëmuri je ti, mund të pyesësh: «Si mund të kem respekt për veten kur nuk jam në gjendje të mbaj pjesën time të përgjegjësisë? A është mërzitur bashkëshorti me mua ngaqë jam sëmurë? Kaq e pati lumturia jonë si çift?»

Mjerisht, disa martesa nuk i kanë mbijetuar tensionit të shkaktuar nga një sëmundje kronike. Por nuk është e thënë që martesa jote do të marrë fund patjetër.

Shumë martesa mbijetojnë e madje janë të suksesshme, pavarësisht nga ndonjë sëmundje kronike. Një shembull janë Joshiaki dhe Kazuko. Nga një dëmtim në shtyllën kurrizore, Joshiaki nuk është në gjendje të bëjë as lëvizjen më të vogël pa ndihmë. Kazuko shpjegon: «Burri im ka nevojë për ndihmë në çdo gjë. Ngaqë kujdesem për të, më dhembin qafa, shpatulla e krahët dhe jam nën kujdesin e mjekëve ortopedë. Shpesh mendoj se të përkujdesesh për dikë është tepër e vështirë.» Por, pavarësisht nga vështirësitë, Kazuko thotë: «Lidhja jonë si çift është bërë më e fortë.»

Atëherë, cili është sekreti i lumturisë në rrethana të tilla? Ata që vazhdojnë të gjejnë në një masë të arsyeshme kënaqësi në martesë, e shohin sëmundjen si një sulm jo vetëm ndaj bashkëshortit të sëmurë, por ndaj të dyve si çift. Në fund të fundit, nëse njëri është sëmurë, të  dy ndikohen mjaft, edhe nëse në mënyra të ndryshme. Kjo marrëdhënie me varësi reciproke midis burrit dhe gruas përshkruhet te Zanafilla 2:24: «Burri do të lërë babanë dhe nënën e do të lidhet ngushtë me gruan e vet, dhe ata do të bëhen një mish i vetëm.» Pra, kur një nga bashkëshortët vuan nga një sëmundje fizike e vazhdueshme, është tepër e rëndësishme që të dy të bashkëpunojnë për të kapërcyer sfidën.

Për më tepër, studimet tregojnë se çiftet që ruajnë një marrëdhënie të mirë edhe përballë sëmundjeve kronike, e pranojnë situatën e tyre dhe mësojnë mënyra të efektshme për t’u përshtatur me të. Shumë nga aftësitë që kanë fituar në këto raste, u bëjnë jehonë këshillave të Biblës, të cilat vlejnë për çdo kohë. Le të shqyrtojmë tri sugjerimet e mëposhtme.

Kujdesuni për njëri-tjetrin

«Dy janë më mirë se një»,—thuhet te Eklisiastiu 4:9. Pse? Sepse, siç shpjegon vargu 10, «në rëntë njëri, tjetri mund ta ngrejë shokun». A ‘e ngre shokun’ tënd me shprehje vlerësimi?

A mund të gjeni mënyra për të ndihmuar njëri-tjetrin në mënyrë praktike? Jongu, që e ka gruan pjesërisht të paralizuar, thotë: «Përpiqem t’u kushtoj vëmendje nevojave të gruas sime në çdo rast. Sa herë më merr etja, mendoj se edhe ajo mund të ketë etje. Nëse dua të dal dhe të shoh peizazhin e bukur, e pyes nëse do edhe ajo të vijë me mua. Po e përballojmë bashkë dhembjen dhe këtë situatë të vështirë.»

Por, në qoftë se po përkujdeset bashkëshorti për ty, a ka ndonjë gjë që mund ta bësh vetë, pa vënë në rrezik shëndetin tënd? Nëse po, kjo mund të të rritë vlerësimin për veten dhe mund ta ndihmojë bashkëshortin tënd që të vazhdojë të kujdeset për ty.

Në vend që të supozosh se ti e di mënyrën më të mirë për t’u kujdesur për nevojat e bashkëshortit, pse të mos e pyesësh se çfarë do të çmonte më shumë ai ose ajo? Nensi, që përmendëm në fillim të artikullit, i tha burrit të saj se si ndihej ngaqë nuk e dinte gjendjen financiare të familjes. Tani burri i saj përpiqet të komunikojë më shumë me të për këtë çështje.

SUGJERIM: Bëj një listë të mënyrave me të cilat mendon se burri ose gruaja mund të ta lehtësojë situatën e tanishme dhe thuaji edhe bashkëshortit të bëjë të njëjtën gjë. Pastaj shkëmbejini listat. Secili prej jush të zgjedhë me sy realist një ose dy sugjerime që mund të vihen në zbatim.

Bëj një program të ekuilibruar

«Për çdo gjë ka një kohë të caktuar»,—shkroi mbreti i mençur Solomon. (Eklisiastiu 3:1) Megjithatë, ndoshta duket e pamundur të mbash një program të ekuilibruar, duke pasur parasysh ndikimet negative që mund të ketë një sëmundje kronike në rutinën e një familjeje. Çfarë të bëni për të arritur të paktën një ekuilibër të arsyeshëm?

Së bashku mund të bëni rregullisht një shkëputje nga problemet serioze mjekësore. A mund të bëni bashkë ende disa nga gjërat që ju pëlqenin para se të fillonte sëmundja? Nëse jo, a mund të provoni gjëra të reja? Mund të jetë diçka e thjeshtë, si leximi, ose diçka më e vështirë, si mësimi i një gjuhe të huaj. Nëse bëni së bashku gjëra për të cilat sëmundja nuk ju pengon, kjo do të forcojë lidhjen tuaj si «një mish i vetëm» dhe do t’ju bëjë më të lumtur.

Që të arrini një ekuilibër në jetë, a mund të shijoni një hobi së bashku?

Një ndihmë tjetër për të mbajtur ekuilibrin është të qëndroni në shoqërinë e të tjerëve. Bibla thotë te Proverbat 18:1: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste. Ai tërbohet kundër gjithë mençurisë.» A e vure re në këtë varg se veçimi mund të ketë një ndikim të padëshirueshëm në mendje? Por, nëse shoqërohesh rregullisht me të tjerë, kjo mund të të ngrejë moralisht dhe mund të të ndihmojë të kesh përsëri pikëpamjen e duhur për gjërat. Pse të mos marrësh iniciativën e të ftosh dikë për vizitë?

Ndonjëherë, ekuilibri bëhet një problem për bashkëshortin që përkujdeset. Ai mund të marrë përsipër shumë gjëra, dalëngadalë të  rraskapitet dhe të vërë në rrezik shëndetin e tij. Në fund, mund të mos jetë më në gjendje të kujdeset për bashkëshortin e tij të dashur. Prandaj, nëse po kujdesesh për bashkëshortin me sëmundje kronike, mos i shpërfill nevojat e tua. Lër kohë rregullisht që të pushosh për të rimarrë forcat. * Për disa është qetësuese nëse flasin herë pas here për ankthin e tyre me një mik të besuar të të njëjtit seks.

SUGJERIM: Bëj një listë të pengesave që has gjatë përkujdesjes për bashkëshortin. Pastaj bëj një listë të hapave që mund të ndërmarrësh për t’i kapërcyer këto pengesa ose për t’i përballuar më mirë. Në vend që t’i analizosh tepër, pyet veten: «Cila është mënyra më e thjeshtë dhe më e dukshme për të përmirësuar situatën?»

Mbaj një pikëpamje pozitive

Bibla paralajmëron: «Mos thuaj: ‘Si ka mundësi që ditët e mëparshme ishin më të mira se këto?’» (Eklisiastiu 7:10) Pra, mos u përqendro te jeta që do të kishit po të mos ishte sëmundja. Mos harro se në këtë botë, lumturia absolute në njëfarë mënyre është e paarritshme. Sekreti këtu është të pranosh situatën dhe të nxjerrësh më të mirën prej saj.

Çfarë mund të të ndihmojë ty dhe bashkëshortin në këtë aspekt? Bisedoni për bekimet që keni. Kënaquni edhe me përmirësimet sado të vogla të shëndetit tënd. Mendoni për gjërat e bukura që i prisni me padurim në të ardhmen dhe vini synime të arritshme.

Një çift, Shoji dhe Akiko, i kanë zbatuar këshillat e mësipërme dhe kanë pasur rezultate të mira. Pasi Akiko u diagnostikua me fibromialgji, erdhi një moment që atyre iu desh të linin një caktim special në shërbimin e krishterë në kohë të plotë. A u ndien keq? Natyrisht. E megjithatë, Shoji i këshillon ata që janë në rrethana të ngjashme: «Mos u shkurajoni duke menduar për gjërat që nuk mund t’i bëni më. Mbani një pikëpamje pozitive. Edhe nëse të dy keni shpresë se një ditë do t’i ktheheni përsëri rutinës normale, përqendrohuni në jetën që bëni tani, sido që të jetë ajo. Për mua, kjo do të thotë të përqendrohem te gruaja ime dhe ta ndihmoj.» Këto këshilla praktike mund të të ndihmojnë edhe ty nëse bashkëshorti yt ka nevojë për përkujdesje të veçantë.

^ par. 3 Disa emra janë ndryshuar.

^ par. 4 Ky artikull shqyrton situata ku një nga bashkëshortët ka një sëmundje fizike të vazhdueshme. Megjithatë, edhe çiftet që po luftojnë me probleme fizike, për shkak të ndonjë aksidenti, ose me probleme emocionale, si depresioni, mund të nxjerrin dobi nëse zbatojnë materialin e mëposhtëm.

^ par. 20 Në varësi të rrethanave të tua, është e këshillueshme të kërkosh ndihmë të paktën për disa orë në ditë nga specialistë të kujdesit shëndetësor ose nga agjenci lokale, nëse ka në vendin tënd.

PYET VETEN . . .

Për çfarë kemi më shumë nevojë tani unë dhe bashkëshorti?

  • Të flasim më shumë për sëmundjen
  • Të flasim më pak për sëmundjen
  • Të shqetësohemi më pak
  • Të mendojmë më shumë për njëri-tjetrin
  • Të tregojmë interes reciprok pavarësisht nga sëmundja
  • Të shoqërohemi më shumë me të tjerë
  • Të kemi synime të përbashkëta