FEJA e mirë na i fisnikëron mendimet dhe na tregon si të përmirësojmë sjelljen. Na ndihmon ndërsa përpiqemi të bëjmë atë që është e drejtë dhe të bëhemi sa më të mirë. Nga e dimë se feja e mirë i arrin të gjitha këto?

Shih çfarë u shkroi apostulli Pavël të krishterëve të shekullit të parë në Korint, Greqi. Atij qyteti të lashtë i kishte dalë nami për imoralitet. Pavli paralajmëroi: «As kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.» Më tej Pavli shtoi: «Dhe të tillë ishit disa nga ju; por u latë, por u shenjtëruat, por u shfajësuat në emër të Zotit Jezus dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë.» (1 Korintasve 6:9-11, Diodati i Ri) Vër re: feja e mirë i ndihmoi disa që më parë nuk kishin norma morale të bëheshin shërbëtorë të Perëndisë, të pastër e të drejtë.

Nga ana tjetër Bibla paralajmëron: «Do të vijë koha, kur njerëzit nuk do ta durojnë mësimin e shëndoshë, por, simbas ëndjeve të veta, do të bashkojnë rreth vetes mësues për të kënaqur veshin.»2 Timoteut 4:3, Simon Filipaj.

Si janë në këtë aspekt fetë që njeh? A i ndjekin normat e larta morale të Biblës? Apo e zbutin këshillën e qartë që gjendet në Fjalën e Perëndisë, duke u thënë njerëzve vetëm gjëra ‘që u kënaqin veshin’?

Pyetjet e mëposhtme të ndihmojnë të përcaktosh nëse një fe specifike po prodhon fryte të mira. Pra, përse të mos ndalesh pak e t’u përgjigjesh atyre?

TEMA: Martesa.

ÇFARË MËSON BIBLA:

«Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.»—Hebrenjve 13:4, Diodati i Ri.

PYETJA:

A kërkon kjo fe që mes anëtarëve të saj çiftet që jetojnë së bashku të jenë të martuar ligjërisht?

TEMA: Divorci.

ÇFARË MËSON BIBLA:

Kur e pyetën nëse ekzistonte ndonjë arsye e vlefshme që dikush të divorcohej, Jezui tha: «Kush e lëshon gruan e vet—përveç fëlligështisë [kurvërisë, Diodati i Ri]—e martohet me një tjetër grua bën kurorëthyerje.»Mateu 19:9, Simon Filipaj.

PYETJA:

A e respekton kjo fe drejtimin e Jezuit dhe ta lejojë divorcin dhe rimartesën? Nëse po, a e lejon vetëm në rast kurvërie?

TEMA: Morali seksual.

ÇFARË MËSON BIBLA:

«Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që kryen njeriu është jashtë trupit, po ai që kurvëron mëkaton kundër trupit të vet.»1 Korintasve 6:18, Diodati i Ri.

«Femrat e tyre shndërruan marrëdhëniet natyrore me ato kundër natyrës; po kështu  edhe meshkujt—duke lënë marrëdhëniet natyrore me femrën, u dogjën në prirje të ndyra njëri kundrejt tjetrit: kështu—meshkujt me meshkujt, bëjnë fëlligështi e në trup të vet marrin pagën e kobshme të merituar të gabimit të vet.»Romakëve 1:26, 27, Simon Filipaj.

PYETJA:

A mëson kjo fe se imoraliteti seksual, qoftë midis një burri e një gruaje, qoftë midis dy personave të së njëjtës gjini, është mëkat?

TEMA: Me guxim kërkon nga anëtarët e saj të respektojnë normat biblike.

ÇFARË MËSON BIBLA:

«Të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpifës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.» (1 Korintasve 5:11, Diodati i Ri) Çfarë duhet bërë me ata që thonë se janë të krishterë, por mëkatojnë pa u penduar? «Përandaj nxirni të-ligunë jashtë nga mezi juaj»,—thotë Fjala e Perëndisë.1 Korintasve 5:13, Kristoforidhi.

PYETJA:

A ia heq anëtarësinë kjo fe kujtdo që shpërfill pa u penduar normat e Biblës?