BIBLA thotë: «Ay që nukë ka dashuri, nuk’ e njohu Perëndinë; sepse Perëndia është dashuri.» (1 Gjonit 4:8, Kristoforidhi) Prandaj feja e mirë duhet të mësojë dashurinë vëllazërore.

Shumë fe bëjnë një punë të admirueshme për t’u kujdesur për të sëmurët, të moshuarit dhe të varfrit. Ata i nxitin anëtarët e tyre të zbatojnë këshillën e apostullit Gjon, i cili shkroi: «Nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë? Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra  dhe në të vërtetë.»—1 Gjonit 3:17, 18, Diodati i Ri.

Por ç’ndodh kur kombet shkojnë në luftë? A duhet që urdhri i Perëndisë «duaje të afërmin tënd porsi vetveten» të zbatohet në kohë paqeje, por të pezullohet kur një politikan ose mbret vendos të luftojë kundër një kombi tjetër?—Mateu 22:39, Simon Filipaj.

Jezui tha: «Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35, Diodati i Ri) Teksa u përgjigjesh pyetjeve të mëposhtme, pyet veten: «A tregojnë dashuri gjithmonë dhe për të gjithë njerëzit anëtarët e kësaj feje? A e tregojnë këtë dashuri jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra?»

TEMA: Lufta.

ÇFARË MËSON BIBLA:

Jezui i urdhëroi dishepujt: «Po ju them . . . : ‘Duani armiqtë tuaj, bënu mirë atyre që ju urrejnë.’»—Luka 6:27, Simon Filipaj.

Kur ushtarët erdhën të arrestonin Jezuin, apostulli Pjetër nxori një armë për ta mbrojtur. Megjithatë Jezui tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin.»—Mateu 26:52, Diodati i Ri.

Apostulli Gjon shkroi: «Prej kësaj dallohen bijtë e Hyjit prej bijve të djallit: kush nuk ushtron drejtësinë dhe kush nuk e do vëllanë nuk është prej Hyjit. Sepse kjo është shpallja që dëgjuat qysh në fillim: që ta duam njëri-tjetrin! Jo, si Kaini që ishte prej djallit dhe vrau të vëllanë.»—1 Gjonit 3:10-12, Simon Filipaj.

PYETJA:

A i nxit kjo fe anëtarët e saj që të marrin pjesë në luftë?

TEMA: Politika.

ÇFARË MËSON BIBLA:

Pasi panë me sytë e tyre se Jezui mund të kryente mrekulli, disa donin që ai të përfshihej në politikën e vendit. Si veproi Jezui? «Jezusi, duke ditur se po vinin ta kapnin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri mbi malin, fill i vetëm.»—Gjoni 6:15, Diodati i Ri.

Kur Jezuin e arrestuan dhe ngritën një akuzë të rreme se ishte agjitator politik, ai u përgjigj: «Mbretëria ime nuk është pjesë e kësaj bote. Po të ishte mbretëria ime pjesë e kësaj bote, shërbëtorët e mi do të luftonin që unë të mos u dorëzohesha judenjve. Por ja që mbretëria ime nuk është nga kjo botë.»—Gjoni 18:36.

Kur iu lut Perëndisë për dishepujt, Jezui tha: «Unë ua dorëzova fjalën tënde dhe bota i urreu, pse nuk janë të kësaj bote sikurse as unë nuk i përkas kësaj bote.»—Gjoni 17:14, Simon Filipaj.

 PYETJA:

A e ndjek kjo fe shembullin e Jezuit duke mos u përfshirë në politikë, edhe sikur kjo të ngjallë urrejtje për anëtarët e saj te disa politikanë?

TEMA: Paragjykimi.

ÇFARË MËSON BIBLA:

Kur jojudenjtë e parë të parrethprerë u bënë të krishterë, apostulli Pjetër vërejti: «Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.»—Veprat 10:34, 35, Diodati i Ri.

Kur u shkroi të krishterëve në shekullin e parë, Jakovi tha: «Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahëmbajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: ‘Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!’, ndërsa skamnorit i thoni: ‘Rri atje, në këmbë!’ ose: ‘Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!’, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahëmbajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti?»—Jakovi 2:1-4, Simon Filipaj.

PYETJA:

A mëson kjo fe se të gjithë njerëzit janë të barabartë në sy të Perëndisë dhe se anëtarët e saj nuk duhet të diskriminojnë askënd në bazë të racës ose gjendjes ekonomike?