Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Si të kemi një familje të lumtur?

Si të administroni paratë

Si të administroni paratë

Burri thotë: «Mendoj se gruaja ime, Laura, * harxhon para për gjëra të panevojshme ose të paktën për gjëra që s’mendoj se na duhen. Dhe duket sikur ajo nuk arrin dot të kursejë. Kjo bëhet vërtet një problem kur kemi shpenzime të papritura. Shpesh kam thënë se, po të ketë para në xhep gruaja ime, i harxhon të gjitha.»

Gruaja thotë: «Ndoshta nuk jam kursimtare e madhe, por burri im nuk e ka idenë sa shumë kushtojnë gjërat—ushqimi, veshjet, shpenzimet për familjen—dhe jam unë ajo që rri në shtëpi shumicën e kohës. Unë e di se çfarë na duhet dhe e blej, edhe nëse kjo do të ndezë ‘një debat’ tjetër për paratë.»

PARAJA është ndoshta një nga temat më të vështira për të cilën një çift mund të diskutojë qetësisht. Jo më kot shpesh është në majë të listës së shkaqeve më të zakonshme të mosmarrëveshjeve mes bashkëshortëve.

Çiftet që nuk kanë një pikëpamje të ekuilibruar për paratë, mund të vuajnë nga stresi, të kenë konflikte, të dëmtohen emocionalisht dhe madje të dëmtojnë marrëdhënien e tyre me Perëndinë. (1 Timoteut 6:9, 10) Prindërit që nuk arrijnë të zgjidhin problemet për paratë, mund të detyrohen të punojnë më shumë, duke u privuar kështu fëmijëve dhe njëri-tjetrit mbështetjen emocionale dhe mbështetjen që u duhet për të forcuar marrëdhënien me Perëndinë. Gjithashtu, i mësojnë fëmijët të jenë të paarsyeshëm në lidhje me paratë.

Bibla pranon: ‘Paraja është mbrojtje.’ (Eklisiastiu 7:12) Por paratë do ta mbrojnë martesën dhe familjen tuaj vetëm nëse mësoni jo thjesht se si t’i mbani nën kontroll, por edhe si të flitni për to me njëri-tjetrin si bashkëshortë. * Faktikisht, në vend që të ndezin grindje, bisedat për paratë mund ta forcojnë lidhjen mes bashkëshortëve.

Po pse paratë sjellin kaq shumë probleme në martesë? Dhe çfarë hapash praktikë mund të ndërmerrni që bisedat për paratë t’ju ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve, e jo të ndezin grindje?

Cilat janë sfidat?

Shpesh, shkaku i mosmarrëveshjeve për paratë nuk janë vërtet paratë, por mungesa e besimit ose frika. Për shembull, një burrë i cili i kërkon gruas që të shpjegojë se si shpenzon çdo qindarkë, në të vërtetë mund të jetë duke thënë se ai nuk ka shumë besim tek aftësia e saj për të administruar të ardhurat e familjes. Dhe një grua që ankohet se burri nuk kursen mjaft, faktikisht mund të jetë duke shprehur frikën se ndonjë e papritur në të ardhmen mund ta dëmtojë familjen nga ana financiare.

Një sfidë tjetër për çiftet është edhe prejardhja e tyre. Mateu, i martuar prej tetë vjetësh, thotë: «Gruaja ime vjen nga një familje ku i administronin mirë paratë. Ajo nuk e ka frikën që kam unë. Babai im ishte alkoolist, pinte shumë  duhan dhe nuk kishte punë për periudha të gjata. Shpesh nuk kishim as gjërat më të domosdoshme, për pasojë krijova një frikë të vërtetë se mos futeshim në borxhe. Ndonjëherë kjo frikë më bën të paarsyeshëm me gruan në lidhje me paratë.» Cilado qoftë arsyeja për tensionet midis jush, çfarë mund të bëni që paratë t’ju ndihmojnë në martesë e jo të jenë burim problemesh?

Katër hapa për të pasur sukses

Bibla nuk është një manual finance. Por ajo përmban mençuri praktike që mund ta ndihmojë një çift të shmangë problemet për paratë. Shqyrtoni këshillat e saj dhe provoni sugjerimet që renditen më poshtë.

1. Mësoni të flitni me qetësi për paratë.

«Mençuria është me ata që këshillohen së bashku.» (Proverbat 13:10) Për shkak të prejardhjes, mund të ndihesh në siklet kur këshillohesh për paratë me të tjerët, sidomos me ba­shkëshortin. Pavarësisht nga kjo, tregohesh i mençur nëse mëson të flasësh për këtë temë të rëndësishme. Për shembull, pse të mos i tregosh bashkëshortit se në ç’mënyrë mendon që ka ndikuar te ti qëndrimi i prindërve ndaj parave? Gjithashtu, përpiqu të kuptosh se si prejardhja e bashkëshortit tënd ka ndikuar te qëndrimi i tij ose i saj.

Nuk duhet të presësh që të lindë një problem para se të flasësh për paratë. Një shkrimtar biblik shkroi: «A mund të dalin bashkë dy veta, nëse nuk kanë lënë takim?» (Amosi 3:3) Si zbatohet ky parim? Nëse lini një kohë specifike për të folur për çështjet financiare, pakësoni mundësinë që të lindin konflikte nga keqkuptimet.

SUGJERIM: Vendosni një kohë për të folur rregullisht për çështjet financiare të familjes. Mund ta bëni këtë bisedë ditën e parë të çdo muaji ose çdo javë në një ditë të caktuar. Bëni një bisedë të shkurtër, mundësisht jo më shumë se 15 minuta. Zgjidhni një kohë kur ka më shumë mundësi të jeni të çlodhur të dy. Vendosni të mos flitni për paratë në disa momente të tilla, si kur hani ose kur çlodheni me fëmijët.

2. Bini dakord se si do t’i konsideroni të ardhurat.

«Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10) Nëse vetëm ti je me rrogë, mund ta nderosh bashkëshortin duke i konsideruar të ardhurat jo si paratë e tua, por si paratë e familjes.1 Timoteut 5:8.

Nëse edhe ti, edhe bashkëshorti jeni me rrogë, mund ta nderoni njëri-tjetrin duke i treguar të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e mëdha. Nëse nuk i tregon bashkëshortit për to, mund të minosh besimin e tij dhe mund të dëmtosh marrëdhënien me të. Nuk është e nevojshme të këshillohesh me bashkëshortin për çdo qindarkë që do të harxhosh. Por nëse diskuton me të për blerjen e gjërave më të kushtueshme, tregon se e vlerëson mendimin e bashkëshortit.

SUGJERIM: Vendosni se deri në çfarë shume mund të harxhojë secili nga ju pa qenë nevoja të pyesë tjetrin, për shembull, 200 lekë, 2.000 lekë apo ndonjë shumë tjetër. Gjithnjë këshillohu me bashkëshortin nëse dëshiron të harxhosh më shumë se kaq.

3. Hidhini në letër planet.

«Nëse planifikon dhe punon pa u lodhur, do të kesh me bollëk.» (Proverbat 21:5, Contemporary English Version) Një mënyrë si të planifikoni për të ardhmen dhe të mos çoni dëm punën e palodhur që keni bërë, është të krijoni një buxhet familjar. Nina, e martuar prej pesë vjetësh, thotë: «Kur i sheh të ardhurat dhe shpenzimet në letër, mund të befasohesh e të kuptosh shumë. Vështirë të debatosh me faktet.»

Metoda juaj për të bërë një buxhet nuk ka pse të jetë e ndërlikuar. Dareni, i martuar prej 26 vjetësh dhe baba i dy djemve, thotë: «Në fillim, përdornim një sistem me zarfe. I vendosnim paratë për javën në zarfe të ndryshme. Për shembull, kishim zarfe për ushqimin, për zbavitjen e madje edhe për prerjen e flokëve. Nëse mbaronin paratë në një zarf, merrnim hua nga një zarf tjetër, por gjithmonë tregonim kujdes  që t’i kthenim sa më shpejt në atë zarf paratë.» Nëse rrallë i paguani faturat me para në dorë, është veçanërisht e rëndësishme që të keni një plan dhe të mbani shënim shpenzimet.

SUGJERIM: Hidhni me shkrim të gjitha shpenzimet fikse. Vendosni se sa për qind të të ardhurave duhet të kurseni. Pastaj, bëni një listë të shpenzimeve që nuk janë fikse si për shembull, për ushqimin, energjinë elektrike dhe telefonin. Më pas, mbani shënim shpenzimet tuaja aktuale për disa muaj. Nëse është e nevojshme, ndryshoni mënyrën e jetesës që të mos futeni në borxh.

4. Vendosni se çfarë do të bëjë secili.

«Dy janë më mirë se një, sepse arrijnë të bëjnë më shumë duke punuar bashkë.» (Eklisiastiu 4:9, 10, New Century Version) Në disa familje, kujdeset burri për çështjet financiare. Në familje të tjera, për këtë përgjegjësi kujdeset në mënyrë të aftë gruaja. (Proverbat 31:10-28) Megjithatë, shumë çifte vendosin ta ndajnë bashkë këtë përgjegjësi. Mario, i martuar prej 21 vjetësh, thotë: «Gruaja ime kujdeset për faturat dhe shpenzimet e vogla. Unë kujdesem për taksat, këstet dhe qiranë. E mbajmë njëri-tjetrin të informuar dhe bashkëpunojmë si ortakë.» Cilado qoftë metoda juaj, sekreti është që të punoni bashkë si një skuadër.

SUGJERIM: Duke marrë parasysh pikat e forta e të dobëta të secilit, diskutoni se për çfarë përgjegjësie do të kujdeset secili. Rishqyrtoni këtë vendim pas dy muajsh. Jini të gatshëm të bëni ndryshime. Që të vlerësoni punën që bën bashkëshorti, si për shembull, pagesën e faturave ose bërjen e pazarit, hera-herës mund të ndërroni rolet.

Çfarë duhet të zbulojnë bisedat për paratë?

Bisedat tuaja për paratë nuk duhet të mbytin dashurinë. Lea, e martuar prej pesë vjetësh, kuptoi sa e vërtetë është kjo. Ajo thotë: «Unë dhe burri im kemi mësuar të bëjmë biseda të hapura e të sinqerta për paratë. Si rezultat, tani punojmë si skuadër dhe dashuria jonë është rritur.»

Kur çiftet diskutojnë se si t’i shpenzojnë paratë, ata ndajnë bashkë shpresat e ëndrrat dhe shprehin përkushtimin e tyre ndaj martesës. Kur këshillohen bashkë para se të bëjnë blerje të mëdha, tregojnë respekt për mendimet dhe ndjenjat e njëri-tjetrit. Kur i japin liri njëri-tjetrit për të harxhuar një shumë të caktuar pa qenë nevoja për t’u këshilluar, shprehin besim ndaj njëri-tjetrit. Këto janë elementet përbërëse të një marrëdhënieje vërtet të dashur. Një marrëdhënie e tillë sigurisht vlen më shumë se paratë, prandaj, pse të debatoni për to?

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 7 Bibla thotë se «burri është kreu i gruas së tij», prandaj ai mban përgjegjësinë kryesore për mënyrën si do të përdoren paratë e familjes dhe ka detyrimin që ta trajtojë gruan me dashuri dhe altruizëm.Efesianëve 5:23, 25.

PYET VETEN . . .

  • Kur ishte hera e fundit që unë dhe bashkëshorti bëmë një bisedë të qetë për paratë?

  • Çfarë mund të them e të bëj për të treguar vlerësimin për ndihmën financiare që i jep bashkëshorti im familjes?