A E DI se apostulli Pavël kishte të afërm që ishin dishepuj të Jezuit? * . . . Me sa duket të tillë ishin edhe e motra dhe djali i saj. Ky nip i shpëtoi jetën Pavlit. Emrin nuk ia dimë as atij, as nënës së vet, por dimë çfarë ka bërë. A do të dish diçka rreth kësaj? . . .

Pavli sapo ka mbaruar udhëtimin e tretë misionar dhe ndodhet në Jerusalem. Duhet të jetë viti 56 i e.s. Pavlin e kanë arrestuar dhe do të dalë në gjyq. Por armiqtë e Pavlit nuk duan që t’i bëhet një gjyq. Ata duan vdekjen e tij. Prandaj kurdisin një plan që nja 40 burra t’i ngrejnë kurth rrugës, për ta vrarë.

Nipit të Pavlit i bie në vesh plani i tyre. A e di çfarë bën ai? . . . Shkon dhe ia tregon Pavlit. Menjëherë Pavli i thotë një centurioni: «Çoje djalin te komandanti ushtarak, se ka diçka për t’i treguar.» Centurioni e çon te komandant Klaud Lisia dhe i shpjegon se djali ka diçka të rëndësishme për t’i thënë. Klaudi e merr mënjanë nipin e Pavlit dhe ai i tregon gjithçka.

Klaudi e paralajmëron nipin e Pavlit: «Mos i thuaj askujt që m’i kallëzove këto.» Pastaj thërret dy centurionë dhe i urdhëron të bëjnë gati 200 ushtarë, 70 kalorës dhe 200 heshtarë, që të shkojnë në Cezare. Në orën 9.00 të darkës, 470 burra nisen që ta çojnë shëndoshë e mirë Pavlin në Cezare te guvernatori romak, Feliksi. Në një letër, Klaudi i tregon Feliksit rreth planit që kishin kurdisur për ta vrarë Pavlin.

Kështu judenjtë detyrohen të përballen me Pavlin në gjyq në Cezare dhe të paraqitin akuzat e tyre. Por, sigurisht, nuk kanë prova që tregojnë se Pavli ka bërë diçka të gabuar. Megjithatë, Pavlin e mbajnë padrejtësisht të burgosur për dy vjet. Prandaj kërkon ta gjykojnë në Romë dhe e çojnë atje.Veprat 23:16–24:27; 25:8-12.

 Çfarë mësojmë nga ky tregim për nipin e Pavlit? . . . Duhet guxim të thuash atë që është e drejtë dhe, po të veprojmë kështu, mund t’u shpëtojmë jetën të tjerëve. Edhe kur e dinte se armiqtë «kërkonin ta vritnin», Jezui vazhdoi t’u fliste njerëzve për Mbretërinë e Perëndisë. Jezui tha që edhe ne të veprojmë si ai. A do të bëjmë ashtu? Po, nëse kemi guxim si nipi i Pavlit.Gjoni 7:1; 15:13; Mateu 24:14; 28:18-20.

Pavli e nxiti të riun Timote që e kishte mik: «Kushtoji vëmendje të vazhdueshme vetes dhe mësimdhënies sate. Ngulmo në këto gjëra, sepse duke e bërë këtë, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.» (1 Timoteut 4:16) Vërtet, ajo që bëri nipi i Pavlit ishte në përputhje me fjalët e dajës. Po ti, a do të veprosh kështu?

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijët, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh e t’ua drejtosh atyre pyetjen.