Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Mësoji fëmijët

Josia zgjodhi të bënte atë që ishte e drejtë

Josia zgjodhi të bënte atë që ishte e drejtë

A MENDON se është e vështirë të bësh atë që është e drejtë? * . . . Nëse thua po, shumë të tjerë do të ishin dakord me ty. Edhe të rriturit e kanë të vështirë të bëjnë gjëra që e dinë se janë të drejta. Le të shohim pse ishte veçanërisht e vështirë për Josinë të bënte zgjedhje të drejta. A e di kush ishte ai? . . .

Josia ishte i biri i Amonit, një mbreti të Judës i cili u bë baba në moshën 16-vjeçare. Amoni ishte shumë i keq, siç kishte qenë babai i vet, mbreti Manase. Për vite të tëra, Manaseu kishte qenë një mbret jashtë mase i lig. Por pastaj e zunë rob asirianët dhe e çuan të burgosur në Babiloninë e largët. Atje në burg, Manaseu iu lut Jehovait ta falte dhe ai e fali.

Pasi u lirua, Manaseu u kthye në Jerusalem, ku u bë përsëri mbret. Menjëherë i ndreqi gjërat e këqija që kishte bërë dhe e ndihmoi popullin t’i shërbente Jehovait. Kushedi sa duhet të jetë trishtuar ai kur Amoni nuk ndoqi shembullin e tij të mirë. Rreth kësaj kohe lindi Josia. Bibla nuk thotë sa kohë kaloi Manaseu me nipin, Josinë. Por, a mendon se Manaseu mund të jetë përpjekur ta ndihmojë që t’i shërbejë Jehovait? . . .

Kur Josia ishte vetëm gjashtë vjeç, Manaseu vdiq dhe mbret u bë i biri, Amoni. Amoni mbretëroi vetëm dy vjet, pastaj e vranë shërbëtorët e tij. Kështu, në moshën tetëvjeçare, Josia u bë mbret i Judës. (2 Kronikave, kapitulli 33) Si mendon, çfarë ndodhi atëherë? A zgjodhi Josia të ndiqte shembullin e keq të babait, Amonit, apo shembullin e mirë të gjyshit të penduar, Manaseut? . . .

Edhe pse shumë i vogël, Josia ishte i vendosur t’i shërbente Jehovait. Prandaj dëgjoi ata që e donin Jehovain, jo ata që kishin qenë shokë të babait të tij. Josia ishte vetëm tetë vjeç, por e dinte se ishte e drejtë të dëgjonte njerëzit që e donin Perëndinë. (2 Kronikave 34:1, 2) A të pëlqen të dish diçka  për ata që e këshilluan Josinë dhe ishin shembuj të mirë për të? . . .

Një nga ata që lanë një shembull të mirë për Josinë, ishte profeti Sofonia. Ky ishte kushëri i Josisë, sepse mund të ketë qenë pasardhës i babait të Manaseut, mbretit të mirë Hezekia. Në pjesën e parë të mbretërimit të Josisë, Sofonia shkroi librin biblik që mban emrin e vet. Ai paralajmëroi për të këqijat që do t’u ndodhnin atyre që nuk zgjidhnin të bënin atë që ishte e drejtë, dhe me siguri Josia ua vuri veshin atyre paralajmërimeve.

Një tjetër shembull i mirë ishte Jeremia, për të cilin ndoshta ke dëgjuar më parë. Ai dhe Josia u rritën pak a shumë afër njëri-tjetrit dhe i shërbyen Jehovait që nga fëmijëria. Jehovai e frymëzoi Jereminë të shkruante librin biblik që mban emrin e tij. Kur Josia vdiq në betejë, Jeremia shkroi një këngë të përvajshme që shprehte trishtimin e tij të thellë. (2 Kronikave 35:25) Mund ta marrim me mend sa duhet ta kenë nxitur njëri-tjetrin t’i qëndronin besnikë Jehovait.

Si mund ta kenë ndihmuar Sofonia dhe Jeremia Josinë të bënte atë që është e drejtë?

Si mendon, ç’mund të mësojmë nga kjo që kemi studiuar për Josinë? . . . Nëse babai yt, ashtu si babai i Josisë, nuk i shërben Jehovait, a ke dikë tjetër që mund të të ndihmojë të mësosh për Perëndinë? Ndoshta ke nënën, gjyshen a gjyshin ose ndonjë të afërm tjetër. Mbase është dikush tjetër që i shërben Jehovait, e që mamaja jote e lejon të studiojë Biblën me ty.

Sidoqoftë, Josia ishte aq i rritur sa ta kuptonte se duhej të kishte shokë njerëzit që i shërbenin Jehovait. Urojmë të veprosh edhe ti kështu e të zgjedhësh të bësh atë që është e drejtë.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.