NDOSHTA keni kaluar para një Salle Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait në zonën tuaj dhe keni pyetur veten ç’bëhet atje. A e dinit se mbledhjet e tyre javore janë të hapura për publikun? Vizitorët mikpriten me përzemërsi.

Por ndoshta keni disa pyetje. Pse bëjnë mbledhje Dëshmitarët e Jehovait? Ç’ndodh në ato mbledhje? Dhe çfarë thonë për mbledhjet vizitorët që nuk janë Dëshmitarë të Jehovait?

«Mblidhni popullin»

Që në kohët e lashta, njerëzit mblidheshin bashkë që të adhuronin Perëndinë e të mësonin për të. Pothuajse 3.500 vjet më parë, izraelitëve iu tha: «Mblidhni popullin me burra, gra e fëmijë dhe të ardhurin që gjendet brenda portave të qyteteve tuaja, që të dëgjojë e të mësojë, pasi ai duhet t’i frikësohet Jehovait, Perëndisë tuaj, dhe të përmbushë me kujdes të gjitha fjalët e këtij ligji.» (Ligji i përtërirë 31:12) Pra, në Izrael, të vegjëlve dhe të mëdhenjve u mësohej të adhuronin Perëndinë Jehova e t’i bindeshin atij.

Shekuj më vonë, kur u formua kongregacioni i krishterë, mbledhjet vazhduan të ishin pjesë e rëndësishme e adhurimit të vërtetë. Apostulli Pavël shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera, pa braktisur mbledhjet tona, siç e kanë zakon disa, por duke inkurajuar njëri-tjetrin.» (Hebrenjve 10:24, 25) Siç forcohen lidhjet familjare kur pjesëtarët kalojnë kohë me njëri-tjetrin, po ashtu forcohet lidhja e dashurisë mes atyre që duan t’i shërbejnë Perëndisë kur mblidhen së bashku për të adhuruar.

Në përputhje me këto baza biblike, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen në Sallat e Mbretërisë dy herë në javë. Mbledhjet i ndihmojnë të pranishmit të vlerësojnë, të kuptojnë e të zbatojnë parimet e Biblës. Aty ku është e mundur, programi është i njëjtë në mbarë botën dhe çdo mbledhje ka një synim të veçantë. Para dhe pas mbledhjeve, të pranishmit ‘inkurajojnë njëri-tjetrin’ me biseda ndërtuese. (Romakëve 1:12) Ç’bëhet në secilën mbledhje?

Fjalimi biblik

Mbledhja e parë që ndjek shumica e njerëzve është një fjalim biblik i përgatitur për publikun, që normalisht mbahet në fundjavë. Jezu Krishti mbante shpesh fjalime publike, ndër të cilët është edhe Predikimi i famshëm në Mal. (Mateu 5:1; 7:28, 29) Apostulli Pavël foli para disa burrave në Athinë. (Veprat 17:22-34) Sipas këtyre modeleve, në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait mbahet një fjalim i menduar posaçërisht për publikun e gjerë, disa prej të cilëve po ndjekin për herë të parë një mbledhje.

Mbledhja fillon me një këngë nga libri Këndojini lavdi Jehovait. * Të gjithë ata që dëshirojnë të ngrihen në këmbë e të këndojnë bashkë me të tjerët, janë të mirëpritur. Pas një lutjeje të shkurtër, një orator i kualifikuar mban një fjalim 30-minutësh. (Shih kutinë  «Fjalime praktike për publikun».) Ky fjalim bazohet tërësisht në Bibël. Shpeshherë gjatë fjalimit, oratori e fton auditorin të gjejë shkrime të përshtatshme dhe të ndjekë në Bibël ndërsa lexohen vargjet. Prandaj, nëse doni, mund të merrni me vete Biblën tuaj ose mund t’u kërkoni Dëshmitarëve të Jehovait një Bibël para mbledhjes.

 Studimi i Kullës së Rojës

Në shumicën e kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait, pas fjalimit publik bëhet Studimi i Kullës së Rojës, një diskutim me pyetje-përgjigje që zgjat një orë dhe trajton një argument biblik. Kjo mbledhje i nxit të pranishmit të ndjekin shembullin e bereasve në ditët e Pavlit, që «e pranuan fjalën me etje të madhe, dhe çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet».Veprat 17:11.

Studimi i Kullës së Rojës nis me një këngë. Informacioni që trajtohet dhe pyetjet që bën drejtuesi, gjenden në numrin e kësaj reviste që botohet për studim. Mund të merrni një kopje të këtij botimi nga Dëshmitarët e Jehovait. Ndër temat e trajtuara kohët e fundit, janë: «Prindër, stërvitini me dashuri fëmijët», «Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe» dhe «Pse të gjitha vuajtjet do të marrin fund së shpejti?» Ndonëse mbledhja është një diskutim me pyetje dhe përgjigje, pjesëmarrja e auditorit është vullnetare dhe komentet jepen zakonisht nga ata që i kanë lexuar më përpara artikullin dhe shkrimet që e mbështetin, dhe kanë medituar për ta. Mbledhja mbyllet me një këngë e një lutje.Mateu 26:30; Efesianëve 5:19.

Studimi i Biblës në Kongregacion

Një mbrëmje gjatë javës, Dëshmitarët e Jehovait mblidhen sërish në Sallën e Mbretërisë për një program me tri pjesë, që gjithsej zgjat 1 orë e 45 minuta. Pjesa e parë është Studimi i Biblës në Kongregacion, që zgjat 25 minuta. Ai i ndihmon të pranishmit të familjarizohen më tepër me Biblën, të ndreqin mendimet dhe qëndrimet e të përmirësohen si dishepuj të Krishtit. (2 Timoteut 3:16, 17) Njësoj si Studimi i Kullës së Rojës, edhe kjo mbledhje është një trajtim me pyetje-përgjigje i një argumenti biblik. Komentet jepen  vullnetarisht. Botimi ndihmës për studimin e Biblës zakonisht është një libër ose një broshurë e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

Pse përdoret literaturë biblike në mbledhje? Në kohët biblike, nuk mjaftonte vetëm leximi i Fjalës së Perëndisë. Më pas vazhdohej «duke e shtjelluar, duke shpjeguar domethënien, dhe duke i ndihmuar njerëzit ta kuptonin atë që po lexohej». (Nehemia 8:8) Vitet e fundit, botimet që trajtojnë librat e Isaisë, Danielit dhe Zbulesës, i kanë ndihmuar të pranishmit në këtë mbledhje të kuptojnë këto pjesë të Biblës.

Shkolla e Shërbimit Teokratik

Pas Studimit të Biblës në Kongregacion, zhvillohet Shkolla e Shërbimit Teokratik. Kjo mbledhje që zgjat 30 minuta, i ndihmon të krishterët të zhvillojnë ‘artin e mësimdhënies’. (2 Timoteut 4:2) Për shembull, a ju ka ndodhur që fëmija juaj ose një mik t’ju ketë bërë një pyetje për Perëndinë ose për Biblën dhe ta keni pasur të vështirë t’i jepnit një përgjigje të mirë? Shkolla e Shërbimit Teokratik mund t’ju mësojë si të jepni përgjigje inkurajuese e të bazuara në Bibël për pyetjet e vështira. Kështu mund të përsëritim fjalët e profetit Isaia: «Zotëria Sovran Jehova më ka dhënë gjuhën e të mësuarve, që të di si t’i përgjigjem të lodhurit me një fjalë.»Isaia 50:4.

Shkolla e Shërbimit Teokratik fillon me një fjalim të bazuar në një pjesë të Biblës, të cilën të pranishmit ishin inkurajuar një javë përpara ta lexonin. Pas fjalimit, oratori e fton auditorin të japë komente të shkurtra për disa aspekte të pjesës së caktuar për lexim që u janë dukur të dobishme. Pas këtij diskutimi, studentët që kanë zgjedhur të regjistrohen në shkollë, mbajnë pjesët që u janë caktuar.

Studentëve u caktohet të lexojnë një pjesë të Biblës nga podiumi ose të demonstrojnë si t’i mësojnë dikujt një argument biblik. Pas çdo fjalimi, një këshillues me përvojë e lavdëron studentin për atë që ka bërë mirë, duke i bazuar komentet në librin Të nxjerrim dobi nga arsimimi në Shkollën e Shërbimit Teokratik.  Më pas, privatisht, mund t’i japë sugjerime se ku të përmirësojë.

Kjo pjesë e programit me caktime të shkurtra, ndihmon jo vetëm studentin, por edhe të gjithë të pranishmit që duan të përmirësojnë aftësitë e leximit, të të folurit dhe të mësimdhënies. Pasi mbaron Shkolla e Shërbimit Teokratik, këndohet një këngë e bazuar në një fragment nga Bibla, për të kaluar në Mbledhjen e Shërbimit.

Mbledhja e Shërbimit

Pjesa e fundit e programit është Mbledhja e Shërbimit. Me anë të fjalimeve, demonstrimeve, intervistave dhe pjesëmarrjes së auditorit, të pranishmit mësojnë si t’ua shpjegojnë me efektshmëri Biblën të tjerëve. Para se t’i dërgonte dishepujt të predikonin, Jezui i mblodhi dhe u dha udhëzime të hollësishme. (Luka 10:1-16) Duke qenë plotësisht të përgatitur për veprën e ungjillëzimit, ata patën shumë përvoja interesante. Më pas, i raportuan përsëri Jezuit përvojat që kishin pasur. (Luka 10:17) Dishepujt i tregonin shpesh njëri-tjetrit përvojat e tyre.Veprat 4:23; 15:4.

Programi 35-minutësh për Mbledhjen e Shërbimit gjendet në një fletushkë që del çdo muaj dhe quhet Shërbimi ynë i Mbretërisë. Ndër argumentet e trajtuara kohët e fundit, janë: «Ta adhurojmë Jehovain si familje», «Përse kthehemi herë pas here?» dhe «Imitoni Krishtin në shërbimin tuaj.» Programi mbaron me një këngë dhe pastaj një pjesëtar i kongregacionit caktohet të bëjë lutjen mbyllëse.

Çfarë kanë thënë vizitorët

Kongregacionet bëjnë çmos që të gjithë të ndihen të mirëpritur. Për shembull, Endrju kishte dëgjuar shumë gjëra të këqija për Dëshmitarët e Jehovait. Por, herën e parë që shkoi në mbledhje, u habit nga mikpritja që i bënë. Ai tregon: «Ishte një vend i mrekullueshëm. U befasova nga qëndrimi miqësor i njerëzve dhe nga interesi që tregonin për mua.» Ashela, një adoleshente në Kanada, ka të njëjtin mendim. «Mbledhja ishte shumë interesante. E kisha fare të lehtë ta ndiqja.»

Hozenë, që jeton në Brazil, e njihnin të gjithë në zonën e tij për sjelljen agresive. Megjithatë, e ftuan të ndiqte një mbledhje në Sallën e Mbretërisë. «Njerëzit që ishin në Sallën e Mbretërisë më mikpritën përzemërsisht, edhe pse e njihnin sjelljen time»,—thotë ai. Atsushi, i cili jeton në Japoni, kujton: «Duhet ta pranoj se, herën e parë që shkova në një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait, u ndjeva pak në siklet. Gjithsesi, e pashë se ishin njerëz normalë. Bënë çmos që të ndihesha rehat.»

Jeni të mirëpritur

Siç e tregojnë komentet e mësipërme, të ndjekësh mbledhjet në Sallën e Mbretërisë mund të jetë një përvojë vërtet shpërblyese. Do të mësoni për Perëndinë dhe, me anë të udhëzimeve të bazuara në Bibël që do të merrni atje, Perëndia Jehova do t’ju mësojë ‘si të nxirrni dobi për vete’.Isaia 48:17.

Në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, hyrja është e lirë dhe nuk mblidhen para. A doni të ndiqni një mbledhje në Sallën e Mbretërisë në zonën tuaj? Ju ftojmë përzemërsisht të vini.

^ par. 10 Të gjitha botimet që përmenden në këtë artikull, janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.