Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Fjala ishte «Perëndi» apo «një perëndi»?

Fjala ishte «Perëndi» apo «një perëndi»?

KJO pyetje duhet mbajtur parasysh kur përkthyesit e Biblës kanë në duar vargun e parë të ungjillit të Gjonit. Në Përkthimin Bota e Re ky varg është përkthyer: «Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte një perëndi.» (Gjoni 1:1) Në disa përkthime të tjera pjesa e fundit e vargut përcjell idenë se Fjala ishte «hyjnore» ose diçka të ngjashme. (A New Translation of the Bible, nga Xhejms Mofati; New English Bible) Por në shumë përkthime, pjesa e fundit e Gjonit 1:1 është: «Fjala ishte Perëndi.»Diodati i Ri.

Gramatika e greqishtes dhe konteksti vërtetojnë më së miri se Përkthimi Bota e Re është i saktë në këtë pikë dhe se «Fjala» nuk është njësoj si ‘Perëndia’ që përmendet para saj në varg. Sidoqoftë, disave u lindin dyshime ngaqë greqishtja e shekullit të parë nuk kishte nyje joshquese (nyja «një»). Për këtë arsye paraqet mjaft interes një përkthim i Biblës në një gjuhë që flitej në shekujt e parë të erës sonë.

 Bëhet fjalë për dialektin sahidik të gjuhës koptike. Kjo gjuhë flitej në Egjipt në shekujt fill pas shërbimit të Jezuit në tokë dhe dialekti sahidik ishte një formë e hershme e shkruar e asaj gjuhe. Në një fjalor biblik The Anchor Bible Dictionary thuhet për përkthimet e hershme të Biblës në gjuhën koptike: «Meqenëse [Septuaginta] dhe [Shkrimet e Krishtere Greke] u përkthyen në gjuhën koptike gjatë shekullit të tretë të erës sonë, versioni koptik bazohet në [dorëshkrime greke], që janë shumë më të vjetra sesa pjesa dërrmuese e dëshmive që kanë mbijetuar.»

Përkthimi koptik-sahidik paraqit interes sidomos për dy arsye. Së pari, siç u vërejt më sipër, ai tregon se si i kuptonin të krishterët Shkrimet para shekullit të katërt, pra, para se triniteti të bëhej një doktrinë zyrtare. Së dyti, gramatika e gjuhës koptike i ngjason gramatikës angleze dhe asaj shqipe në një pikë të rëndësishme për sa i përket nyjës joshquese. Përkthimet e hershme të Shkrimeve të Krishtere Greke ishin në gjuhën siriake, latine dhe koptike. Gjuha siriake dhe latine, ashtu si greqishtja e atyre kohëve, nuk kanë nyjë joshquese, kurse gjuha koptike po. Gjithashtu studiuesi Tomas O. Lambdin thotë në veprën e tij Hyrje në gjuhën koptike-sahidike: «Përdorimi i nyjave në gjuhën koptike, si të trajtës së shquar edhe të pashquar, ngjason shumë me përdorimin e nyjave në anglisht.»

Prandaj, përkthimi koptik jep një dëshmi interesante se si duhet të jetë kuptuar në atë kohë Gjoni 1:1. Çfarë dëshmie jep? Përkthimi koptik-sahidik përdor një nyjë të pashquar para fjalës «perëndi» në pjesën e fundit të Gjonit 1:1. Kështu përkthimi koptik thotë: «Dhe Fjala ishte një perëndi.» Është e qartë se ata përkthyes të lashtë e kuptonin se fjalët e Gjonit te Gjoni 1:1 nuk do të thoshin se Jezui ishte Perëndia i Plotfuqishëm. Fjala ishte një perëndi, jo Perëndia i Plotfuqishëm.