Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 Mësoji fëmijët

Samueli nuk hoqi dorë nga ajo që ishte e drejtë

Samueli nuk hoqi dorë nga ajo që ishte e drejtë

A KE parë njerëz që bëjnë gjëra të këqija? . . .  * Samueli po. Ai jetoi në një vend ku nuk pritej të ndodhnin gjëra të tilla. Bëhet fjalë për tabernakullin ose vendin ku adhurohej Perëndia, në qytetin e Shilohut. Le të shohim se si tabernakulli u bë shtëpia e Samuelit, mbi 3.000 vjet më parë.

Para lindjes së Samuelit, mamaja e tij, Hana, donte shumë të kishte një fëmijë. Gjatë një vizite në tabernakull, ajo iu lut Perëndisë për këtë. Po lutej me aq zjarr sa buzët i dridheshin. Prandaj, kryeprifti Eli mendoi se ishte e dehur. Kur kuptoi që ajo nuk ishte e dehur, por shumë e dëshpëruar, Eliu e bekoi me fjalët: «Perëndia i Izraelit ta plotësoftë kërkesën!»1 Samuelit 1:17.

Më vonë, lindi Samueli dhe Hana ishte kaq e lumtur, saqë i tha të shoqit, Elkanahut: ‘Sapo t’i heq gjirin Samuelit do ta çoj në tabernakull që t’i shërbejë Perëndisë atje.’ Dhe pikërisht kështu ­veproi. Në atë kohë Samueli mund të ketë qenë 4 a 5 vjeç.

Eliu u plak dhe bijtë e tij, Hofni dhe Finehasi, nuk e adhuronin Jehovain siç duhej. Ata kryenin marrëdhënie imorale me gratë që vizitonin tabernakullin. Si mendon, çfarë duhej të kishte bërë babai i tyre? . . . Po, duhej t’i kishte disiplinuar dhe nuk duhej t’i lejonte të bënin ato gjëra të këqija.

Djaloshi Samuel po rritej atje dhe ndoshta i dinte gjërat e këqija që kishin bërë bijtë e Eliut. A e ndoqi Samueli shembullin e tyre të keq? . . . Jo, ai vazhdoi të bënte atë që ishte e drejtë, pikërisht siç e kishin mësuar prindërit. Ndaj nuk çuditemi që Jehovai u zemërua me Eliun. Madje i dërgoi një profet  Eliut që t’i thoshte si do ta ndëshkonte familjen e tij, sidomos bijtë e këqij.1 Samuelit 2:22-36.

Samueli vazhdoi të shërbente në tabernakull me Eliun. Pastaj, një natë, kur Samueli po flinte, një zë e thirri me emër. Samueli vrapoi tek Eliu, por ky i tha se nuk e kishte thirrur. Kjo u përsërit. Pas herës së tretë, Eliu i tha Samuelit të përgjigjej: «Fol, o Jehova, sepse shërbëtori yt po të dëgjon.» Kur tha këtë, Jehovai i foli. E di ç’i tha Jehovai Samuelit? . . .

Perëndia ia tregoi edhe Samuelit qëllimin e tij për të ndëshkuar familjen e Eliut. Të nesërmen në mëngjes, Samueli kishte frikë t’i tregonte Eliut çfarë i kishte thënë Jehovai. Por Eliu iu lut: «Mos ma fshih, të lutem!» Kështu, në fund, Samueli i tregoi gjithçka që do të bënte Jehovai, pikërisht siç i kishte thënë më parë profeti Eliut. Ky u përgjigj: «Le të bëjë si t’i duket atij [Jehovait] më mirë.» Në fund Hofni e Finehasi u vranë dhe Eliu vdiq.1 Samuelit 3:1-18.

Ndërkaq «Samueli rritej. Jehovai tregoi se ishte me të». Kur vdiqën Eli dhe bijtë e tij, Samueli mbase ishte në adoleshencë, një kohë e rëndësishme për të rinjtë. A mendon se ai e kishte të lehtë të vazhdonte të bënte ç’ishte e drejtë, edhe kur të tjerët vepronin ndryshe? . . . Edhe pse s’ishte e lehtë, Samueli i shërbeu Jehovait me besnikëri gjatë gjithë jetës.1 Samuelit 3:19-21.

Po ti? A do të jesh si Samueli ndërsa rritesh? A do të vazhdosh të bësh atë që është e drejtë? A do të vazhdosh t’u bindesh mësimeve të Biblës dhe asaj që të kanë mësuar prindërit? Nëse po, do të bësh të lumtur Jehovain dhe prindërit.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.