A KE njohur ndonjë njeri që ishte shumë i sëmurë? . . . A dëshiroje të bëje diçka për ta ndihmuar? . . . Po nëse do të ishte nga një vend tjetër ose i një feje tjetër? A do të dëshiroje përsëri ta ndihmoje që të shërohej? . . . Këtë dëshironte të bënte një vajzë e vogël që jetonte në vendin e Izraelit, rreth 3.000 vjet më parë. Le të tregojmë se ç’ndodhi atëherë.

Shpesh ka luftë ndërmjet Izraelit të lashtë, ku jeton kjo vajzë, dhe vendit fqinjë, Sirisë. (1 Mbretërve 22:1) Një ditë sirianët vijnë në Izrael dhe e marrin robinjë vajzën e vogël. Atë e çojnë në Siri dhe bëhet shërbëtorja e gruas së Naamanit, komandantit të ushtrisë siriane. Naamani ka një sëmundje të keqe që quhet lebër, e cila mund të shkaktojë rënien e pjesshme të mishit të njeriut.

Vajza shërbëtore i tregon gruas së Naamanit se si mund të shërohet burri i saj. Ajo i thotë: ‘Sikur Naamani të ishte në Samari, Eliseu, profeti i Jehovait, do ta shëronte nga lebra.’ E pra, nga mënyra se si flet vajza për Eliseun, Naamani beson se profeti mund të jetë vërtet në gjendje ta shërojë. Prandaj, me lejen e Ben-Hadadit, mbretit të Sirisë, Naamani dhe disa shërbëtorë bëjnë udhëtimin e gjatë rreth 150 kilometra, që të gjejnë Eliseun.

Në fillim ata shkojnë te Jehorami, mbreti i Izraelit. I tregojnë atij letrën e mbretit Ben-Hadad në të cilën i kërkon ndihmë për Naamanin. Por Jehorami nuk ka besim te Jehovai ose te profeti Elise. Jehorami mendon se Ben-Hadadi po përpiqet të nisë një luftë me të. Kur Eliseu e dëgjon këtë, i thotë mbretit Jehoram: «Le të vijë tek unë, të lutem.» Eliseu do që të tregojë se Perëndia ka fuqinë ta shërojë Naamanin nga sëmundja e keqe.2 Mbretërve 5:1-8.

Kur Naamani mbërrin te shtëpia e Eliseut me kuaj e karroca, Eliseu dërgon jashtë një lajmëtar që i thotë: ‘Lahu shtatë herë në lumin Jordan që të shërohesh.’ Kjo e zemëron Naamanin. Ai pret që Eliseu të dalë jashtë e të tundë dorën mbi lebrën që ta zhdukë. Përkundrazi, ai takon vetëm lajmëtarin e tij. Kështu, gjithë tërbim, Naamani kthehet e niset për në shtëpi.2 Mbretërve 5:9-12.

 Çfarë do të kishe bërë po të ishe një nga shërbëtorët e Naamanit? . . . Shërbëtorët e pyetën Naamanin: ‘Sikur Eliseu të të kishte kërkuar diçka të vështirë, a nuk do ta bëje? Pra, pse të mos e bësh këtë gjë të thjeshtë, të lahesh që të bëhesh i pastër?’ Naamani bindet. Ai ‘zbret dhe zhytet shtatë herë në Jordan. Pas kësaj mishi i përtërihet e i bëhet si mishi i një djali të vogël’.

Naamani kthehet tek Eliseu dhe i thotë: «Tani e di fare mirë se nuk ka Perëndi gjëkundi në tokë, përveçse në Izrael.» Ai i premton Eliseut se kurrë nuk do t’i «paraqitë më blatim të djegur a flijim asnjë perëndie tjetër përveç Jehovait».2 Mbretërve 5:13-17.

A do të doje, ashtu si ajo vajzë e vogël, të ndihmoje dikë që të mësojë për Jehovain dhe se çfarë është në gjendje të bëjë Ai? . . . Kur Jezui ishte në tokë, një njeri që kishte lebër besoi tek ai dhe tha: ‘Po të duash vërtet, ti mund të më ndihmosh.’ A e di si iu përgjigj Jezui? . . . «Dua.» Dhe Jezui e shëroi, siç kishte shëruar Jehovai Naamanin.Mateu 8:2, 3.

A ke mësuar për botën e re që do të krijojë Jehovai, në të cilën të gjithë njerëzit do të kenë shëndet të mirë e do të jetojnë përgjithmonë? . . . (2 Pjetrit 3:13; Zbulesa 21:3, 4) Atëherë, me siguri do që t’ua thuash të tjerëve këto gjëra të mrekullueshme!